Shaip Kamberi, deputeti i shqiptarëve në Serbi, kërkoi mbështetjen e kryeministrit Edi Rama për projektin e bashkimit të partive shqiptare.
“Bashkimi i shqiptarëve në një listë të përbashkët ka për qëllim kthimin e përfaqësimit tonënë nivel qendror dhe forcimin e elementit shqiptar në të gjitha proceset. Kemi nevojë për mbështetje të hapur publike nga çdo institucion. Deri më tani kemi pasur mbështetje nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, një angazhim të jashtëzakonshëm të kryeministrit të Kosovës, së shpejti do të kemi një takim me Presidentin e Kosovës, dhe pres që deri në ditën e zgjedhjeve të prononcohen edhe kryetarët e partive opozitare në Kosovë dhe Shqipëri. Sigurisht që pres edhe kryeministrin Rama të mbështesë një iniciativë të tillë”, tha Kamberi në një lidhje me “Rreth e Qark” në A2CNN.
“E kemi parë edhe Aleksadër Vuçiçin që kërkon ta paraqesë si projekt të Albin Kurtit, por ky është një projekt për avancimin e të drejtave të shqiptarëve që ka gjetur mbështetjen e Kurtit, por duhet të gjejë mbështetjen e pakontestueshme të të gjitha forcave politike në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut”, shtoi Kamberi.
Burimi: Kosovë
