Franca ka lëshuar fletë-arreste ndërkombëtare për tre iranianë lidhur me sulmin kibernetik të muajit tetor ndaj frigoriferëve të supermarketeve në të gjithë vendin.
Nga ana tjetër, Teherani i ka hedhur poshtë këto akuzat duke i cilësuar si të pabazuara dhe dashakeqe.
Sulmet ndaj supermarketeve franceze ndodhën gjatë natës së 11 tetorit dhe prekën sistemet e ftohjes në rreth 700 pika në të gjithë vendin.
Hakerat dyshohet se ndryshuan cilësimet e shkrirjes të frigoriferëve, duke bërë që temperatura të rritet, ushqimet të prishen dhe të shkaktohen të paktën 15 zjarre.
Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, deklaroi se hetuesit kanë hapur një hetim zyrtar ndaj Shahid Kaveh, një grup hakerash që Ministria e Jashtme e Francës e lidh me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
Hetimi synon udhëheqësin e dyshuar të grupit dhe dy zëvendësit e tij. Zyra e prokurorit ka kërkuar fletëarreste ndërkombëtare për tre personat: Hamid Reza Lashgarian, Mahdi Lashgarian dhe Reza Salarvand.
Grupet e frontit dhe provat e hetimitAutoritetet franceze identifikuan të dyshuarin kryesor, Hamid Reza Lashgarian, si kreun e Qendrës Elektronike dhe Kibernetike të IRGC-së, ndërsa Mahdi Lashgarian dhe Salarvand si komandantë të njësisë Shahid Kaveh.
Franca thotë se kjo njësi operonte përmes grupeve të frontit, përfshirë CyberAveng3rs dhe Cyber Isnaad Front.
Hetuesit bëjnë me dije se provat në këtë çështje përfshijnë gjurmë të gjuhës persiane (Farsi) në infrastrukturën e sulmit dhe adresa interneti të lidhura me pajisje në Iran.
Zyra e prokurorit të Parisit po e heton ngjarjen si krim kibernetik të organizuar, të kryer për të shërbyer interesave të një fuqie të huaj, përkatësisht Iranit.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, e quajti operacionin «të paprecedentë si në shkallë, ashtu edhe në nivelin e agresivitetit.
Franca ka thirrur ambasadorin e Iranit dhe po kërkon sanksione evropiane ndaj përgjegjësve.
Ministria e Jashtme e Iranit deklaroi më 10 nëntor se i hedh poshtë kategorikisht akuzat të pabazuara dhe dashakeqe të Francës kundër Teheranit.
Ajo akuzoi Parisin se po përpiqet të shmangë vëmendjen nga politikat e veta në Lindjen e Mesme dhe i përshkroi akuzat si pjesë të një politike të diskredituar të fajësimit të Iranit.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Jashtëm i Iranit, Seyed Abbas Araghchi, ironizoi Francën duke thënë se është e paaftë për të menaxhuar frigoriferët, e lëre më për t’iu përgjigjur ankesave të popullit të saj, qeveria franceze po ia kalon fajin e dështimeve të veta të tjerëve.
