Përveç dënimit simbolik të Mihal Delijorgjit dhe disa “çerave” të tij, dosja “Gërdeci” është katandisur në rigjykim të Fatmir Mediut, proces që po zvarritet prej 5 vitesh me qëllim për ta bërë nul, nëpërmjet pazarit të dukshëm mes prokurorëve të SPAK-ut dhe gjyqtarëve.
Qysh në fillim të hetimit, nga dosja e Gërdecit u hoqën Shkëlzen Berisha dhe trafikanti, grabitësi i tokave e ndërtuesi Rrahman Selmanllari, megjithëse u provuan që ishin pronarë, me shkresa zyrtare, biseda telefonike, kontrata, akte-ekspertimi e dëshmi të shumta.
Altin Dumani, që ka dosjen “Gërdeci” prej 5 vitesh, ka qenë prokurori i kësaj çështjeje në vitet 2008-2012, që ka lënë jashtë hetimit Shkëlzen Berishën e Rrahman Selmanllarin, nën presionin e Sali Berishës dhe ujdisë me të, nëpërmjet ish-Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama.
Gjatë një interviste për televizionin “Al Jazeera” në vitin 2010 për hetimin e Gërdecit, Altin Dumani deklaroi se ai dhe kolegët e tij nuk e menduan të arsyeshme të merrnin në pyetje e nën hetim Shkëlzen Berishën e Rrahman Selmanllarin, dhe se nuk kishin pasur presione nga askush.
Por Zamir Shtylla, ish-Drejtor i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, i caktuar drejtor i grupit të hetimit për Gërdecin, deklaroi se pas urdhrit në shtator 2008 për të marrë në pyetje Shkëlzen Berishën e Rrahman Selmanllarin si persona në hetim, ka pasur shumë presione e kërcënime nga Sali Berisha dhe grupet e tij kriminale e mediaktike, edhe me kërcënime e denigrime familjare.
Për të lënë jashtë dosjes penale Shkëlzen Berishën dhe Rrahmanin e tij, Sali Berisha, në atë kohë kryeministër, nëpërmjet ish-kryeprokurores Ina Rama dhe eksponentëve të krimit, detyruan Zamir Shtyllën të jepte dorëheqje si Drejtor i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, nga grupi i hetimit të çështjes “Gërdeci” dhe e transferuan në Prokurinë e Elbasanit, ndërsa më pas Altin Dumani mori drejtimin e hetimit.
Gjatë hetimit praprak, dolën shumë prova që Shkëlzen Berisha e Rrahman Selmanllari ishin ortakët faktik të biznesit të municioneve në Gërdec, bashkë me Mihal Delijorgjin.
U vërtetuan me shkresa, mesazhe e biseda telefonike edhe pas shpërthimit, si dhe me kontakte e komunikime me ministrat Mediu e Bumçi dhe me drejtues të lartë të ushtrisë, që zbatonin urdhërat e Shkëlzen Berishës për aktivitetin në Gërdec.
Pas rihapjes së hetimit të çështjes, Altin Dumani përfshiu Shkëlzen Berishën e Rrahman Selmanllarin në procesin hetimor, por vetëm si dëshmitarë periferikë, e jo si të pandehur.
U lanë përsëri jashtë hetimit, megjithëse në dosjen e viteve 2008-2012 ka shumë prova që ata ishin bosët e biznesit në Gërdec dhe përdorën pushtetin e Sali Berishës, duke filluar, zhvilluar dhe patur në kontroll pa asnjë pengesë aktivitetin e demontimit të municioneve.
Pas marrjes në pyetje nga SPAK, të Rrahman Selmanllarit në muajin mars 2021 dhe të Shkëlzen Berishës në muajin janar 2023, ata janë hequr dhe nga lista edhe si dëshmitarë për tragjedinë e Gërdecit, kur duhet të jenë të pandehur bashkë me Fatmir Mediun.
Që Shkëlzen Berisha të merrej dhe merret i pandehur, mjafton prova e takimeve me ministrat Mediu e Bumçi në zyrat e tyre, shkresat zyrtare të dërguara në emër të tij, bisedat telefonike me shefat e ushtrisë dhe me Mihal Delijorgjin.
Provë janë 185 biseda e mesazhe telefonike me Rrahman Selmanllarin për ecurinë e biznesit në Gërdec; dhe dokumenti zyrtar që Selmanllari ishte përfaqësues i kompanisë “Southern Ammunition” për nënshkrimin e marrëveshjeve me Ministrinë e Mbrojtjes.
Punonjësit e Gërdecit, Seran Maçi, Nazmi Isufaj, Haxhi Mara, Kledian Qefaliaj, Benard Kaçaça e Shpëtim Kaçaça, kanë deklaruar në prokurori se ishin familjarë e të njohur të Rrahman Selmanllarit dhe ishin caktuar prej tij jo vetëm në turnin e natës, për menaxhimin e mjeteve që çonin municionet, grumbullimin e tunxhit prej tyre, ngarkimin në makina me targa holandeze.
Mjetet me tunxh i shoqëronin deri në kufi, pa regjistruar sasitë në dokumentet e bilancit të fabrikës së Gërdecit, por ia raportonin me letra dore vetëm Rrahman Selmanllarit dhe ky Shkëlzen Berishës./Pamfleti

