Prokuroria hungareze ka bastisur selinë e partisë opozitare Fidesz, të ish-kryeministrit Viktor Orbán, në një operacion që shënon një zhvillim të rëndësishëm në skenën politike të vendit.
Sipas Fidesz, prokurorët kontrolluan serverët dhe sistemet e komunikimit të partisë, duke kërkuar qasje në bazat e të dhënave. Partia e Orbánit e cilësoi ndërhyrjen si “të paprecedentë” dhe akuzoi qeverinë e re për përdorim të drejtësisë kundër opozitës.
Megjithatë, sipas Reuters, bastisja lidhet me një hetim penal për dyshime mbi keqpërdorimin e fondeve të Fondit Kombëtar të Kulturës (NKA). Hetimi përfshin vendime për shpërndarjen e më shumë se 17 miliardë forintëve (rreth 54 milionë dollarë) në grante shtetërore, të cilat dyshohet se janë orientuar në mënyrë jo transparente drejt artistëve dhe organizatave të afërta me Fidesz. Personat nën hetim kanë mohuar çdo shkelje.
Ky është një nga veprimet më domethënëse të autoriteteve që nga ardhja në pushtet e kryeministrit Péter Magyar, i cili e ndërtoi fushatën e tij elektorale mbi premtimin për luftë kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor pas viteve të qeverisjes së Viktor Orbánit.
Vetë Magyar reagoi shkurt, duke deklaruar se pret informacion zyrtar nga prokuroria për natyrën e hetimit dhe materialet e sekuestruara gjatë operacionit.
Ndërkohë, liderja e ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen, dënoi bastisjen, duke e cilësuar atë si shkelje të shtetit të së drejtës dhe duke akuzuar qeverinë hungareze për presion ndaj opozitës.

