Biznesmeni me origjinë izraelite hyri brenda një dite me 49% në dy kompanitë e Arjeta Pucës, menjëherë pasi qeveria hapi rrugën për industrinë ushtarake. Më pas shteti uli pjesën e vet nga 45% në 20%, krijoi partneritetet me KAYO-n dhe derdhi 2.58 miliardë lekë te “TIMAK Defence”
Në oborrin e Edi Ramës, njerëzit e rëndësishëm nuk dallohen nga posti që mbajnë, por nga dyert që hapin, marrëveshjet që lidhin dhe sektorët ku shfaqen. Ergys Agasi luajti për vite me radhë rolin e koordinatorit të brendshëm, njeriut që kishte akses në administratë, infrastrukturë dhe hallkat më të ndjeshme të shtetit. Ron Yeffet po shfaqet si krahu tjetër i këtij mekanizmi: ndërmjetësi i kapitalit të huaj, partneri që hyn në industrinë ushtarake, shtrihet te nafta, prek financat dhe shfaqet në aviacion.
Në dokumentet shqiptare, Yeffet figuron si shtetas shqiptar, i lindur në Izrael në vitin 1966 dhe rezident në Shqipëri. Emri i tij nuk lidhet me një investim të vetëm. Ai shfaqet në një varg kompanish që, në pamje të parë, veprojnë në fusha të ndryshme, ndërsa në thelb prekin disa nga sektorët më strategjikë të vendit.
Gjurmët të çojnë te TIMAK-u, KAYO, prodhimi i automjeteve ushtarake, armët, dronët, sistemet kundër dronëve, karburantet, pagesat elektronike dhe aviacioni. Në qendër të kësaj harte qëndron qeveria e Edi Ramës, e cila ka krijuar rregullat, ka vënë në dispozicion pronat shtetërore, ka ulur përqindjen e vet në partneritet dhe ka garantuar kontratat publike.
Gjashtë ditët që hapën portën e ushtrisë
Më 11 qershor 2025, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin nr. 322 për bashkëpunimin e shoqërisë shtetërore KAYO me kompani private në prodhimin dhe përshtatjen e automjeteve ushtarake.
Vendimi përcaktonte se KAYO duhej të zotëronte jo më pak se 45% të ndërmarrjes së përbashkët. Shteti do të vinte në dispozicion të paktën 20 mijë metra katrorë pronë, ndërsa partneri privat duhej të siguronte një investim minimal prej 15 milionë eurosh, linjat teknologjike dhe punësimin e të paktën 150 personave.
Gjashtë ditë më vonë, më 17 qershor 2025, Ron Yeffet hyri njëkohësisht në dy kompanitë kryesore të Arjeta Pucës.
Në “TIMAK”, një shoqëri që gjatë vitit 2024 kishte deklaruar rreth 518 milionë lekë xhiro dhe 135.8 milionë lekë fitim para tatimit, Yeffet bleu 49% të kuotave për vetëm 49 mijë lekë.
Në të njëjtën ditë bleu edhe 49% të “TIMAK Special Vehicles”, përsëri për 49 mijë lekë. Kjo kompani kishte realizuar gjatë vitit 2024 rreth 151.6 milionë lekë xhiro.
Për 98 mijë lekë, më pak se çmimi i një telefoni të mirë, Ron Yeffet u bë ortak në dy kompani me aktivitet, pajisje, kontrata, të ardhura dhe eksperiencë shumëvjeçare. Çmimi i regjistruar për blerjen e kuotave ngjan më tepër me dorëzimin e çelësave sesa me një transaksion të zakonshëm biznesi.
Koha e zgjedhur për hyrjen e tij është edhe më domethënëse. Yeffet nuk i bleu kuotat vite përpara se qeveria të shpallte projektin ushtarak. Hyri vetëm gjashtë ditë pasi Këshilli i Ministrave kishte përcaktuar kushtet për ndërmarrjen që do të prodhonte automjete për ushtrinë, policinë dhe strukturat e sigurisë.
Qeveria tërhiqet nga 45% në 20%
Më 10 korrik 2025, vetëm 23 ditë pasi Yeffet kishte hyrë në TIMAK, qeveria ndryshoi vendimin e saj.
VKM-ja e re përmbante vetëm një ndërhyrje thelbësore: numri 45 u zëvendësua me numrin 20. Pjesa minimale që shteti shqiptar do të zotëronte në ndërmarrjen e përbashkët u ul nga 45% në 20%.
Pas këtij ndryshimi, rruga ishte e hapur. Më 4 gusht 2025 u themelua “TIMAK Defence”, me 80% të aksioneve në pronësi të TIMAK-ut dhe vetëm 20% në pronësi të KAYO-s.
Përmes 49% që kishte blerë në TIMAK, Ron Yeffet u bë pronar përfitues i 39.2% të “TIMAK Defence”. Arjeta Puca zotëronte efektivisht 40.8%, ndërsa shteti shqiptar mbeti me 20%, megjithëse sillte në partneritet pronën publike, sigurinë, tregun shtetëror dhe mundësinë për të furnizuar drejtpërdrejt Forcat e Armatosura.
Brenda pak javësh, Yeffet kishte kaluar nga blerësi i dy kuotave me vlerë 98 mijë lekë në pronar përfitues të një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme të industrisë së re ushtarake shqiptare.
Kompania 100 lekë-she që hyri në prodhimin e armëve
TIMAK-u përfaqëson vetëm njërin krah të depërtimit të Yeffet në industrinë ushtarake.
Në shtator 2024, ai themeloi kompaninë “UNO18” me kapital 100 lekë. Fillimisht aktiviteti i saj ishte i përgjithshëm. Gjatë muajve maj, qershor dhe korrik 2025, objekti i veprimtarisë u zgjerua me prodhimin, montimin, importin dhe eksportin e armëve, municioneve, eksplozivëve, dronëve luftarakë dhe teknologjive ushtarake.
Më 31 korrik 2025, qeveria miratoi kushtet për krijimin e një kompanie të përbashkët të KAYO-s me një partner privat për prodhimin e armëve dhe dronëve. KAYO do të mbante të paktën 20%, do të vinte në dispozicion jo më pak se 5 mijë metra katrorë pronë shtetërore, ndërsa privati duhej të garantonte një investim minimal prej 50 milionë eurosh.
Në nëntor u themelua “Advanced Arms Technology”. UNO18 mori 80% dhe KAYO 20%. Ron Yeffet, i cili në atë kohë zotëronte të gjithë UNO18, kontrollonte efektivisht 80% të kompanisë së përbashkët me shtetin.
Një shoqëri me kapital 100 lekë kishte mbërritur në majën e projektit 50-milionë-eurosh për prodhimin e armëve dhe dronëve ushtarakë. Dokumentet publike nuk tregojnë se cilat ishin kapacitetet financiare të paraqitura, teknologjia e ofruar, eksperienca industriale apo rrjeti ndërkombëtar i prodhimit dhe eksportit.
Në gusht 2026, Yeffet i shiti Arjeta Pucës gjysmën e UNO18 për 50 lekë. Edhe këtu u përsërit formula e kuotave simbolike. Kontrolli real i ndërmarrjes u nda mes tyre, me rreth 40% secili, ndërsa shteti vazhdoi të qëndronte në 20%.
Puca dhe Yeffet nuk shfaqen më si dy histori të ndara. Ata lëvizin së bashku nga automjetet te armët, dronët dhe aviacioni, gjithmonë pranë KAYO-s dhe pasurive shtetërore që qeveria vendos në dispozicion.
Nga ushtria te nafta
Në dhjetor 2023, Yeffet themeloi “1820 Black Oil”. Fillimisht kishte 60%, ndërsa 40% zotërohej nga David Chubalashvili. Në janar 2024, Yeffet bleu edhe pjesën e ortakut për 40 lekë dhe u bë pronar i vetëm.
Shoqëria është licencuar për tregtimin me shumicë të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre. Në regjistrat e saj figuron edhe një depozitë karburanti në Porto Romano. Gjatë vitit 2025 deklaroi 28.2 milionë lekë xhiro dhe rreth 8.9 milionë lekë fitim para tatimit.
Emri i kësaj kompanie është lidhur me projektin e administrimit të rezervës shtetërore të karburanteve. Dokumentet që do të tregonin aplikimin, negociatat dhe modelin financiar duhet të nxirren nga Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Financave dhe institucionet që administrojnë rezervën. Profili është i njëjtë: Yeffet vendos një kompani në sektorin strategjik dhe më pas emri i saj shfaqet pranë projekteve që varen drejtpërdrejt nga vendimmarrja qeveritare.
Në nëntor 2023 ai kishte hyrë edhe në sektorin e pagesave elektronike përmes “1820 Albania”, me emrin tregtar “Paylin”. Kapitali u rrit deri në 1.023 milionë euro, ndërsa Yeffet zotëronte 25%. Kompania u çregjistrua në mars 2026 pa arritur të shfaqet si operator i licencuar në treg.
Së fundmi, Yeffet është shfaqur edhe te “TIMAK Aviation”, një tjetër degë e përbashkët me Arjeta Pucën, këtë herë në fushën e transportit dhe shërbimeve ajrore. Automjete, armë, dronë, karburante, pagesa elektronike dhe aviacion: shtrirja e tij ndjek pikërisht fushat ku lejet, pronat, kontratat dhe tregu kontrollohen nga shteti.
Emri i Ramës në padinë amerikane
Roli i Yeffet si njeri me akses te kryeministri del edhe në një proces civil të hapur në Florida.
Biznesmeni amerikan Mark Faist pretendon se i transferoi Yeffet dhe kompanisë së tij “R&I Trading” mbi 8.6 milionë dollarë për investime në pasuri të paluajtshme në Nju Jork. Pas kthimit të 1 milion dollarëve, palët firmosën një marrëveshje ku mbetej një detyrim prej 7.61 milionë dollarësh, plus interesat.
Në padinë e tij, Faist përshkruan mënyrën se si Yeffet paraqiste pasurinë, ndikimin dhe lidhjet politike për të fituar besimin e tij. Afërsia me Edi Ramën dhe mundësia për të siguruar një takim me kryeministrin shqiptar shfaqen si pjesë e autoritetit që Yeffet përdorte përballë investitorit amerikan.
Në përgjigjen e tij publike, Yeffet ka mohuar lidhjet me Air Albania dhe ka akuzuar opozitën shqiptare se po e përdor për të goditur kryeministrin. Qeveria, nga ana tjetër, i ka cilësuar të pabazuara akuzat për korrupsion në projektet e KAYO-s.
Askush prej tyre nuk ka shpjeguar kronologjinë e vendimeve, çmimin simbolik të kuotave, uljen e pjesës shtetërore dhe dokumentet mbi përzgjedhjen e partnerëve privatë.
Gjurmët e pazareve në Senegal
Përpara Shqipërisë, emri i Yeffet ishte shfaqur edhe në Senegal, ku ka shërbyer si konsull nderi i këtij vendi në Tel Aviv.
Media senegaleze e lidh strukturën DSC të Yeffet me kontrata publike të dhëna drejtpërdrejt dhe me projekte ndërtimi të financuara nga shteti. Prokuroria financiare ka kërkuar verifikimin e pronarëve dhe përfituesve të një grupi kompanish të përmendura në raportet mbi administrimin e financave publike. Në këtë listë është përfshirë edhe DSC.
Shqipëria duhej ta kishte kontrolluar këtë histori përpara se Yeffet të hynte në dy ndërmarrje që prodhojnë automjete ushtarake, armë dhe dronë.
Ligji shqiptar i kërkon KAYO-s të verifikojë besueshmërinë, pastërtinë e figurës dhe reputacionin e partnerëve privatë në industrinë e armëve. Raporti i kontrollit të Yeffet, nëse ekziston, duhet të bëhet publik. Po aq të domosdoshme janë vendimet e Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, raportet e grupeve negociuese dhe dokumentet që provuan kapacitetet e kompanive të tij.
“Agasi” i projekteve ndërkombëtare të Ramës
Ergys Agasi shërbeu si nyja që lidhte njerëzit e pushtetit me administratën, tenderët dhe infrastrukturën e brendshme të shtetit. Ron Yeffet ka marrë profilin e koordinatorit të projekteve ndërkombëtare dhe industrive strategjike të Ramës.
Ai nuk mban një post shtetëror dhe nuk del në konferencat e qeverisë. Emri i tij gjendet te aksionet, te kompanitë e përbashkëta, te projektet me KAYO-n, te depot e karburanteve dhe në dokumentet e pronarit përfitues. Rama shfaqet në fund të procesit, pret automjetet, shpall suksesin dhe tregon se shteti do të vazhdojë ta financojë këtë model.
Brenda këtij modeli, një kompani me kapital 100 lekë premton 50 milionë euro investime. Dy kuota prej 49% kalojnë për vetëm 98 mijë lekë. Shteti ul pjesën e vet nga 45% në 20%. Pasuritë publike futen në ndërmarrjet e përbashkëta, ndërsa kontratat e ushtrisë sjellin 2.58 miliardë lekë pagesa brenda pak muajsh.
Ron Yeffet është fija që i bashkon këto zhvillime. Roli i tij shkon përtej atij të një investitori të zakonshëm. Ai vepron si ndërmjetësi i besuar që hyn në sektorët e përzgjedhur nga qeveria, gjen partnerët vendas, lidh kapitalin e huaj me pushtetin dhe qëndron në prapaskenë kur Edi Rama del për të prerë shiritin.
SPAK dhe strukturat kundër krimit ekonomik duhet të hapin dosjet e KAYO-s dhe të verifikojnë se kush e propozoi Yeffet, kur filluan negociatat me të, çfarë kontrolli iu bë figurës së tij dhe pse qeveria uli pjesën e shtetit pikërisht pasi ai bleu kuotat e TIMAK-ut.
Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të tregonin nëse Shqipëria po ndërton vërtet një industri ushtarake kombëtare apo po financon me prona dhe miliarda publike perandorinë e re të koordinatorit të Edi Ramës. /Pamfleti
