Kercenon Ilir Mera: Nuk i dekretoj Ministrat nese vidhen votat

 Ky i sotmi është kërcënimi më i fortë i Ilir Metës, që kur partia e tij, LSI, u shpall si “armiku” i dy partive të mëdha, PD e PS.Nga selia e LSI, por duke folur si president, Ilir Meta paralajmëroi se nuk do ta dekretojë qeverinë e re, nëse do të cënohen votat.

 “Askush të mos shpresojë që vë dorë mbi zgjedhjet dhe bëhet pjesë e manipulimit të zgjedhjeve që do të ketë dekret për kryeministër apo për ministër. Dhe këtë do t’ua bëj të qartë të gjithë ndërkombëtarëve… Të mos i shkojë mendja njeriu të prekë 1 votë, se as në ëndrrën më të keqe nuk e ka parë fundin më të keq. Dhe kjo nuk është fjala e Lulzim Bashës te sera e tij politike. Kjo është fjala e Ilir Metës”.

 Manipulimi, sipas Metës, po bëhet duke përdorur policinë e shtetit.

 “…përmes keqpërdorimit të policisë, që ende drejtohet nga një nga përgjegjësit kryesorë të ndërmarrjes së drogës, që turpëroi gjithë Shqipërinë dhe kriminalizoi të gjithë vendin, i cili qëndron aty vetëm si rezultat i shkëmbimit që është bërë në kurriz të standardit të zgjedhjeve, të drejtorit të OSHEE me atë të policisë së shtetit. Megjithatë për këtë nuk do të flas më shumë, pasi ia ka cuar një mesazh zotit Rama lidhur me “Haki Drogën”, i cili nuk duhet të guxojë më të përdorë policinë e shtetit në mënyrë policeske, antiligjore, përmes inskenimeve mafioze, tipike të tij dhe të gjithë segmenteve që drejtojën atë dhe të jeni të sigurt, ky është një plan i lexuar tashmë nga të gjithë qytetarët shqiptarë, i lexuar nga vetë socialistët dhe demokratët dhe përgjigjja do të jetë e paparë çdo ditë dhe në mënyrë të veçantë më 25 qershor”.

 Prandaj ai e paralajmëroi edhe drejtuesit e policisë, se nëse “ngatërrohet” në manipulimin e zgjedhjeve, nuk do të ketë gjë t’i shpëtojë.

 “Dhe nuk do të tolerohet askush që vë dorë mbi zgjedhjet. I ka marrë Edi Rama mesazhet. Po ua them edhe të tjerëve, që janë ministra, që kanë qenë ministra, që duhet të bëhen ministra: duhet të harrojnë pjesëmarrjen e tyre në përpjekje për të manipuluar dhe dhunuar procesin zgjedhor. Dhe njëkohësisht ka filluar monitorimi i gjithë drejtuesve të policisë, i veprimeve të tyre të paligjshme, siç ishte veprim i paligjshëm dhe kriminal ndaj Elez Gjozës, siç ishte veprimi i Beratit. Të gjithë drejtorët e policisë, gjithë drejtuesit e policisë, të gjithë përgjegjësit e ndërmarrjes së drogës – ka edhe policë të ndershëm që s’kanë pranuar të bëhen pjesë e këtyre turpeve që i takojnë policisë së kohës së Gazidedes – të gjithë këta janë nën monitorim non stop. Dhe nuk do t’i shpëtojë asnjë gjë”.

 Nëse vota cënohet, jo vetëm që do të ketë krizë politike, por edhe përballje me populli, paralajëron sërish Meta.

 “Unë po u them edhe njëherë: unë do të dëgjoj vullnetin e popullit shqiptar. Askush të mos provokojë popullin shqiptar, askush të mos provokojë qytetarët shqiptarë, askush të mos përplaset me vendosmërinë e rinisë së Shqipërisë për t’i dhënë fund njëherë e mirë kësaj politike kriminale, që luan me votën, me zgjedhjet, me ekonominë, me të ardhmen e vendit”.

 A është ky një skenar i ngjashëm me Maqedoninë, ku presidenti Ivanov mbajti peng për disa muaj kryeministrin Zaev duke mos e dekretuar? Ilir Meta thotë se s’ka asgjë të përbashkët.

 “Nuk ka lidhje me këtë rast, sepse këtu nuk ka lidhje për të frenuar vullnetin e lirë të popullit shqiptar, por bëhet fjala për të ndëshkuar ata që do të prekin vullnetin e lirë të popullit shqiptar. Është krejt e kundërta (e Ivanovit). Kriza vjen nga prekja e zgjedhjeve.”

Për Metën zgjedhja e shqiptarëve duhet të jetë e thjeshtë mes të ardhmes së tyre dhe fatit të dy individëve “ish -emigrantë”, siç i quan ai Ramën e Bashën.

“Më mirë të largohen dy ish –emigrantë në rast se nuk dëshirojnë të qëndrojnë si njerëz normal në këtë vend, sesa të largohen 56 % e shqiptarëve që sipas Gallupit duan të ikin nga Shqipëria. Pas Sierra Leones, jemi vendi i dytë në botë, në mes të Europës, vend anëtar i NATO –s dhe konkurrojmë me Sierra Leones që është duke bërë luftëra civile. Përse? Për shkak të kësaj arrogance kriminale ndaj vendit, ndaj qytetarëve, ndaj ekonomisë dhe në radhë të parë ndaj votës së lirë. Ata që shkatërruan votën e lirë në partitë e tyre dhe ju i shikoni shumë qartë”.

Meta thotë se LSI e ka betejën me Edi Ramën, që sipas tij po keqpëdor shtetin, pasi PD për të nuk arrin të dalë as parti e tretë me “aleancën e errësirës” dhe “planin e zi” për të manipuluar opinionin publik duke sulmuar LSI.  

 “Është e qartë që LSI ka vetëm një garë me shtetin që keqpërdor për fat të keq ish bashkëkryetari im, për vendin e parë, dhe të cilën do ta fitojë këtë. Është e padiskutueshme.

Përsa i takon Lulit, të gjithë e kuptoni që unë s’e ndihmoj dot në këtë garë të dëshpëruar që ka nisur me PDIU për vendin e tretë, sepse tashmë është i treti në Dibër, i katërti ose i pesti në Elbasan, rrezikon të ngelet përfundimisht i katërti në shumë vende të Shqipërisë. Natyrisht që ka një aleancë të hapur, kjo nuk është më e fshehtë, është një aleancë errësire, bazuar në një plan të zi të dy individëve, për të manipuluar opinionin publik për interesa te tyre dhe oligarkisë, jo të qytetarëve”.

 Meta tha se po bashkëpunon me PDIU për të mbrojtur votat. Por ai akuzoi edhe KQZ se po përpiqet të frikësojë qytetarët me hedhjen e shortit për numëruesit që do të ndahen mes LSI dhe PDIU. Deklarata e sotme është një përshkallëzim i sulmit që Meta ka nisur ndaj Ramës e Bashës, të cilët, nga ana e tyre, e kanë kthyer LSI në shenjëstër kryesore, duke e bërë kryefjalë të fushatës së tyre elektorale dhe duke i kushtuar më tepër rëndësi se programeve apo premtimeve. /Lapsi/

Komente