Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme fraksionin e ndarë të dosjes “Metamorfoza”, ku mes nëntë të pandehurve ndodhet edhe Ervis Martinaj. Gati katër vjet pas zhdukjes së tij, SPAK kërkon ta çojë për gjykim në mungesë, por ende nuk ka një përgjigje publike për pyetjen themelore: A është Ervis Martinaj gjallë apo i vdekur?
Hetimet janë mbyllur nga prokurorët Arben Kraja dhe Bledar Maksuti për Ervis Martinajn, Denis Bajrin, Klaodor Hakajn, Prekë Kodrën, Aleks Ndrekën, Bardhyl Mavrajn, Eljon Haton dhe Arsad Bashlin. Në procedim është përfshirë edhe Nuredin Dumani, bashkëpunëtor i drejtësisë, i cili po gjykohet paralelisht edhe në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”.
Ndaj të pandehurve janë ngritur akuza për vrasje me paramendim, grup të strukturuar kriminal, kryerje të veprave penale nga organizata kriminale, sigurim të kushteve dhe mjeteve për vrasje, si dhe armëmbajtje pa leje.
Dosja tashmë i është përcjellë GJKKO-së, ku pritet të caktohet me short gjyqtari që do të shqyrtojë kërkesën e SPAK-ut për kalimin e çështjes në gjykim.
Por përtej akuzave, hetimeve dhe procedurave gjyqësore, mbetet një kontradiktë që drejtësia shqiptare nuk e ka shpjeguar. Ervis Martinaj trajtohet njëkohësisht si person i zhdukur, si i shumëkërkuar, si i pandehur dhe si subjekt ndaj të cilit vijojnë proceset për sekuestrimin e pasurive.
Askush nuk ka thënë zyrtarisht se ku ndodhet.
Ky është paradoksi më i fortë i dosjes. Shteti nuk di, ose nuk thotë, nëse Martinaj jeton, por deklaron se ka prova të mjaftueshme për ta dërguar në gjyq.
Në mars, babai i tij, Mustafa Martinaj, u paraqit në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar në procesin që lidhet me pasuritë e të birit. Në dalje të gjykatës, ai bëri deklarata të forta, duke pretenduar se djali i tij ishte vrarë në Durrës dhe se institucionet nuk kishin vullnet për ta hetuar çështjen.
“Fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë. Djali im është ekzekutuar në Durrës. Si e di? Jam babai. Për këtë çështje kam dhënë shpjegime para Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku jam paraqitur me iniciativën time, dy muaj pas ngjarjes. Këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit”, deklaroi Mustafa Martinaj.
Ai tha se ishte paraqitur vetë para hetuesve, por pretendoi se çështja nuk ishte ndjekur me seriozitetin e duhur.
“Nuk kam për çfarë të interesohem. Nuk kam fuqi as për hakmarrje. Kam ardhur sepse më ka thirrur gjykata. Jam invalid dhe kam bërë disa ndërhyrje shëndetësore. Këta merren me vogëlsira dhe nuk merren me gjëra madhore”, u shpreh babai i Ervis Martinajt.
Edhe në dëshminë e dhënë në maj në Gjykatën e Posaçme, Mustafa Martinaj u përplas me mënyrën se si drejtësia po trajton çështjen. Ai foli gjatë për burimin e pasurive të familjes, aktivitetet private dhe kreditë bankare, por në fund e ktheu vëmendjen te zhdukja e të birit.
“Familja ime përbëhet nga unë, bashkëshortja, dy vajzat dhe i ndjeri djali që nuk është më. Më vjen turp që vij për lecka e për tulla dhe nuk jam thirrur asnjëherë nga ana juaj. Kam dhënë deklarime, por nga ana juaj nuk kam marrë asnjë sinjalizim”, deklaroi Mustafa Martinaj.
Fjala e tij përmbledh thelbin e kontradiktës. Drejtësia e thërret për të pyetur për prona, ndërtesa, të ardhura dhe dokumente, por familja pretendon se nuk është pyetur seriozisht dhe nuk është informuar për fatin e njeriut që i ka humbur prej vitesh.
Historia e zhdukjes së Ervis Martinajt nuk nisi vetëm më 9 gusht 2022. Ajo nisi më herët, kur politika shqiptare pranoi publikisht se e njihte, e monitoronte dhe e konsideronte pjesë të botës së krimit të organizuar.
Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, kryeministri Edi Rama deklaroi publikisht se shteti njihte personat e përfshirë në aktivitetin e basteve të paligjshme, lëvizjet e tyre dhe madje targat e automjeteve. Martinaj u përmend në atë kontekst si një figurë e njohur për strukturat shtetërore.
Kur ai u zhduk, kjo njohje publike u shndërrua në një problem institucional. Shteti nuk mund të pretendonte se nuk dinte asgjë për një person që kishte deklaruar se e mbante nën vëzhgim.
Pas zhdukjes, Rama kërkoi publikisht nga Policia e Shtetit një përgjigje të qartë nëse Martinaj ishte gjallë apo i vdekur. Ai deklaroi se publiku nuk mund të lihej peng i thashethemeve dhe u kërkoi drejtuesve të policisë rezultate konkrete.
Por përgjigjja nuk erdhi kurrë.
Nga viti 2022 e deri më sot janë ndryshuar drejtues të Policisë së Shtetit, prokurorë dhe drejtues të SPAK-ut. Janë kryer kontrolle, janë sekuestruar pasuri, janë hapur procedime dhe janë dërguar dosje në gjykatë. Megjithatë, asnjë institucion nuk ka dalë me një version përfundimtar për atë që ndodhi me Ervis Martinajn.
Policia thotë se nuk mund të flasë pa prova. SPAK vijon procedurat penale pa dhënë shpjegime për zhdukjen. Gjykata administron dosjet për pasuritë dhe akuzat. Ndërsa familja pretendon se institucionet e dinë të vërtetën, por nuk duan ta thonë.

