Kryeministri Edi Rama ka nisur të lëvizë teksa prej më shumë se 50 ditësh qytetarët protestojnë në rrugët e Tiranës.
Pas thirrjes së kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, që deputetët socialistë të mos largohen nga Tirana deri më 27 korrik, një tjetër lëvizje nga radhët e mazhorancës ka shtuar pikëpyetjet mbi atë që pritet të ndodhë në ditët në vijim.
Rama ka thirrur për ditën e premte një mbledhje të përbashkët të grupit parlamentar socialist dhe kabinetit qeveritar në Pallatin e Brigadave. Takimi do të nisë në orën 09:30 dhe zhvillohet vetëm një ditë pasi Kuvendi mbyll zyrtarisht sesionin parlamentar.
Nëse lidhet me porosinë e Ballës që deputetët të mos largohen nga Tirana, shtohen dyshimet se kryeministri mund të jetë duke përgatitur ndryshime në qeveri. Madje nuk përjashtohet mundësia që javën e ardhshme të thirret një seancë e jashtëzakonshme parlamentare për të votuar emra të rinj në kabinet.
“Pamfleti” e paralajmëroi më herët se në fundjavë Rama mund të shpallë ndryshimet në qeveri dhe duket se është zyrtarizuar data.
Pak ditë më parë, Taulant Balla u kishte kërkuar deputetëve të mazhorancës të qëndrojnë në gatishmëri deri më 27 korrik, pa dhënë një shpjegim zyrtar për këtë kërkesë. Brenda Partisë Socialiste është folur për mundësinë e miratimit të projektligjeve që lidhen me procesin e integrimit europian, por paralelisht kanë qarkulluar edhe zëra për një riformatim të qeverisë dhe ndryshime në poste të rëndësishme.
Në dokument pranohet se “prej javësh, në rrugët e Tiranës po shfaqet një energji qytetare që nuk mund të shpërfillet pa pasoja”, ndërsa theksohet se “shumica qeverisëse nuk duhet ta shohë këtë si një zhurmë që duhet shtypur dhe injoruar, por si një moment reflektimi për demokracinë shqiptare”.
Më tej flitet për nevojën e më shumë demokracie, më shumë përfaqësimi, më pak përqendrim të vendimmarrjes, ndarjen e partisë nga shteti, fundin e privilegjeve dhe rikthimin e meritokracisë. Dokumenti përdor edhe formulimin: “Më shumë përulësi, më pak arrogancë”, një mesazh që është interpretuar si një autokritikë për mënyrën e qeverisjes.
Edhe Taulant Balla, disa ditë më parë, kishte lënë të kuptohej se Partia Socialiste po përgatitej për një fazë reflektimi. “Edhe pak dhe do të vijë natyrshëm koha e dialogut me ata që kishin arsyet e tyre legjitime për të protestuar. Që nga shqetësimet për natyrën deri te zemërimi ndaj atyre që shpërdorojnë besimin mbi karrigen e pushtetit, dëgjimin dhe reflektimin tonë”, deklaronte ai.
Pra sipas sinjaleve, Rama të premten reformon kabinetin, për të shkuar më pas në pushime me një qeveri të re. Një lëvizje kjo nën presionin e protestave, por a do ja dalë dot t’i frenojë?

