Kombetarja Shqiptare me trajner te ri

Lista e gjatë e kandidaturave të përmendura menjëherë pas largimit të Gianni De Biasit është reduktuar në një listë me 3 kandidatura finalistësh prej të cilës do të dalë edhe emri i trajnerit që do të marrë drejtimin e Kombëtares Kuqezi. Supersport ka mundur të mësojë se në garë për stolin e kombëtares tanimë kanë mbetur vetëm 3 emra, Cristian Panucci, Luigi de Canio dhe Walter Zenga, Federata Shqiptare e Futbollit është në fazën finale të negociatave dhe sipas të gjitha gjasave emërimi i trajnerit të ri do të kryhet brenda kësaj jave. Sic bie në sy menjëherë, mungojnë në listën e finalistëve Filippo Inzaghi dhe Clarens Seedorf, emra të përmendur në ditët e kaluara, dhe tanimë gara finale mbetet mes Panuccit, Lugi De Canios dhe Walter Zengas. Të tre italianë, dy prej tyre ish futbollistë të famshëm që tanimë janë në kërkim të ndërtimit të një karriere po kaq të suksesëshme në rolin e trajnerit si dhe një tjetër teknik me eksperiencë.
Cristian Panucci në karrierën e tij si futbollist, ka shëtitur ajkën e klubeve të futbollit europian, Genoa, Milan, Real Madrid, Inter, Chelsea,Monaco dhe shumë vite te Roma janë një itenerar që padyshim i ka vlejtur për të ndërtuar një vizion të futbollit modern elitar, ndërsa si trajner padyshim e cmuar eksperienca si asistent i Fabio Capellos nga 2012 deri në 2014 në drejtimin e Rusisë, dhe më pas në nivel klubesh me Livornon e Ternanën.
Luigi De Canio si futbollist nuk ka patur të njëjtin shkëlqim, por dicka e tillë kompensohet e madje tejkalohet me eksperiencën e tij të pasur si trajner. 59 vjecari e ka nisur që nga stolat e Serie D për të arritur në Serinë A ku ka drejtuar skuadra si Udinese, Queens Park Rangers në Angli, Sienën, apo edhe Napolin kur militonte në Serinë B. Një cikël i jashtëzakonshëm rrugëtimi në plot 16 skuadra të ndryshme shumica absolute italiane, që mund ti shërbejë jashtëzakonisht kombëtares Shqiptare.
I fundit në listë por aspak për nga rëndësia, e madje ndoshta më joshësi për romantikët e futbollit është ish portieri i Interit Walter Zenga. Si ish futbollist është padyshim më i famshmi, për ata që se dinë, kënga e 883, tifozë zikaltër, Hanno Ucciso L’uomo Ragno, i dedikohet pikërisht atij me Zengën që konsiderohej atëherë Uomo Ragno mes shtyllave. Si trajner ka shtegtuar në gjysmën e botës, duke drejtuar ndër të tjerë emra të rëndësishëm si Steaua e Bukureshtit, Cverna Zvezda, Catania, Palermo, e disa skuadra në vendet arabe. Stoli i Kombëtares mund të jetë trampolina perfekte edhe për njeriun merimangë për të bërë kërcimin e jetës edhe si trajner. I duhet të fitojë në garën me Panuccin dhe De Canion, gjithcka vendoset brenda kësaj jave. /supersport/

Komente