Të gjithë kërkojnë të dinë me saktësi se çfarë përmban memorandumi i mirëkuptimit, të cilin Irani dhe SHBA-ja e nënshkruan dje nga distanca (Trump e firmosi në Versajë, si i ftuar i Emmanuel Macron) dhe që tashmë ka hyrë në fuqi. Megjithatë, përtej çdo detaji, Rony Hamaui, profesor i Shkencave Bankare në Universitetin Katolik të Milanos dhe ekspert i ekonomisë dhe financave islame, shpjegon se bërthama e marrëveshjes mbetet po ajo: një fitore e pastër e iranianëve.
Ata do të jenë në gjendje të kontrollojnë Ngushticën e Hormuzit falë një pakti që nuk përbën një marrëveshje të vërtetë paqeje, por thjesht një zgjatje të armëpushimit, gjë që do ta zhysë rajonin në një kaos politik nga i cili do të jetë e vështirë të dalë.
Kjo situatë i ngjan një lloj lufte të ftohtë, në të cilën amerikanët, tashmë pa asnjë kartë në dorë për të luajtur, rrezikojnë të shohin një zbehje të mëtejshme të ndikimit të tyre në Lindjen e Mesme.
Atje, vendet e Gjirit po rishikojnë madje edhe praninë e bazave ushtarake amerikane në territoret e tyre. Me pak fjalë, po shkojmë drejt një rajoni ku Teherani dhe regjimi i tij do të bëhen gjithnjë e më imponues, të ndihmuar edhe nga zhbllokimi i fondeve jashtë vendit dhe lehtësimi i sanksioneve. E gjitha kjo po ndodh pa ofruar asnjë zgjidhje reale për problemet që shkaktuan luftën.
Zërat për pikat e memorandumit Iran-SHBA po shtohen me shpejtësi. Një draft i publikuar nga Bloomberg dhe Al Arabiya u vu në dyshim nga iranianët, të cilët e konsiderojnë atë të pasaktë. Më pas erdhi lajmi për nënshkrimin dixhital. Çfarë ka të sigurt në këtë memorandum deri më tani?
Disa aspekte mbeten ende të paqarta dhe ka disa të tjera për të cilat dimë diçka: armëpushimi, hapja e Ngushticës së Hormuzit për të paktën 60 ditë, si dhe një deklaratë qëllimi – ndonëse me peshë të vogël juridike – mbi çështjen bërthamore, pasurimin e uranit dhe zotimin se nuk do të ndërtohet bomba atomike.
Sipas disa versioneve, ekziston edhe një fond i financuar nga privatët prej 300 miliardë eurosh që mund të përdoret për rindërtimin e Iranit. A është ky një propozim i besueshëm?
Këto janë deklaratat e zakonshme bombastike të Trump. Çështja e fondeve për rindërtim është një premtim i bukur, por unë e shoh si shumë të vështirë për t’u realizuar. Flitet për kompani që janë gati të nisin punën në Iran, por këtu jemi në sferën e fantashkencës.
Deri të premten nuk ia vlen të vrasim mendjen se çfarë përmban saktësisht memorandumi. Është më mirë të presim tekstin e shkruar, duke pasur parasysh se, në çdo rast, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë gjatë 60 ditëve të ardhshme.
Megjithatë, Trump sapo ka deklaruar se, nëse marrëveshja përfundimtare nuk do t’i pëlqejë, do t’u rikthehet bombardimeve. A është gjithnjë aty pranë hija e luftës?
Jemi në një gjendje pezullie, në një situatë që është më e keqe se ajo fillestare. Iranianët kanë ndërgjegjësuar plotësisht rëndësinë e Ngushticës së Hormuzit, zotërojnë uranin e pasuruar që nuk do t’u merret dhe do të kenë në duar shumë para, pasi, përveç 20 miliardëve që do t’u zhbllokohen, do të përfitojnë edhe nga shfuqizimi i sanksioneve.
E vërteta është se kjo histori ka përfunduar shumë keq. Nuk do të arrihet një paqe e vërtetë, por do të ketë vetëm një luftë të pezulluar.
Me çfarë pasojash? Nëse arrihet heqja e sanksioneve ose një reduktim i ndjeshëm i tyre, a mund të shndërrohet Irani në një fuqi dominuese në rajon?
Do të jetë shumë më i fuqishëm, sepse do të mund të eksportojë lirisht naftën e tij dhe do të ketë hapësirë për të bërë shumë gjëra të tjera. Më duket e vështirë të bëhet një fuqi absolute me një regjim të tillë.
Gjithsesi, do të jetë një prani shumë më imponuese se sa sot dhe shumë vende arabe do të përpiqen të gjejnë një formë kompromisi. Omani e ka hedhur tashmë këtë hap dhe nuk do të jetë i fundit. Tek e fundit, të gjithë rreshtohen në krah të fituesit.
Pra, edhe vendet e tjera të Gjirit, për t’u siguruar që nuk do të bombardohen në rast të një lufte tjetër, do të priren të bëjnë marrëveshje me Iranin?
Me siguri që do ta shohin me më shumë armiqësi praninë e bazave amerikane në territoret e tyre. Unë nuk jam shumë optimist për këtë marrëveshje; nuk arrij t’i shoh asnjë anë pozitive, përveç faktit që nuk po shtihet me armë. Do të jetë një situatë armëpushimi të përhershëm, por nuk mund të besoj se do të arrihet një paqe e qëndrueshme.
Kjo nënkupton se mjafton incidenti i duhur për t’u rikthyer te konflikti?
Nisur nga përvoja e këtyre muajve, askush nuk do të dëshirojë t’i rikthehet luftës së mëparshme. Më shumë parashikoj një “mini-luftë të ftohtë lokale”. Nuk mendoj se gjatë këtyre 60 ditëve palët do të arrijnë të merren vesh më shumë nga sa është shkruar në memorandumin që, për momentin, rezulton i nënshkruar në formë dixhitale.
Të gjithë e dinë se kjo është thjesht një formë e zgjatjes së armëpushimit, me të vetmin ndryshim: lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit për 60 ditë.
Në momentin që iranianët do të vendosnin tarifa kalimi (të cilat mbase mund t’i emërtojnë si “tarifa shërbimi”), a mendoni se do të ndërhynin amerikanët?
Amerikanët i kanë djegur të gjitha kartat që mund të luanin. Është pak a shumë si t’ia kenë dorëzuar Gjirin Persik iranianëve. Nëse do të ketë një taksë kalimi, të vogël apo të madhe, kjo nuk bën ndonjë diferencë të madhe. Kontrolli iranian mbi Ngushticën është tashmë një fakt i kryer./ Përshtati “Pamfleti”, nga “Il Sussidiario”

