Qeveria greke ka paralajmëruar se po shqyrton dhënien me koncesion të një parcele detare në detin Jon, që të kryhen kërkime për hidrokarbure.
Siç tha ministri i energjisë, Jorgos Stathakis, bëhet fjalë për parcelën me numër 2, që ndodhet në perëndim të ishullit të Korfuzit dhe kufizohet me ujërat e Italisë.
Ministri sqaroi se kontrata në fjalë do të nënshkruhet me konsorcimumin e krijuar nga Greek Petroleum-Total dhe Edison, dhe se kjo do të bëhet pas miratimit nga gjykata e Auditit.
Ministri e bëri këtë njoftim gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve për koncensionin e tri zonave tokësore, në Peloponezin veriperëndimor, në Etoloakarnani, dhe në segmentin Artë-Prevezë.
Presidenti i kompanisë Energena, që është një nga fitueset e tenderit, tha se “kemi besim në ekzistencën e hidrokarbureve në këto zona, pasi vitet e fundit u bënë zbulime në zona të ngjashme në Shqipëri dhe Itali”.
Ministri grek i energjisë, tha se nënshkrimi i këtyre kontratave, si dhe i asaj për detin Jon më vonë, përbëjnë një votë besimi për ekonominë greke dhe një çertifikim të interesit ndërkombëtar për vendburimet e naftës e të gazit në Greqi.
Tenderi për zona të ndryshme që besohet se kanë hidrokarbure, është një histori e zgjatur në vite, që ka kaluar nëpër disa qeveri greke dhe prandaj qeveria aktuale shprehet e kënaqur për zhbllokimin e ngërçit.
Pjesë e këtij ngërçi është dhe pakti detar midis Tiranës dhe Athinës, i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Përpjekjet e deritanishme, sidomos të Athinës për ta vënë në zbatim atë pakt kanë dështuar.
Pavarësisht deklaratave politike, analistët kanë theksuar që për sa kohë vazhdon kontesti për këtë pakt, asnjë kompani e huaj nuk do të merrte mundimin të përgjigjej në një tender për zonën e diskutueshme, që mban numrin 1 në hartën përkatëse greke.