Panuçi drejt shkarkimit, Skocia ndeshja e fundit?

Dëshira për t’u larguar sa më shpejtë nga ‘hija’ e Shqipërisë së Gianni De Biasi-t, duket se nuk ka qenë rruga e duhur e përzgjedhur nga Christian Panucci që kur mori drejtimin e kuqezinjve. Largime të shumta, ndryshime kursi dhe emra të rinj, por ende pa krijuar një përshtatje, pa u bërë asnjëherë skuadër.

Pasojat janë të mëdha, rrezikojmë rënien nga kategoria në Ligën e Kombeve, gjë që ka pasojat e saj si morale ashtu edhe financiare. Megjithatë, Panucci vijon që të qëndrojë stoik në krye të pankinës duke kërkuar që të drejtojë ende Shqipërinë.

Por, humbja në Izrael me rezultatin 2-0 ishte e turpshme, më tepër se barazimi pa gola me Jordaninë, një skuadër që renditet diku 50 e ca vende më larg se ne në renditjen botërore. As kjo nuk i bëri përshtypje italianit, të cilin brenda skuadrës nuk e do askush për kërkesat ekstreme që ka. Ndoshta i kujtohet vetja kur ka qenë ushtar, por futbolli ka ligjet e tij, është diçka krejt ndryshe nga ushtria.

Panucci, duket se ora e largimit të ka ardhur. Në FSHF thuhet se po të “kopsitin letrat”. Nuk ka asnjë dyshim më të vogël, ndoshta e mbyll me Skocinë, një rezultat zhgënjyes në “Elbasan Arena” do të ishte fatal për italianin që te Shqipëria duket se ishte personi që nevojitej më pak. /EDS

Komente