Gjatë tri ditëve të protestave, një numër i konsiderueshëm biznesesh u dëmtuan dhe u shkatërruan, ndërkohë që mbrojtja dhe reagimi i Policisë ndaj tyre ishte minimal, për të mos thënë inekzistent.
Ne ndodhemi pranë një filiali banke i cili duket që është i tillë nëpërmjet këtij bankomati të shkatërruar. Një situatë e tillë ka sjellë si rezultat ndërprerjen e shërbimeve dhe pamundësinë e përditshme të tyre për qytetarët.
“Katastrofale, pse goditet ekonomia”.
“Më përpara futeshe brenda shumë më shpejt, tani po presim radhë jashtë, shife si e kanë bllokuar. Bizneset duhet të mbrohen se ka nga ato që janë private. Duhet të ketë prezencë të shtuar të policëve.”
Për mikrofonin e Top Channel, punonjësit e sigurimit të bankave të dëmtuara shprehen se situata ka qenë edhe më problematike. Ata tregojnë se gjatë dëmtimeve të bizneseve kanë njoftuar Policinë e Shtetit, por ndihma nuk ka mbërritur. Duke mbetur me mbrojtje të vetme atë të kompanive private të sigurisë: “Kam shtypur butonin e panikut dhe nuk më erdhi asnjë, bëmë kërkesë edhe për ndihmë nga policia, s’pati prezencë të tyre. Kam ngelur vetëm për momentin. Veç më erdhën forcat tona private, por ishte thyer gjithçka.”
Dëmet e shkaktuara dhe pasiguria kanë bërë që disa biznese të marrin masa shtesë për mbrojtjen e ambienteve të tyre.
Si pasojë e mungesës së mbrojtjes në këto 3 ditë protestash, mbi 15 filiale të bankave të nivelit të dytë janë dëmtuar.
“Mbi 15 filiale bankash janë dëmtuar nga aktet e dhunës së ditëve të fundit, duke goditur hapësirat ku qytetarët marrin pagat, kryejnë transaksione dhe përmbushin detyrimet e tyre të përditshme. Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët se depozitat e tyre janë të sigurta. Sistemi ynë bankar është i shëndoshë, i mirëkapitalizuar dhe i mbikëqyrur”, tha Delina Ibrahimaj.
Në një situatë të tillë, shërbimet bankare kanë kufizuar numrin e degëve, ndërsa garantojnë sigurinë e depozitave të qytetarëve.
Por përtej garancive për kursimet, për bizneset mbetet e domosdoshme që të kenë siguri edhe në ambientet ku ushtrojnë aktivitetin e tyre. Mbrojtja e pronës private, reagimi në kohë ndaj njoftimeve për rrezik dhe një prezencë më e shtuar policore në zonat me aktivitet të lartë ekonomik janë elementë thelbësorë sipas tyre për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla.
Burimi: Kronikë
