Infermierja duhet të kërkojë leje tek Ministri që të martohet

Periudha e fushatës zgjedhore ka penalizuar disa nga punonjësit shtetëror të cilët nuk lejohen të marrin leje nga puna edhe pse ju takon me ligj për raste specifike siç është ai i martesës. Një rast i tillë ka qënë ai i një infermiereje e cila nuk po arrin dot të marrë disa ditë leje për ceremoninë martesore që do të mbajë. “Martohem këtë javë. Më takon 5 ditë leje, po drejtoresha nuk e firmos se thotë ka dhënë urdhër ministri”, tregon Lumturie Hasa për Top Channel.

Rasti i Lumturisë, e cila punon infermiere, nuk është i vetmi. Punonjësve të administratës u është dashur të ndërpresin pushimet apo t’i shtyjnë ato pasi ministrat në qeveri, të ardhur pas marrëveshjes politike kanë pezulluar lejet për çdo punonjës të administratës deri në datën 30 qershor.

“Në fakt i takon me Kod Pune, por në këto moment është i pamundur të realizohet për shkak të urdhrit të Ministrit. U konsultova me juristen e qendrës për këtë rast  dhe është e pamundur”, shpjegon Brunilda Shiroka, drejtoreshë e Qendrës Shëndetësore Nr 3. Juristët vlerësojnë se urdhrat për lejet e zakonshme nuk janë legjitime, pasi asnjë akt ligjor nuk i jep të drejtë ministrit në lidhje me pushimet vjetore. Bazuar në dispozitat ligjore që rregullojnë shërbimin civil, ministri është epror vetëm për drejtuesit e lartë në ministri dhe jo për titullarët  e institucioneve në varësi. Lejet vjetore për nëpunësit civil jepen nga Sekretari i Përgjithshëm dhe nga njësia e burimeve njerëzore. Për këtë juristët vlerësojnë se ministrat teknike kanë tejkaluar kompetencat.

Nxitur jo aq nga pjesëmarrja në fushatë sesa nga ofertat më të lira për pushime në qershor, ky urdhër duket se megjithatë nuk ka penguar shumë nga punonjësit e administratës të gjejnë rrugë të tjera ligjore për të munguar në punë. Burime për Top Channel thonë se punonjësit janë duke marrë raporte mjekësore.

Komente