I emëruar në krye të Portit të Durrësit nga dyshja Vlora Hyseni dhe Baton Haxhiu, Liburn Aliu kontaktoi brenda një jave me Vlorën, Ilir Prodën dhe Ergys Agasin; por bisedat nuk ishin për luftën kundër krimit, por për të lejuar kalimin e lirë të trafiqeve e kontrabandës. Në përgjimet e BKH-së, 10 muaj biseda për kompani e individë me dosje, që duheshin favorizuar nga porti.
Në dosjen “Hyseni-Agasi” ka edhe personazhe me funksione drejtuese në agjencitë dhe shërbimet e sektorëve strategjikë, të cilët kanë qenë të përfshirë aktivisht në veprimtaritë e paligjshme kundër interesave të shtetit e në favor të grupeve kriminale.
Liburn Aliu, ish-ministër i Infrastrukturës në Qeverinë “Kurti 2”, ishte përzgjedhje dhe rekrutim i Vlora Hysenit dhe Baton Haxhiut, për ta katapultuar në krye të Portit Detar të Durrësit, si garanci e vazhdimësisë së aferave korruptive dhe lehtësive për trafiqet dhe kontrabandën.
Sipas të dhënave të dosjes hetimore, rezulton se drejtori Liburn Aliu, në fillim të muajit nëntor 2025, vetëm 1 javë pas emërimit në krye të Portit Detar të Durrësit, ka nisur kontaktet telefonike dhe fizike me ish-Drejtoren e SHISH-it, Vlora Hyseni, me ish-Drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe me “Koordinatorin” Ergys Agasi.
Zyrtarisht, drejtori i Portit Detar të Durrësit ka detyrim të kontaktojë dhe bashkëpunojë me drejtuesin e SHISH-it dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, për të bashkërenduar luftën kundër veprimtarisë së grupeve të trafiqeve, kontrabandës e sigurisë kombëtare.Por të dhënat që kanë dalë nga përgjimet telefonike dhe gjurmimet ambientale në Durrës e Tiranë zbulojnë se, në të shumtën e rasteve, kryespiunia Vlora Hyseni, “koordinatori” Ergys Agasi dhe kryepolici Ilir Proda nuk kanë biseduar me drejtorin e Portit Detar të Durrësit, Liburn Aliu, për çështje të luftës kundër krimit.
Objekt i bisedave të tyre ka qenë hapja e dyerve të Portit Detar në hyrje e dalje, për trafiqet e drogës dhe kontrabandës, duke u krijuar lehtësi kalimi e veprimi, nëpërmjet shërbimeve të kontrollit e sigurisë, që janë struktura në vartësi të drejtorit të Portit Detar.
Në biseda janë përmendur emra biznesmenësh e individësh “problematikë”, të rekomanduar dhe dakordësuar, për t’u lejuar të kalojnë lirisht pa kontroll në Portin e Durrësit.
Por ka dhe filmime e fotografime për takime me disa prej tyre, tashmë të skeduar dhe penalizuar nga SPAK e Prokuroria e Durrësit, por dhe nga Policia e Durrësit, por që SHISH-i e policia nuk i kanë regjistruar.
Edhe nëse nuk do të kishin biseda e takime për luftën kundër krimit; sipas ligjit, drejtori i Portit Detar të Durrësit ka detyrim të kontaktojë dhe bashkëpunojë me drejtuesin e SHISH-it dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë.
Por pyetja që shtrohet është kjo: Mbi ç’bazë ligjore Drejtori i Portit Detar të Durrësit ka kontaktuar për çështje konfidenciale të aktivitetit në Portin Detar me Ergys Agasin, që nuk ka asnjë funksion shtetëror e asnjë tagër për informacione mbi veprimtarinë brenda Portit?
Në materialet hetimore të BKH-së, mes drejtorit Liburn Aliu dhe dyshes Hyseni-Proda, ka biseda të zhvilluara gjatë 10 muajve, nëntor 2025 – gusht 2026, për veprime që janë në shërbim të krimit.
Ka biseda mes Ergys Agasit dhe drejtorit të Portit Detar të Durrësit, Liburn Aliu, për kompani e individë me dosje për veprimtari të paligjshme, që duheshin favorizuar nga shërbimet administrative, të kontrollit e sigurisë në vartësi të portit./Pamfleti
