Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim më aktorë të sipërmarrjes dhe sistemit bankar për promovuar programin e iniciuar nga qeveria, “Dyfisho Sipërmarrjen tëndë”.
Kreu i qeverisë theksoi se ky program ka për qëllim përkrahjen financiare të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme: “Ajo që ne synojmë me këtë program është që t’u japim krah ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të dyfishohen. Ato që janë të mesme të rriten dhe të bëhen thuajse të mëdha, ato që janë të vogla të bëhen të mesme”.
Rama nënvizoi rëndësinë që ka përfshirja dhe gatishmëria e Bankës së Shqipërisë në implementimin e suksesshëm të programit.
“Ka qenë themelore që ne, nga ana jonë si qeveri e Shqipërisë, të kishim bashkëpunimin dhe vullnetin e Bankës së Shqipërisë dhe pastaj edhe të bankave të nivelit të dytë, që të paktën me fjalë na kanë garantuar që do të bëjnë pjesën e tyre si duhet për suksesin e këtij programi. Them të paktën me fjalë, sepse bankat janë futur në një zonë komforti të jashtëzakonshme, sepse, ndryshe nga të gjithë të tjerët që luftojnë për të fituar, bankat fitojnë pa luftuar”, tha Rama.
Për informimin i sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend për ekzistencën e këtij programi, Rama tha se do të realizohet një fushatë reklamimi në mbarë vendin dhe shtoi se qeveria është gati që të shkojë deri në 1 miliard euro mbështetje.

