Udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të largohen përfundimisht nga Lindja e Mesme, pas atyre që ai i përshkroi si “goditje të rënda” në Ngushticën e Hormuzit, sipas një deklarate të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian.
“Sot, pasi pësuan goditje të rënda nga luftëtarët trima dhe mbrojtësit e Ngushticës së Hormuzit, armiqtë nuk guxojnë më të avancojnë përtej Detit Arabik”, tha Khamenei, pa përmendur drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara.
Khamenei nuk është shfaqur publikisht që kur pasoi të atin në mars. “Sa herë që e kanë marrë këtë rrezik, e vetmja gjë që kanë arritur është të dëmtojnë veten. Nuk është e largët dita kur edhe Deti Arabik do të çlirohet nga prania e tyre”, shtoi ai.
Anijet që lundrojnë drejt brigjeve iraniane dhe Ngushticës së Hormuzit kalojnë përmes Detit Arabik, i cili shtrihet mes Gadishullit Arabik dhe Indisë.
Që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë pretenduar kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve detare me rëndësi strategjike për transportin ndërkombëtar të energjisë.
Teherani mbylli Ngushticën e Hormuzit pas shpërthimit të luftës më 28 shkurt, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara u përgjigjën duke vendosur bllokadë ndaj porteve iraniane.
