Policia e Tiranës ka arrestuar 11 persona, mes tyre edhe dy të mitur, si dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 7 të tjerë, në vijim të hetimeve për aktet e dhunës gjatë protestës së zhvilluar në kryeqytet.
Ndërkohë, është ndaluar edhe një 33-vjeçar, i dyshuar për dëmtimin e ambienteve të Komisariatit nr. 3 gjatë protestave të ditëve të fundit, ku mbetën të dëmtuar 10 punonjës policie.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me veprimet e kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të zhvilluar dje:
– u arrestuan në flagrancë shtetasit E. P., 29 vjeç, G. K., 24 vjeç, F. B., 19 vjeç, E. B., 23 vjeç, S. D., 52 vjeç, E. B., 27 vjeç, A. D., 23 vjeç, L. Z., 18 vjeç dhe E. B., 20 vjeç, si dhe dy shtetas të mitur;
– u proceduan në gjendje të lirë 7 shtetas.
Ndërkohë, në vijim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, për identifikimin dhe kapjen e personave që sulmuan punonjësit e Policisë dhe godinën e Komisariatit të Policisë Nr. 3 me lëndë piroteknike, gurë e bomba molotov, duke shkaktuar zjarr dhe dëmtime në godinën e Komisariatit, si dhe duke dëmtuar 10 punonjës policie, u identifikua dhe u ndalua shtetasi E. K., 33 vjeç, i cili dyshohet se gjatë tubimit, tri ditë më parë, ka dëmtuar me sende të forta ambientet e këtij komisariati.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë të rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Burimi: Kronikë
