Kapet shqiptari që furnizonte Firenzen me drogë

Zbardhen detajet e operacionit ndërkombëtar të kryer nga policia italiane dhe hollandeze 10 ditë më parë, që çoi në pranga 6 shqiptarë dhe 1 shtetase polake.

Mediat italiane shkruajne se ky rrjet drejtohej nga shqiptari Valentin Selaj dhe ka arritur të trafikojë ndër vite në Itali rreth 1 ton kokainë.

Gazetat lokale publikuan foto të tij nën shoqërinë e një prezantuesje televizive shqiptare.

Të përditshmet shkruajnë se kësaj organizate i janë sekuestruar miliona euro dhe anëtarët e saj bënin një jetë të shfrenuar, duke jetuar në vila luksoze, ngisnin makina të shtrenjta dhe shoqëroheshin me vajza të bukura e të famshme.

Policia italiane thotë se Valentin Selaj ishte furnizuesi kryesor me kokainë i zonës së Firences. Rrjeti i tij e trafikonte drogën nga Amerika Latine në Hollandë nga porti i Roterdamit.

Më pas ajo transportohej drejt destinacionit të saj përfundimtar në qytetet italiane.

Shqiptarët u arrestuan të gjithë në Hollandë, në Amsterdam dhe Roterdam. Hetimet për grupin kriminal shqiptar nisën në vitin 2015 nga Prokuroria e Firences.

Pjesë e këtij hetimi ka qenë edhe arrestimi i të paktën 6 personave në Bari në muajin Maj, që furnizonin klanet mafioze Di Kozime e Parizi, të cilët kishin gjetur tek shqiptarët një mbështetje të qëndrueshme për trafikun e drogës.

Brenda një viti, hetimi ka çuar në arrestimin e 30 personave dhe sekuestrimin e 140 kg kokainë me vlerë tregu 4 mln euro, 700 kg marjuanë, 4 milion euro kesh, 8 armë zjarri, disa autovetura pasuri të paluajteshme në Holandë dhe një aktivitet tregtar.

Komente