Tahiri përplaset me Ramën

Partia Socialiste zhvilloi sot mbledhjen e grupit parlamentar gjatë të cilës ka pasur debate të nxehta edhe mes socialistëve.

Gjatë mbledhjes Edi Rama është përplasur me ish-ministrin Tahiri në lidhje me organet dhe punonjësit e Vettingut.

Rama: Më vjen keq që është hapur një debat për Vettingun, ky debat lidh vettingun me numrin e punonjësve.

Ne e dimë shumë mirë se nuk është çështje numri punonjësish, por është çështje ristrukturimi, ne nuk do të kursejmë asnjë burim që qeveria ka, por do bëjmë gjithçka që është e nevojshme, ama asnjë tejkalim i kotë dhe abuziv nuk mund të pranohet.

Të enjten jemi të gatshëm të japim të gjitha përgjigjet e nevojshme, ia vlen t’i paralajmërojmë kolegët tanë sepse rrezikojnë të dalin qesharakë përballë argumenteve që do përballen ditën e enjte.

Asnjë institucion të mos bjerë në formën e tepsisë për të akomoduar njerëz, nuk them se ky është rasti, por në rastin konkret është respektuar principi i reformës dhe të gjithë duhet ta dinë që pagat në këtë institucion janë ekstra”, ka thënë kryeministri Rama.

Ndërkohë, pas kësaj deklarate ka ndërhyrë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili është shprehur kundër, duke kërkuar që numri i punonjësve të mos reduktohet në mënyrë që më pas të mos ketë justifikime nëse nuk kryhet detyra e ngarkuar ashtu siç duhet lidhur me çështjen e Vettingut.

Tahiri: Neve nuk na shërben qasja e kontabilisti dhe as nuk duhet parë për çështjen e Vettingut. Kemi marrë një zotim dhe duhet ta çojmë deri në fund. E them këtë sepse dy institucionet aty thanë që ne nuk bëjmë dot detyrën me këtë buxhet.

Po nesër ça do na thonë? Mbase duhet parë me pak fleksibilitet, ne duhet t’i heqim çdo justifikim atyre njerëzve që do na thonë s’e bëmë detyrën sepse ju nuk na dhatë lekët. Të paktën nga ana e mbështetjes buxhetore të kemi mundësi të kërkojmë llogari për atë që bëjmë.

Komente