Albpetrol, Albgaz dhe Hekurudha Shqiptare regjistruan së bashku një humbje neto prej 485.1 milionë lekësh në tremujorin e parë të vitit 2026, rreth 34% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Përkeqësimi erdhi kryesisht nga Albpetrol, humbja e së cilës pothuajse u dyfishua, ndërsa rënia e të ardhurave të tri kompanive ishte dukshëm më e shpejtë se ulja e shpenzimeve.
Sipas raportit të Ministrisë së Financave, të ardhurat e kombinuara të tri ndërmarrjeve shtetërore zbritën në rreth 772.7 milionë lekë, nga 1.36 miliardë lekë në tremujorin e parë të vitit 2025, me një rënie prej 43.3%. Shpenzimet ranë me një ritëm më të ulët, me 27.1%, nga 1.73 miliardë në rreth 1.26 miliardë lekë. Si rezultat, humbja e përbashkët u zgjerua nga 362.1 milionë në 485.1 milionë lekë.
Albpetrol dyfishon humbjen
Albpetrol mbajti pjesën dërrmuese të rezultatit negativ, me një humbje neto prej 358.4 milionë lekësh, ose rreth 74% të humbjes së përbashkët të tri kompanive.
Të ardhurat e shoqërisë ranë në 642.1 milionë lekë, nga 1.27 miliardë lekë në tremujorin e parë të vitit të kaluar, një tkurrje prej rreth 49.4%. Shpenzimet zbritën në rreth 1 miliard lekë, por rënia e tyre prej 31.6% nuk mjaftoi për të kompensuar përgjysmimin e të ardhurave. Për pasojë, humbja u rrit me 86.4%, nga 192.3 milionë lekë një vit më parë.
Problemet financiare të Albpetrol nuk kufizohen vetëm te fillimi i këtij viti. Kompania e mbylli vitin 2025 me 1.57 miliardë lekë humbje neto, nga 490.9 milionë lekë humbje në vitin 2024. Në fund të vitit të kaluar, detyrimet totale të shoqërisë kishin arritur në 18.15 miliardë lekë, rreth 1.86 miliardë lekë më shumë se në vitin 2024.
Hekurudha mbetet me humbje pavarësisht rritjes së të ardhurave
Raporti vëren se edhe Hekurudha Shqiptare regjistroi një humbje neto prej 93.9 milionë lekësh në tre muajt e parë të vitit. Rezultati negativ ishte më i ulët se humbja prej 135.9 milionë lekësh e së njëjtës periudhë të vitit 2025, por kompania vijoi të shpenzonte ndjeshëm më shumë sesa të ardhurat që gjeneronte.
Të ardhurat u rritën me rreth 40.4%, nga 91.9 milionë në 128.9 milionë lekë, ndërsa shpenzimet qëndruan në 222.8 milionë lekë. Aktiviteti i kufizuar për shkak të punimeve në rrjetin hekurudhor ka vijuar të ndikojë në aftësinë e shoqërisë për të realizuar të ardhura.
Në fund të vitit 2025, Hekurudha Shqiptare kishte regjistruar 214.7 milionë lekë humbje neto, me të ardhura prej 980.9 milionë lekësh dhe shpenzime prej rreth 1.2 miliardë lekësh. Detyrimet totale të kompanisë arritën në 11.94 miliardë lekë në fund të tremujorit të parë 2026.
Albgaz varet nga një klient i vetëm
Ndërkohë, kompania shtetërore “Albgaz” raportoi vetëm 1.6 milionë lekë të ardhura gjatë tremujorit të parë, kundrejt shpenzimeve prej 34.4 milionë lekësh. Humbja neto arriti në 32.8 milionë lekë, lehtësisht më e ulët se 34 milionë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Aktiviteti i Albgaz është i përqendruar te një klient i vetëm, Albpetrol, çka i kufizon të ardhurat dhe i krijon kompanisë vështirësi likuiditeti. Shoqëria e kishte mbyllur edhe vitin 2025 me 89.7 milionë lekë humbje, pas një rezultati negativ prej 103.4 milionë lekësh në vitin 2024.
Kapitali i Albgaz zbriti në 625.1 milionë lekë në fund të tremujorit të parë, nga 713.5 milionë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /ekofin.al

