Një tablo e rëndë mbi mënyrën se si janë administruar paratë publike, investimet, tenderët dhe financimet në fushën e kulturës del nga raporti përfundimtar i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe strukturat pasuese.
Raporti prek një periudhë disa-vjeçare (2022-2025), teksa përgjegjësia më e madhe shkon te Blendi Gonxhe, i cili drejton prej dy vitesh atë dikaster dhe nuk e ka vënë ujin në zjarr.
Bilanci financiar është ndër pjesët më të forta të auditimit. KLSH llogarit 62,285,028 lekë dëm ekonomik nga zbatimi i kontratave të audituara, ndërsa veçmas evidenton 54,943,274.5 lekë efekte negative në administrimin e fondeve publike që lidhen me vendime gjyqësore për ish-punonjës, shpronësime, detyrime të tjera dhe kostot përkatëse.
Por problemet e konstatuara nuk kufizohen te shifrat. Audituesit flasin për mangësi që nisin që në planifikimin e buxhetit, vazhdojnë te tenderët dhe përzgjedhja e fituesve dhe përfundojnë te mënyra se si janë mbikëqyrur e paguar punimet.
Vetë opinioni për auditimin e përputhshmërisë është i kualifikuar. KLSH shpjegon se anomalitë apo mospërputhjet e konstatuara janë materiale, ndonëse jo të përhapura në atë masë sa të çonin në një opinion më të rëndë.
Edhe për pasqyrat financiare të vitit 2024 raporti evidenton probleme. Bashkimi institucional i pjesës së Ekonomisë nga ish-Ministria e Financave dhe Ekonomisë me Ministrinë e Kulturës nuk ishte reflektuar plotësisht në pasqyrat financiare. KLSH evidenton mungesë të regjistrimit të disa aktiveve dhe pasaktësi në klasifikimin e llogarive.
Pra, auditimi nuk përshkruan vetëm gabime teknike të izoluara, por dobësi në disa hallka të menaxhimit financiar dhe kontrollit.
62.3 milionë lekë dëm ekonomik nga kontratat
Gjetja më e rëndë financiarisht është ajo mbi kontratat e punimeve. KLSH thotë se gjatë auditimit janë konstatuar mungesë dokumentacioni, mospërputhje teknike ndërmjet projekteve dhe realitetit në terren, analiza jo të plota çmimesh, ndryshime të paargumentuara në projekt-preventiv, mangësi në raportim, mbikëqyrje dhe monitorim, si edhe diferenca ndërmjet specifikimeve teknike dhe punimeve të realizuara. Përfundimi financiar i audituesve është: 62,285,028 lekë dëm ekonomik.
KLSH kërkon që ministria të ndjekë rrugën administrative dhe ligjore, përfshirë shkallët e gjykimit, për shpërblimin e këtij dëmi.
Mozaiku i Tiranës: pagesa për volume që KLSH thotë se nuk rezultojnë të kryera
Një nga rastet konkrete është kontrata për “Ndërhyrje restauruese në Mozaikun e Tiranës, ndërtim godine”, me vlerë 179,259,167 lekë me TVSH. Nga krahasimi i volumeve të situacionuara dhe likuiduara me ato të kryera faktikisht, KLSH konstaton një diferencë që ka shkaktuar, sipas auditimit, 760,949 lekë dëm ekonomik pa TVSH.
Pra, audituesit nuk janë ndalur vetëm te dokumentet e tenderit, por kanë krahasuar edhe atë që është faturuar e paguar me punimet e konstatuara.
Salla e Universitetit të Arteve: 1.88 milionë lekë për punime të pakryera
Edhe më e fortë është gjetja për restaurimin, rikonstruksionin dhe rinovimin e sallës së koncerteve në Universitetin e Arteve. Kontrata kishte një vlerë prej 482,798,847 lekësh me TVSH. KLSH thotë se krahasimi i volumeve të situacionuara dhe të likuiduara me ato të realizuara faktikisht nxori diferenca në tetë zëra punimesh, duke shkaktuar 1,884,625 lekë dëm ekonomik pa TVSH.
Në rekomandimin përkatës, formulimi bëhet edhe më i drejtpërdrejtë: KLSH kërkon arkëtimin e 1,884,625 lekëve, duke e cilësuar shumën si të likuiduar për “punime të pa kryera në fakt”.
Për të njëjtën kontratë del edhe një tjetër problem financiar. Audituesit kërkojnë arkëtimin e 4,911,441 lekëve, si diferencë penaliteti e paaplikuar për shkak të përllogaritjes së gabuar të ditëve të vonesës.
Ura e Matit: KLSH gjen afro 6 milionë lekë dëm
Një tjetër rast është ndërhyrja emergjente në monumentin e kulturës “Ura e Matit”. Kontrata e lidhur në fund të vitit 2023 kishte vlerën 55,991,574 lekë me TVSH.
Kontrolli fizik dhe dokumentar i volumeve nxori, sipas KLSH-së, diferenca në katër zëra punimesh, me pasojë 5,986,400 lekë dëm ekonomik pa TVSH.
16.4 milionë lekë pagesë tepër për qendrën e fëmijëve
Raporti përmban edhe një shifër shumë më të madhe për projektin e ndërtimit të një qendre të re multifunksionale për edukimin artistik të fëmijëve pranë Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave.
KLSH kërkon që Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve të ndërmarrë procedurat administrative dhe ligjore për arkëtimin e 16,415,922 lekëve me TVSH, të cilat audituesit i përcaktojnë si pagesë të kryer tepër në një situacion punimesh.
Këto nuk janë, pra, vetëm kritika për burokraci apo formularë të paplotësuar. Në disa prej kontratave, raporti identifikon shuma konkrete që, sipas KLSH-së, duhet të rikuperohen.
Tenderët: kritere që kufizonin konkurrencën
Një tjetër kapitull kritik lidhet me prokurimet. KLSH ka konstatuar në tri procedura parregullsi në hartimin e dokumenteve të tenderit dhe kriteret e veçanta të kualifikimit.
Bëhet fjalë për Mozaikun e Tiranës, qendrën multifunksionale pranë Teatrit të Kukullave dhe ndërhyrjen në Urën e Matit.
Sipas audituesve, janë vendosur kërkesa për kapacitete të paargumentuara teknikisht dhe pa lidhje të drejtpërdrejtë me realizimin e kontratave, profile profesionale dhe eksperiencë pa analizuar domosdoshmërinë e tyre, si edhe numër minimal punonjësish teknikë pa bazë në preventiv apo grafikun e punimeve.
Përfundimi i KLSH-së është veçanërisht kritik: disa kritere tejkalonin dokumentet standarde dhe “kufizojnë konkurrencën, duke cenuar parimet e barazisë dhe garantimit të konkurrencës”.
Fitues që nuk plotësonin kriteret
Problemi nuk mbaron te hartimi i tenderëve. KLSH konstaton raste kur operatorët ekonomikë të shpallur fitues nuk përmbushnin kriteret e përcaktuara nga vetë procedura.
Mangësitë e evidentuara lidhen me kapacitetin ekonomik e financiar, përvojën e mëparshme, licencat, eksperiencën në pasuri kulturore, dokumentacionin për detyrimet tatimore dhe përputhshmërinë e objektit të veprimtarisë me kontratën.
Në përmbledhjen e raportit, KLSH evidenton 4 raste të kualifikimit të operatorëve fitues në kushtet e mospërmbushjes së kritereve të veçanta dhe/ose të përgjithshme.
Kjo është një prej pikave që ngre pikëpyetjet më serioze mbi filtrat e përdorur për paratë publike: si u shpallën fitues operatorë që, sipas auditimit shtetëror, nuk plotësonin kushtet e tenderit?
Projekte qindra milionëshe të çelura pa kaluar ciklin e miratimit
Edhe planifikimi i investimeve del problematik.
KLSH evidenton:
7 projekte investimi në vitin 2024, me vlerë rreth 339.2 milionë lekë;
2 projekte në vitin 2023, me vlerë 153.43 milionë lekë;
2 projekte në vitin 2022, me vlerë 101.1 milionë lekë,
të çelura pa kaluar procedurat e ciklit të miratimit të investimeve publike.
Audituesit kanë konstatuar gjithashtu projekte investimi që tejkalonin planifikimin e Programit Buxhetor Afatmesëm.
Vetëm vlerat e listuara nga KLSH për këto 11 projekte arrijnë në rreth 593.7 milionë lekë.
KLSH i kërkon strukturës së buxhetit eliminimin e praktikës së çeljes së projekteve të reja pa kaluar procedurat e menaxhimit të investimeve publike, pikërisht për të garantuar disiplinën buxhetore.
405 pagesa jashtë afatit
Raporti evidenton një tjetër tregues të dobësisë në administrimin financiar.
Nga 961 urdhër-shpenzime të verifikuara për vitin 2024, në 405 raste nuk ishte respektuar afati 30-ditor për likuidimin e faturave.
KLSH e konsideron këtë shkelje të disiplinës buxhetore dhe paralajmëron se vonesat mund të gjenerojnë penalitete.
Me fjalë të tjera, më shumë se katër në çdo dhjetë urdhër-shpenzime të kontrolluara për atë vit rezultojnë të lidhura me pagesa jashtë afatit. 526 milionë lekë në vendime gjyqësore, 16.3 milionë vetëm për përmbaruesit
Një kapitull më vete janë proceset gjyqësore.
Sipas KLSH-së, ish-MEKI ka ekzekutuar 19 vendime gjyqësore me vlerë totale 526,006,386 lekë.
Ato ndahen në:
9 vendime për ish-punonjës, me vlerë 40,735,705.5 lekë;
7 vendime për shpronësime, me vlerë 476,963,395 lekë;
3 vendime për detyrime të tjera, me vlerë 8,307,286 lekë.
Por problemi i evidentuar nga kontrollorët është se vendimet nuk janë ekzekutuar vullnetarisht pas marrjes së formës së prerë. Ekzekutimi është bërë nëpërmjet përmbaruesve privatë.
Fatura vetëm për tarifat përmbarimore arriti në 16,311,497 lekë. KLSH thotë se kjo mënyrë veprimi ishte në kundërshtim me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Civile.
Në dokument thuhet madje se për periudhën e shqyrtuar nuk ishte ndërmarrë masë për marrëveshje mes palëve për likuidim vullnetar apo bashkëpunim me Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror.
Fondet e kulturës: dokumente të paplota dhe vendimmarrje pa gjurmë të plotë
Një nga pjesët më problematike të raportit prek vetë mënyrën e shpërndarjes së parave për artin dhe kulturën.
KLSH konstaton se nuk janë nxjerrë të gjitha aktet nënligjore dhe rregulloret e nevojshme për zbatimin e plotë të kuadrit ligjor.
Sipas raportit, mungojnë rregulla të qarta për procedurat e financimit, ndarjen e përgjegjësive, gjurmën e auditimit, kontrollet dhe administrimin e dokumentacionit.
Dhe kjo nuk është një mangësi e lindur dje. KLSH arrin në përfundimin se për një periudhë 15-vjeçare nga miratimi i ligjit për artin dhe kulturën në vitin 2010, nuk janë krijuar mekanizmat e domosdoshëm për një sistem kontrolli të brendshëm që të siguronte mirëmenaxhimin e fondeve të artit, kulturës dhe trashëgimisë.
Dosje pa firma, pa anekse dhe shtyrje kontratash pa kontrata të ndryshuara
Kontrolli i dosjeve zbulon sesi kjo mungesë rregullash është materializuar në praktikë. Vetëm për kampionin e vitit 2022, nga 29 praktika projektesh me thirrje, KLSH evidentoi ndër të tjera:
në 2 raste mungonte formulari i aktiviteteve;
në 16 raste anekset nuk ishin nënshkruar nga aplikanti;
në 10 raste ishte kërkuar shtyrje afati;
në 4 prej këtyre kërkesave mungonte data dhe numri i protokollit;
në 3 raste kërkesa për shtyrje ishte bërë pasi kontrata kishte përfunduar;
në asnjë prej 10 rasteve nuk ishte nënshkruar amendim kontrate.
KLSH evidenton gjithashtu financime deri në 100% të vlerës së projektit, pa kritere të formalizuara dhe pa një evidencë të gjurmueshme që të shpjegonte arsyetimin e vendimmarrjes.
963 mijë lekë shpenzime të pajustifikuara ose joeficiente
Nga shqyrtimi i 50 dosjeve projektesh, me vlerë totale 97,318,200 lekë, KLSH gjeti se në tre raste përfituesve u ishin likuiduar gjithsej 602,944 lekë më shumë sesa justifikohej nga dokumentet e pagesave të dorëzuara.
Së bashku me dietat dhe pagesat e tjera të pajustifikuara, raporti e çon vlerën në 963,944 lekë, të cilën e konsideron përdorim të fondeve publike pa ekonomicitet, pa efektivitet dhe pa eficiencë.
Financime për individë në kundërshtim me ligjin
KLSH ngre një tjetër problem mbi financimin e individëve për projekte kulturore. Audituesit konstatojnë se financimi është kryer në kundërshtim me kriterin ligjor që kërkon që personi fizik ose juridik të ketë në objektin e veprimtarisë së tij artin dhe kulturën.
Në rastet e kontrolluara, sipas raportit, mungonte dokumentacioni që provonte lidhjen e veprimtarisë së përfituesve me artin dhe kulturën, duke e bërë të pamundur verifikimin e plotë të kriterit ligjor.
KLSH kërkon rishikimin e procedurave të financimit dhe qartësimin e kritereve për aplikuesit dhe përfituesit.
Strategjia e kulturës: pa monitorim dhe pa strategji pasuese
Audituesit konkludojnë gjithashtu se ministria përgjegjëse për kulturën nuk ka zbatuar në mënyrë efektive dokumentin strategjik për artin dhe kulturën. Këtu hyn dhe përgjegjësia e Blendi Gonxhes.
Nuk ishin ngritur mekanizma të posaçëm monitorimi dhe raportimi dhe, pas përfundimit të periudhës së dokumentit ekzistues, nuk ishte hartuar strategjia e re.
Në të njëjtën kohë, procedurat e vlerësimit dhe financimit të projekteve karakterizoheshin, sipas KLSH-së, nga mungesë kriteresh të standardizuara, financime të paformalizuara dhe dokumentacion i pamjaftueshëm.
Për katër vjet asnjë takim i dokumentuar i grupit strategjik
Një tjetër konstatim godet mekanizmat e brendshëm të drejtimit.
Për vitet 2022, 2023, 2024 dhe 2025, KLSH thotë se nuk evidentohet asnjë takim i dokumentuar i Grupit të Menaxhimit Strategjik për bashkërendimin e procesit të Programit Buxhetor Afatmesëm dhe finalizimin e buxhetit.
Kjo, sipas auditimit, është në kundërshtim me ligjin për menaxhimin financiar dhe kontrollin. KLSH kërkon që këto takime të zhvillohen dhe dokumentohen të paktën katër herë në vit.
KLSH kërkon masa disiplinore
Raporti përfundon me një rekomandim që e bën edhe më të rëndë bilancin e auditimit. Kontrolli i Lartë i Shtetit i rekomandon titullarit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve që, për të gjithë punonjësit e trajtuar me përgjegjësi dhe me shkelje në raport, të fillojë procedurat për dhënien e masave disiplinore, në varësi të performancës dhe llojit të shkeljeve.
Ky është një element i rëndësishëm: KLSH nuk kufizohet në rekomandime teknike për përmirësimin e procedurave, por kërkon edhe shqyrtimin e përgjegjësisë individuale administrative.
Nga planifikimi te pagesa, hallkat problematike shtrihen në të gjithë zinxhirin
I lexuar në tërësi, raporti nxjerr një problem më të gjerë sesa një tender apo një kontratë të vetme.
Në njërën anë janë projektet e investimit të çelura pa kaluar ciklin e miratimit dhe qindra pagesa të vonuara. Në tjetrën janë tenderët me kritere të paargumentuara dhe raste fituesish që nuk plotësonin kriteret. Më pas vijnë kontratat ku audituesit kanë identifikuar punime të paguara por të pakryera, pagesa tepër dhe penalitete të paarkëtuara.
Në kulturë, ndërkohë, KLSH gjen mungesë aktesh rregullatore, financime pa gjurmë të plotë auditimi, dosje të paplota, vendimmarrje të padokumentuar, kritere të pastandardizuara dhe mangësi në monitorimin e strategjisë.
Dhe sistemi që duhej të kapte e korrigjonte këto probleme – kontrolli dhe auditimi i brendshëm – rezulton vetë me mangësi dhe qindra rekomandime të pandjekura.
Për ministrinë që gjatë një pjese të periudhës së audituar është drejtuar nga Blendi Gonxhja, raporti i KLSH-së ngre kështu një seri çështjesh serioze për llogaridhënien mbi administrimin e parave publike. Por përgjegjësia politike apo administrative për secilën gjetje duhet lidhur me kohën kur është kryer veprimi konkret dhe me personat që KLSH ka identifikuar në raport, pasi auditimi mbulon edhe vite përpara marrjes së detyrës nga Gonxhja. /Pamfleti

