Për më shumë se dy dekada, politika amerikane ndaj Iranit është mbështetur mbi një parim të qartë: Teheranit nuk duhet t’i lejohet pasurimi i uraniumit, sepse kjo teknologji mund të shndërrohet në rrugën më të shkurtër drejt armës bërthamore.
Ky argument ka justifikuar sanksione ekonomike, izolim diplomatik, negociata të gjata dhe, së fundmi, edhe përdorimin e forcës ushtarake kundër objekteve bërthamore iraniane.
Tani, i njëjti Uashington duket se është gati t’i japë Arabisë Saudite të drejtën për të zhvilluar një kapacitet të ngjashëm.
Nëse marrëveshja konfirmohet, nuk ndryshon vetëm marrëdhënia SHBA-Arabi Saudite. Ndryshon edhe logjika mbi të cilën është ndërtuar regjimi i mospërhapjes bërthamore në Lindjen e Mesme.
Nga këndvështrimi amerikan, ekziston një dallim i madh: Arabia Saudite është aleate strategjike, ndërsa Irani konsiderohet kundërshtar. Por teknologjia nuk bën dallim mes aleatëve dhe rivalëve. Uraniumi i pasuruar mbetet i njëjti, pavarësisht se kush e prodhon. Njohuritë teknike të fituara sot për qëllime civile mund të krijojnë nesër kapacitete ushtarake, nëse ndryshojnë rrethanat politike.
Kjo është arsyeja pse marrëveshja po shkakton shqetësim. Sepse vendos një precedent: nëse një shteti të Lindjes së Mesme i njihet e drejta për të pasuruar uranium, do të jetë shumë më e vështirë t’u mohohet i njëjti pretendim të tjerëve.

