Në “Super të Martën” e zgjerimit të BE-së, e konsideruar si dita më e madhe e lëvizjes së pranimit në më shumë se dy dekada, Ukraina dhe Moldavia hapën grupe të reja negociuese, ndërsa Mali i Zi dhe Shqipëria mbyllën kapituj.
Serbia ishte i vetmi vend negociues i lënë mënjanë, me tetë shtete anëtare që bllokuan Grupin 3 për shkak të shqetësimeve për sundimin e ligjit dhe mospërputhjes së Beogradit me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.
Ky refuzim vjen në një moment fluksi të jashtëzakonshëm në Beograd. Pas 20 muajsh protestash të udhëhequra nga studentët, Aleksandar Vuçiç ka njoftuar se do të japë dorëheqjen si president, duke pritur të kthehet si kryeministër pas zgjedhjeve që mund të mbahen në fillim të dhjetorit, ndërsa i ka kërkuar Brukselit të braktisë zgjerimin e bazuar në meritë dhe të pranojë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si bllok.
Në episodin e radhës të ‘BalkansDebrief’, Ilva Tare intervistoi Sërgjan Majstoroviç, shkencëtar politik dhe Kryetar të Bordit Drejtues të Qendrës së Politikave Evropiane (CEP), rreth hendekut midis Komisionit dhe kryeqyteteve të BE-së, nëse reformat e Serbisë janë reale apo kozmetike, llogaritjet politike të Vuçiç, listën zgjedhore të studentëve dhe çfarë do të thotë divergjenca transatlantike midis Uashingtonit dhe Brukselit për reformën demokratike në Serbi.
Në “të martën e madhe” të zgjerimit, BE-ja hapi kapituj me Ukrainën e Moldavinë, ndërsa Serbia u bllokua nga tetë shtete. A u befasuat nga ky hendek mes Komisionit dhe vendeve anëtare?
Për ata që ndjekin zhvillimet në kryeqytetet evropiane, kjo nuk ishte një befasi. Rregullat e anëtarësimit janë të qarta. Nëse një vend dështon në sundimin e ligjit (pavarësia e gjyqësorit, lufta ndaj krimit dhe korrupsionit), ai nuk mund të përparojë, pavarësisht kritereve teknike.
Tetë shtetet anëtare refuzuan të mbyllnin sytë para historikut të dobët të Serbisë në sundimin e ligjit dhe mospërafrimit të saj me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Shtetet baltike janë shumë strikte për politikën e jashtme, ndërsa vende si Suedia dhe Holanda nuk tolerojnë mangësitë në sistemin ligjor.
Pra, problemi qëndron te zbatimi i reformave, jo te miratimi i ligjeve. Pse po ngecin reformat në Beograd?
Sepse zbatimi i plotë i standardeve të sundimit të ligjit do të godiste shtyllat kryesore mbi të cilat bazohet pushteti i regjimit aktual. Një luftë e vërtetë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, do të prekte njerëz brenda vetë koalicionit qeverisës.
Kjo e bën zbatimin e reformave shumë të pafavorshëm për një regjim që përpiqet të shitet si demokratik, por që në fakt nuk ka vullnet të sinqertë për reforma strukturore.
Komisioni Evropian foli për “progres real”, por kritikët i quajnë reformat kozmetike. Kush ka të drejtë?
Unë mendoj se reformat janë thjesht kozmetike. Për shembull, në reformën në drejtësi, qeveria bëri ndryshime ligjore që na kthyen në pikën zero, duke injoruar shoqërinë civile dhe institucionet ndërkombëtare.
Për fat të keq, Komisioni e vlerësoi këtë si një progres. Por fatmirësisht, disa kryeqytete në BE po e monitorojnë situatën shumë më hollësisht, sepse e kuptojnë që Serbia ndodhet në një krizë të thellë politike.
Presidenti Vuçiç sugjeroi që gjashtë vendet e Ballkanit të pranohen si një bllok i vetëm. A është ky vizion rajonal apo lëvizje taktike?
Është thjesht një lëvizje taktike për të hequr vëmendjen nga suksesi i vendeve si Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina. Regjimi serb luajti një bixhoz të gabuar gjeopolitik në fillim të luftës në Ukrainë, duke vënë bast se Rusia do të fitonte shpejt dhe se sanksionet do të dështonin.
Ndërsa ukrainasit po mbrojnë vendin dhe po bëjnë reforma komplekse, Vuçiç po sjell ide të çuditshme që nuk janë në tryezë. Por BE-ja do të vazhdojë të zbatojë parimin e meritave individuale të secilit shtet.
Vuçiç ka deklaruar se do të japë dorëheqjen si president për t’u kthyer si kryeministër pas zgjedhjeve të dhjetorit. Cilat janë llogaritë e tij?
Në një autokraci, pushteti nuk i takon institucionit, por personit. Pushteti thjesht do të zhvendoset atje ku shkon Vuçiç. Në Serbi ndarja e pushteteve është zhdukur dhe çdo gjë kontrollohet nga një zyrë e vetme.
Ky rotacion i stilit “Medvedev-Putin” nuk do të ndryshojë asgjë për mirë. Për më tepër, data e zgjedhjeve nuk është kurrë e sigurt. Regjimi ka organizuar 4 herë zgjedhje të jashtëzakonshme për të mobilizuar votuesit dhe për të blerë kohë në pushtet, sa herë që është ndier i rrezikuar nga protestat.
Studentët po hartojnë listat e tyre të kandidatëve, ndërsa opozita është e përçarë. A mundet që energjia e rrugës të sjellë një ndryshim të vërtetë në Serbi?
Unë shpresoj shumë që kjo të ndodhë. Lëvizja studentore dhe qytetarët që protestojnë janë forca e vërtetë në këtë moment. Sondazhet e fundit nga shoqëria civile (si CRTA) tregojnë se lëvizja studentore është rivali i vetëm real i regjimit.
Të gjithë ata që besojnë te një Serbi evropiane dhe demokratike duhet të rreshtohen me studentët.
Uashingtoni po synon të arrijë marrëveshje tregtare dhe stabilitet në rajon, ndërsa Brukseli kërkon reforma. A po e dëmton kjo divergjencë demokratizimin e Serbisë?
Po, e dëmton seriozisht. Administrata aktuale në Uashington po bën një gabim strategjik duke kërkuar vetëm stabilitet dhe biznes dhe duke anashkaluar demokratizimin. Pa kthimin e legjitimitetit te qytetarët, nuk mund të zgjidhet as normalizimi i raporteve me Kosovën dhe as bashkëpunimi rajonal.
Ky dialog strategjik mund t’i japë Vuçiç një “fitore të shpejtë” për votuesit e tij, por historia me Hungarinë e Orban-it tregon se të bërit biznes në këtë mënyrë sjell një faturë shumë të kripur më vonë. Regjimi po rrezikon të distancohet plotësisht nga linja kryesore e Brukselit.
Cili është skenari më i mirë i mundshëm për 6 muajt e ardhshëm dhe çfarë duhet të bëjë ndryshe BE-ja?
Skenari më i mirë dhe ai reali shpesh nuk përkojnë me njëri-tjetrin. Regjimi do të përdorë mjete jodemokratike në zgjedhjet parlamentare. Ai po blen mediat e fundit të pavarura (si N1 dhe Nova S) dhe po e mbyll hapësirën publike. Megjithatë, opozita dhe studentët po trajnojnë mijëra vullnetarë për të monitoruar votimet.
Ajo që BE-ja duhet të bëjë ndryshe është të dërgojë sa më shumë vëzhgues ndërkombëtarë në terren, të monitorojë çdo detaj para dhe gjatë ditës së zgjedhjeve dhe të mbetet vigjilente. Ne nuk do të dorëzohemi përballë këtij regjimi.

