Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00, bregdeti i Palasës u shndërrua në një set xhirimi që do t’ia kishte zili edhe reperi Stresi. Një jaht me “investitorë strategjikë”, që normalisht ndërtojnë kulla, drejtojnë kompani transnacionale dhe takohen me ndërkombëtarë për biznese të mëdha, vendosi t’i shtonte pak adrenalinë natës së nxehtë të rivierës. Dhe ç’mënyrë më fine se të gjuash me kallash në ajër, si kauboj i detit, dhe pastaj të arratisesh me drita të fikura, si adoleshent që i tregon shokëve sa “cool” është?
Gjithçka nisi kur Policia mori njoftim se nga një mjet lundrues po qëllohej me armë zjarri. Menjëherë, forcat e Policisë Kufitare, Delta Force, FNSH dhe Njësia Detare u vunë në ndjekje. Jahti, i mbushur me “elitën” e biznesit, iku me shpejtësi drejt Himarës. Natyrisht, dy prej tyre, në një moment të ndritur gjenialiteti, u përpoqën të arratiseshin me gomone drejt bregut, por kur panë uniformat blu, u kthyen mbrapsht si fëmijët që kapen mat duke vjedhur reçel. Më pas, jahti fiku dritat dhe vijoi lëvizjen në errësirë; një taktikë arratisjeje që e kemi parë dhjetëra herë në filmat aksion, por që duket se u dukej origjinale.
Pas rreth dy orësh ndjekje detare e tokësore, jahti u ndalua dhe u shoqërua në Porto Palermo. Në bord ndodheshin katër “të rinj me eksperiencë jetësore”: B.Ç., 31 vjeç; L.H., 31 vjeç; A.K., 49 vjeç; dhe P.Gj., 60 vjeç. Po, keni lexuar mirë, 60 vjeç. Mosha kur shumica pinë kafe në shesh e luajnë domino, jo kur qëllojnë me armë nga jahti dhe bëjnë gara shpejtësie me policinë. Këta janë investitorët tanë strategjikë, ata që i shohim në foton e konferencave, me kostume të qepura me porosi e buzëqeshje të studiuara. Të njëjtët që, ja, në një mbrëmje vere, vendosën t’i tregonin botës se brenda tyre rreh zemra e një adoleshenti që do t’u lërë mbresa vajzave të klasës.
Në jaht ndodheshin edhe dy persona të tjerë të shoqëruar: A.Gj., ish-punonjës policie e tani sipërmarrës i njohur turistik, dhe A.M., shtetas shqiptaro-amerikan. Të dy, siç thonë burimet, ndodheshin në bord në momentin e të shtënave, por ende nuk dihet roli i secilit. Hetimet vijojnë, por arma nuk u gjet. Me sa duket, ajo u zhduk si me magji, bashkë me seriozitetin që duhet të karakterizonte njerëz që “takohen me ndërkombëtarë”.
Ironia e kësaj ngjarjeje nuk qëndron vetëm te të shtënat, por te kontrasti absurd mes imazhit publik dhe realitetit kaotik. Një ditë i sheh në gazeta duke firmosur marrëveshje miliona eurosh, të nesërmen i sheh të ikin me gomone nga policia. Një orë më parë mund të kenë diskutuar për investime strategjike, një orë më vonë luajnë “hide and seek” detar me forcat speciale. Ky është një realitet që të bën të qeshësh, por edhe të mendosh. Sepse këta nuk janë disa të rinj të papjekur që s’dinë ç’bëjnë, janë burra në moshë që sillen si personazhe të një videoklipi gangsta-rap, ku mungesa e armës së zjarrit në fund e kthen gjithçka në një farsë të pastër.
E mbyllim me një copëz të përjetshme, që i shkon kësaj skene si një epitaf i hidhur:
…si ajo marrja e t’gjith njerzisë…
tuj u shite ju për gjithë treg,
sod na mbahi “Skandërbeg”,
e ngërdhucë, goditë, limue,
rrue, qethë, pipirique,
tash n’“smoking”, tash në “bon-jour”
ju, qi dje s’kishit as ushkuer
me lidhë brekët me nder me thanë
m’sahan t’huej gjithmonë me ngranë,
rrugën krejt na e keni zanë,
ke na shkoni pash e m’pash,
edhe besa me “gulash”
me “afishe” e me “sultjash”,
me “kjumshtuer” e me “ashurè”,
“kosha gjelash” si kubure.
Tingëllon e njohur, apo jo?/Pamfleti

