Në stacionin hekurudhor Kazanskij të Moskës, në një korrik që zakonisht shënon nisjen e pushimeve drejt Detit të Zi, linjat hekurudhore që çojnë në jug janë pothuajse të boshatisura. Kështu e përshkruan situatën një i dërguar i revistës The Economist, sipas të cilit pamja ka ndryshuar rrënjësisht nga vitet e kaluara.
Nuk ka më familje të mbushura me valixhe që udhëtojnë drejt Krimesë. Në vend të tyre shihen uniforma ushtarake dhe një atmosferë ankthi që, sipas revistës britanike, reflekton mënyrën se si lufta ka filluar të prekë drejtpërdrejt edhe jetën e përditshme të rusëve.
Korrespondentët e The Economist, të shpërndarë nga Rostovi deri në Nizhny Novgorod, përshkruajnë një vend të lodhur nga lufta. Raportohet për radhë dy deri në tre orë në pikat e karburantit për shkak të kufizimeve në furnizim, ndërprerje të internetit, rritje të çmimeve të produkteve bazë, vetëm patatet janë shtrenjtuar me 4.5% brenda një muaji, si edhe shqetësime të fermerëve se mund të mos arrijnë të korrin grurin për mungesë karburanti.
Një sondazh i Fondit për Opinionin Publik (FOM), institut pranë Kremlinit, tregon se 55% e rusëve perceptojnë një klimë të përgjithshme ankthi mes familjarëve dhe kolegëve, krahasuar me 40% një vit më parë. Sipas analizës, kontrata e pashkruar mbi të cilën Vladimir Putin ndërtoi pushtetin e tij, qytetarët qëndrojnë larg politikës dhe shteti nuk ndërhyn në jetën e tyre, po fillon të lëkundet.
A po humbet Rusia statusin e fuqisë së madhe?
Walter Russell Mead, analist i The Wall Street Journal, ngre një pyetje që, sipas tij, në Moskë shmanget gjithnjë e më shumë: a po humbet Rusia statusin e fuqisë së madhe që kishte rikuperuar pas Luftës së Ftohtë?
Sipas Mead, një fuqi që nuk kontrollon më Detin e Zi po humbet një nga shtyllat kryesore të narrativës së saj historike dhe gjeopolitike.
Aleatët po marrin distancë
Analiza thekson se presioni nuk kufizohet vetëm në fushën ushtarake. Gazetari Edward Lucas, në një shkrim për EUobserver, argumenton se Rusia po përballet edhe me një izolim diplomatik dhe ekonomik në rritje.
Edhe Kina, e cilësuar shpesh nga Moska si partnere “pa kufij”, ka refuzuar t’i furnizojë rusët me sisteme të rëndësishme të propulsioni detar për rrugën veriore të Arktikut.
Një tjetër goditje lidhet me projektin gjigant të gazsjellësit Power of Siberia 2, me kapacitet 50 miliardë metra kub gaz në vit. Sipas Lucas, projekti ka ngecur sepse Pekini kërkon të blejë gazin rus me një çmim shumë më të ulët se ai që propozon Kremlini.
Ndërkohë, për shkak të dëmtimeve të rafinerive nga sulmet ukrainase, Rusia është detyruar të importojë produkte të rafinuara të naftës pikërisht nga Kina.
Edhe vende të tjera të hapësirës ish-sovjetike po ndjekin një kurs më të pavarur. Kazakistani ka kufizuar importet e grurit rus, Azerbajxhani ka shprehur publikisht mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa Armenia po rikthen lidhjet hekurudhore me Turqinë dhe Azerbajxhanin, duke anashkaluar ndikimin tradicional rus.
Fronti i ri: lufta për informacionin
Sipas një reportazhi të The New York Times, Ukraina po investon gjithnjë e më shumë në atë që e quan “luftë njohëse” (cognitive warfare), duke e zhvendosur betejën nga fronti ushtarak edhe në fushën e informacionit dhe ndikimit psikologjik.
Maria Berlinska, aktiviste dhe një nga figurat që promovoi përdorimin e dronëve në ushtrinë ukrainase që në vitin 2014, ka themeluar organizatën Victory Neurones, e fokusuar në komunikimin strategjik, luftën kibernetike dhe operacionet psikologjike.
Sipas saj, edhe pse dronët i kanë dhënë Ukrainës avantazh të rëndësishëm në fushëbetejë, në rast të një mobilizimi të përgjithshëm rus kjo nuk do të mjaftonte. Për këtë arsye, Kievi synon të dobësojë aftësinë e Rusisë për të mbështetur një luftë të gjatë edhe përmes betejës së informacionit.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, ka deklaruar se Ukraina po i afrohet Rusisë në fushën e luftës elektronike dhe teknologjisë së dronëve, ndërsa pranon se Moska mbetet ende një nga fuqitë më të mëdha në operacionet e ndikimit dhe propagandës.
Një ndryshim që mund të transformojë ekuilibrat globalë
Sipas analizës së publikuar nga Il Giornale, kombinimi i konsumimit të brendshëm të Rusisë, izolimit gradual diplomatik dhe sfidës së re në fushën e informacionit mbështet tezën se Moska po hyn në një fazë afatgjatë dobësimi.
Autori thekson se Kremlini vazhdon të disponojë arsenalin bërthamor dhe kapacitete të rëndësishme ushtarake e kibernetike, ndaj është ende herët për të folur për një rënie përfundimtare të Rusisë.
Megjithatë, nëse ky proces vazhdon, përfundon analiza, pyetja nuk do të jetë më nëse Rusia do ta fitojë apo humbasë luftën në Ukrainë, por çfarë roli do të ketë në rendin e ri ndërkombëtar: një fuqi rajonale, një partner dytësor i Kinës apo një shtet gjithnjë e më i varur nga Pekini. /Përshtatur nga “Corriere Della Sera”

