Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Elbasanit, duke lënë të plagosur 3 persona.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në një lokal në lagjen “Banesa”, ku një person ka hapur zjarr në rrethana që ende nuk janë sqaruar plotësisht.
Dyshohet se një sherr për motive banale mes tre adoleshentëve ka degraduar në përdorimin e armës, duke lënë të plagosur tre persona.
Burime paraprake bëjnë me dije se mes të plagosurve janë kamerieri i lokalit dhe dy persona të tjerë, të cilët ndodheshin në ambientet e lokalit në momentin e të shtënave. Raportohet se, të plagosurit janë transportuar menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa ende nuk ka informacion zyrtar mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
Pas të shtënave, autori është larguar nga vendngjarja. Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në zonë, kanë rrethuar perimetrin dhe kanë nisur veprimet hetimore.
Sipas burimeve paraprake, arma e zjarrit e dyshuar se është përdorur në ngjarje është gjetur dhe sekuestruar, ndërsa grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.

