Deputetja socialiste Romina Kuko ka reaguar për protestat e ditëve të fundit, duke ngritur pikëpyetje mbi atë që ajo e sheh si ngjashmëri mes zhvillimeve në Shqipëri dhe protestave studentore në Francë. Duke iu referuar një analize të Fox News, Kuko thotë se protestat e studentëve kanë kërkesa legjitime, por pretendon se pas disa episodeve të dhunshme mund të ketë organizim, financim dhe një skenar më të gjerë politik.
Në reagimin e saj, deputetja ndalet te sulmet ndaj bankave dhe institucioneve, prania e shtetasve të huaj dhe përfshirja e figurave fetare në debat, duke pyetur se kush i organizon dhe financon këto zhvillime. Sipas Kukos, qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, por edhe të dinë nëse janë pjesë e një proteste spontane apo e një skenari të përgatitur nga të tjerë.
Reagimi i Romina Kukos
Fox News analizon protestën studentore në Francë. Po ta lexosh me kujdes, skenari duket i njohur edhe këtu në Shqipëri https://www.foxnews.com/…/behind-frances-student-riots…
Protesta është e drejtë e shenjtë. Dhe kur vjen puna tek studentët, ndjeshmëria ime është maksimale. Ata qindra të rinj e të reja që kam mentoruar gjatë viteve e dinë mirë forcën me të cilën i mbështes!
Po! Studentët meritojnë kushte dinjitoze. Qera të përballueshme, jetesë jo-skllavëruese, cilësi mësimi pa pseudopedagogë abuzivë që ju shesin librat e tyre paçavure me pahir. Meritojnë laboratorë, specializime jashtë, meritojnë vende pune të fituara me zotësi!
Por kur e shikon nga ana tjetër, kupton se disa “revolta spontane” kanë regji, buxhet dhe aktorë.
Pse digjet banka? Sepse godet simbolin e kapitalizmit. Pse sulmohet gjykata? Sepse godet simbolin e pasojave të drejtësisë. Mesazhi është i zgjedhur me kujdes.
Qëllimi është të tregohet se shteti nuk ekziston dhe çdo institucion bëhet shënjestër dhe çdo rregull bëhet provokim , ky është karburant psikologjik ku siç thoshte nje hajvan dje ne Tv “jepini gaz se shteti nuk ekziston”.
Po shteti mbron këdo nga kushdo që i teket neser t’i kërcënojë jetën apo t’i cënojë pronën!
Pse shtetas të huaj hyjnë nga Kosova dhe dalin në rrugët e Tiranës? Kush i organizon e financon?
Pse përfaqësues fetarë lënë punët e Zotit dhe zgjedhin anë politike? Kur foltorja e Zotit kthehet në tribunë politike humbet edhe paqja fetare që e kemi si krenari.
Simbolika të goditura Autoriteti i shtetit i sfiduar. Para të errëta. Aktorë nga jashtë. Feja e futur në politikë. Alamet skenari.
Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, absolutisht! Por kanë edhe të drejtë të dinë kush shkruan skenarin dhe ku padashje janë aktorë apo figurantë.
Burimi: Politika
