Montella: E mirëpres Ancelottin si ndihmësin tim

Carlo Ancelotti ende nuk ka mbushur 24 orë nga shkarkimi si trajner i Bayern Munich. Por trajneri italian mund të gjejë së shpejti punë dhe të rikthehet në vendlindje.

Së paku tifozët e Milanit shpresojnë që ai të marrë drejtimin e ‘Rossonerëve’ së shpejti, pasi Vincenzo Montella rrezikon të shkarkohet.

Kjo ka bërë që edhe gazetarët ta pyesin Montellan rreth shkarkimi të Ancelottit dhe ky i fundit ka dhënë një përgjigje atraktive.

“Nëse Ancelotti dëshiron të vijë në Milan, mund të jetë ndihmësi im”, deklaroi Montella duke qeshur.

Por pastaj numri një i Milanit foli seriozisht rreth kësaj çështje. “Edhe un mund të jem ndihmësi i tij, nuk është nënçmuese”, tha Montella.

43-vjeçari e ka pranuar se gjithmonë ka admiruar punën e Ancelottit dhe shpeshherë e ka përcjellë atë në stërvitje.

“Kam një vlerësim të jashtëzakonshëm për Carliton. Kur kam filluar të merrem me zejen e trajnerit kam shkuar dhe kam përcjellë nga afër stërvitjet e tij”, deklaroi Montella.

Montella mund të shkarkohet nga Milani nëse ‘Rossonerët’ nuk marrin fitore ndaj Romës
Ish-reprezentuesi italian karrierën e trajnerit e ka nisur tek të rinjtë e Romës skuadër ku e mori famën më të madhe si trajner.

Gjatë karrierës së tij si trajner Montella ka udhëhequr fillimisht në disa ndeshje Romën në vitin 2011, Catanian (2011/12), Fiorentinën (2012/15) dhe Sampdorian në stinorin 2015-16.

Komente