Ndërron jetë bosi i “Cosa Nostras” Toto Riina

Bosi famëkeq i mafias siciliane Salvatore “Toto” Riina vdiq si pasojë e kancerit në spital.

87 vjeçari Riina, bosi i dikurshëm i organizatës së frikshme kriminale Cosa Nostra, u burgos në vitin 1993. Ai po vuante një dënim me 26 burgime të përjetshme dhe besohet se ka urdhëruar më shumë se 150 vrasje.

Toto Riina ishte në gjendje kome prej ditësh dhe familjes së tij i ishte dhënë leje speciale për ta vizituar në pavijonin burg të spitalit të Parmës. Djali më i madh i Riinës, Giovani, gjithashtu është në burg dhe po vuan dënim me burgim të përjetshëm.
Riina u shpall fajtor si urdhëruesi i një serie vrasjesh dhe sulmesh me bomba në Romë, Milano dhe Firence në vitin 1993.
Një vit më herët dy gjykatës antimafia, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, u vranë në luftën e Riinës kundër shtetit dhe sipas analistëve ishin pikërisht këto dy vrasje që shënuan fundin e bosit dhe perandorisë së tij mafioze.

Komente