Një trajner modest dhe pa eksperiencë për stolin e Kombëtares

FSHF kishte premtuar emrin e trajnerit të ri brenda muajit korrik, por edhe pse kanë kaluar tashmë javë nga zyrtarizimi i largimit të De Biasit, ende nuk është vendosur timonieri i ri kuqezi.
Portali i specializuar në lëvizjen e lojtarëve dhe trajnerëve, “Tuttomercatoweb” ka vendosur së fundmi kandidaturën e Christian Panuccit si më të afërtën për kombëtaren shqiptare.

Sipas medieve, ish-mbrojtësi i përfaqësueses italiane po forcon kuotat për të trashëguar vendin e lënë bosh nga bashkëkombasi i tij, Gianni De Biasi. Christian Panucci ka një karrierë modeste në pankinë, ku ka shërbyer disa vite si ndihmës i Fabio Capellos te Rusia, për të kaluar më pas pa sukses te Livorno dhe Ternana, shkruan TCH.

Kandidaturë tjetër e fortë është Luigi De Canio, ndërsa holandezi Clarens Seedorf po cilësohet si një “outsider” luksi, por për momentin i shkëputur në listën virtuale të presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Tekniku i ri do të ketë provën e parë të vërtetë më 2 shtator, në ndeshjen kualifikuese të Botërorit kundër Lihtenshtajnit. 

Komente