AlbTimes
Subscribe
SAVED POSTS
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Opinion

Rama nuk duhet të dorëhiqet, por duhet të shkojë në zgjedhje

by Alb Times
18/10/2026
in Opinion
6
0
Rama nuk duhet të dorëhiqet, por duhet të shkojë në zgjedhje

Foto: Opinion

6
SHARES
301
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Nga Baton Haxhiu

Dhuna nuk mund të vendosë kush qeveris. Por as refuzimi i dhunës nuk mund t’i shërbejë pushtetit për të shmangur krizën e besimit. Përgjigjen duhet ta japin qytetarët me votë.

Në një bisedë private, dikush nga rrethet ndërkombëtare që e njeh mirë Shqipërinë më parashtroi një propozim për daljen nga kriza. Demokracia, më tha, jeton nga ndryshimi. Kur një parti qëndron gjatë në pushtet, mund të përpiqet ta ofrojë atë përmes një partneri të ri në qeverisje, ndërrimit të ministrave ose largimit të udhëheqësit. Në Shqipëri, sipas këtij vlerësimi, mundësia e parë thuajse mungon, ndërsa e dyta është konsumuar. Ministrat janë ndërruar aq shpesh, sa qytetarët mezi arrijnë t’u mësojnë emrat.

Prandaj propozimi ishte që Edi Rama të tërhiqej nga drejtimi i qeverisë, të qëndronte në krye të Partisë Socialiste dhe t’ia linte drejtimin e ekzekutivit një figure tjetër. Një ndryshim që do të ulte tensionin, duke ruajtur vazhdimësinë politike.

Po e sjell këtë mendim pa emër, sepse ishte një shkëmbim personal, jo një qëndrim zyrtar. Por argumenti meriton përgjigje. Ai prek një dobësi reale të pushtetit të gjatë dhe, njëkohësisht, propozon një zgjidhje për të cilën kam rezerva serioze.

E kuptoj diagnozën. Një udhëheqës mund të ketë ndryshuar shumë gjëra në vend dhe, megjithatë, të bëhet simbol i pamundësisë për ndryshim të mëtejshëm. Arritjet e mëparshme nuk e përjashtojnë konsumimin e besimit. Qytetarët mund t’ia njohin një qeverie punët e kryera dhe të mos duan më të qeverisen në të njëjtën mënyrë.

Por në rastin shqiptar, çështja shkon përtej lodhjes me një fytyrë.

Jetëgjatësia e pushtetit, kur shoqërohet me skandale korrupsioni dhe përplasje mes njerëzve që e kanë ushtruar bashkë atë, prodhon një dyshim më të thellë. Qytetari fillon të pyesë nëse problemi qëndron te personi që largohet apo te mënyra si funksionon qeverisja. Përgjegjësia penale duhet provuar për secilin. Ndërsa përgjegjësia politike lidhet edhe me përzgjedhjen, mbikëqyrjen dhe tolerimin.

Këtu ndërrimi i vazhdueshëm i ministrave e humbet fuqinë bindëse. Në fillim mund të duket si korrigjim. Kur përsëritet, krijon përshtypjen se pushteti po ndryshon personelin për të mos ndryshuar veten. Pas çdo largimi vjen një emër i ri, por pyetjet e vjetra mbeten pa përgjigje.

Rama mund të ketë ende emra për qeverinë. Por emrat e rinj nuk janë më, vetvetiu, një ofertë ndryshimi.

Në këto biseda me përfaqësues ndërkombëtarë më është shtruar edhe një pyetje tjetër. Përse disa prej mediave dhe bizneseve që Rama i ka mbështetur kaq shumë, sot janë kthyer kaq fort kundër tij? Pyetja më shtyn të mendoj për natyrën e marrëdhënies që është ndërtuar mes tyre dhe për atë që ndodh kur interesi që i mbante pranë fillon të ndryshojë.

Pra, Si shpjegohet që disa prej mediave dhe bizneseve që eksponentë të qeverisë i kanë mbështetur kaq shumë, sot ia kanë kthyer shpinën me kaq forcë? Mos vallë kanë marrë aq shumë, sa u vjen marre t’i kërkojnë përsëri? Njeriu që i ka ndihmuar mund të jetë bërë edhe kujtesa e varësisë së tyre. Atëherë largimi i tij mund t’u duket si mundësia për ta nisur nga e para me dikë tjetër, pa peshën e kërkesave të djeshme. Mbetet pyetja nëse duan të ndryshojë mënyra si ushtrohet pushteti apo vetëm njeriu prej të cilit presin të përfitojnë.

Por kjo pyetje kthehet edhe drejt Ramës. Ndihma që kanë kërkuar njerëzit e pushtetit nuk krijon detyrim për besnikëri politike dhe aq më pak për heshtje gazetareske. Një pushtet që e ngatërron afërsinë e interesit me bindjen politike, në ditën e krizës mund ta lexojë largimin si tradhti, pa pyetur çfarë e mbante atë marrëdhënie deri dje.

Megjithatë, kthimi kundër qeverisë nuk është vetvetiu dëshmi pavarësie. Bizneset duhet të tregojnë nëse kërkojnë rregulla të barabarta apo një derë të re për favore. Mediat duhet ta ruajnë dallimin mes raportimit dhe shndërrimit të dhunës në spektakël. Transmetimi i drejtpërdrejtë është informim, por transmetimi joprofesional i komentuar direkt ne TAv,  i paraqitur si fakt dhe përplasja e trajtuar si argëtim e cenojnë atë. Rama, e jo ata që përfituan në qeverisje, nuk mund të kërkojë mirënjohje si detyrim politik. Publiku ka të drejtë të kërkojë profesionalizëm, ndërsa pushteti duhet të kuptojë se marrëdhëniet me përfituesit nuk e zëvendësojnë besimin e qytetarëve.

Edhe përplasjet brenda socialistëve duhen lexuar në këtë kuadër. Në leximin tim, konflikti publik me Arben Ahmetajn është një nga shfaqjet më të dukshme të një problemi më të gjerë. Kur ish-bashkëpunëtorët fillojnë të akuzojnë njëri-tjetrin, publiku nuk sheh vetëm armiqësinë e tyre të sotme. Rikthehet te bashkëqeverisja e djeshme dhe pyet çfarë dinin për njëri-tjetrin kur ndanin pushtetin.

Akuzat kërkojnë prova, pavarësisht kush i shqipton. Megjithatë, pasoja politike e këtyre përplasjeve lind përpara përfundimit të çdo procesi gjyqësor. Ato e bëjnë më të vështirë shpjegimin se çdo dështim ishte një devijim individual, i panjohur për të gjithë të tjerët.

Prandaj propozimi për një kryeministër tjetër ka një dobësi themelore. Nëse Rama vazhdon të marrë vendimet nga drejtimi i partisë, ndërsa dikush tjetër mban përgjegjësinë publike si kryeministër, ndryshimi rrezikon të prodhojë edhe më pak qartësi. Qytetarët do të kërkojnë llogari nga një njeri që mund të mos ketë pushtetin e nevojshëm për t’u përgjigjur.

Një pasues ka kuptim vetëm nëse ka autoritet real për të qeverisur. Përndryshe, pas ministrave që ndërrohen pa ndryshuar mënyra e vendimmarrjes, do të kishim edhe një kryeministër të ndërruar me të njëjtën logjikë.

Megjithatë, nga kjo krizë besimi nuk rrjedh se Rama duhet të japë dorëheqjen sepse në rrugë hidhen gurë apo digjen ndërtesa.

Kam më shumë se tridhjetë vjet përvojë me protestën dhe me përballjen me policinë, fillimisht në Jugosllavi e pastaj nën Serbi. Kjo përvojë më ka bërë të ndjeshëm ndaj dhunës së shtetit, por edhe ndaj çastit kur një përplasje fillon të jetojë nga vetë përshkallëzimi. Atëherë kërkesat rrezikojnë të humbin pas pamjeve të dhunës dhe një viktimë mund ta bëjë shumë më të vështirë kthimin te politika.

Nuk e shoh këtë si një fund të pashmangshëm. Pikërisht sepse mund të parandalohet, përgjegjësia për të vepruar është sot.

Protesta ka të drejtë të kërkojë largimin e qeverisë. Ajo nuk ka nevojë për lejen e pushtetit që ta shtrojë këtë kërkesë. Por zjarrvënia nuk mund të bëhet instrument për të përcaktuar pasuesin e tij. Biznesi që digjet nuk është një abstraksion politik. Është puna, prona dhe jetesa e njerëzve që nuk mund të mbajnë koston e zemërimit të të tjerëve.

Njëkohësisht, policia nuk mund ta trajtojë gjithë protestën si autorin e dhunës. Shteti duhet të mbrojë institucionet, pronën dhe qytetarin që proteston paqësisht. Çdo abuzim policor e dëmton pikërisht autoritetin që pretendohet se po mbrohet.

Kur them se Rama nuk duhet të dorëhiqet, nuk po them se shteti nuk funksionon pa të. Një shtet që varet nga qëndrimi i një njeriu në detyrë ka një problem shumë më të madh se një krizë qeveritare. Dorëheqja mund të jetë akt legjitim përgjegjësie. Ajo që kundërshtoj është ideja se intensiteti i dhunës duhet të përcaktojë largimin e një qeverie.

Por ky kundërshtim nuk i jep Ramës të drejtën të vazhdojë sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Këtu qëndron arsyeja pse mendoj se duhet të shkohet drejt zgjedhjeve të parakohshme. Rruga mund të tregojë përmasën dhe intensitetin e pakënaqësisë, por nuk mund të numërojë vullnetin e të gjithë shoqërisë. Po ashtu, një shumicë parlamentare nuk e bën të panevojshme përgjigjen ndaj një krize të thellë besimi.

Vota ua kthen vendimin edhe atyre që nuk dalin në shesh, edhe atyre që protestojnë, edhe atyre që vazhdojnë ta mbështesin qeverinë. Ajo e detyron opozitën ta shndërrojë kundërshtimin në alternativë dhe qeverinë ta mbrojë bilancin e saj përpara qytetarëve.

Dobësia e opozitës është problem i demokracisë shqiptare. Ajo nuk mund të përdoret pafundësisht si arsye që qeveria të mos përballet me konsumimin e vet. Por as zemërimi ndaj qeverisë nuk mund t’ia japë opozitës një mandat që ende nuk e ka fituar.

Natyrisht, zgjedhjet nuk e zgjidhin krizën vetëm sepse shpallet një datë. Ato kërkojnë një rrugë kushtetuese, kohë të mjaftueshme për përgatitje dhe garanci të besueshme për konkurrencën. Kërkojnë që burimet e shtetit të mos përdoren si pronë e partisë dhe që rezultati të mund të pranohet si vendim i qytetarëve. Ndryshe, mosbesimi vetëm do të zhvendosej nga rruga te kutia e votimit.

Prandaj titulli nuk përmban dy qëndrime që e përjashtojnë njëri-tjetrin. Ai mbron të njëjtin parim në dy drejtime. Dhuna nuk duhet t’i japë mandat askujt, ndërsa pushteti duhet të pranojë një rrugë demokratike për ta provuar sërish besimin.

Rama ka ndërruar mjaft njerëz për ta ditur se kriza nuk zgjidhet gjithmonë me një emër tjetër. Tani duhet të tregojë se mund ta udhëheqë daljen prej saj duke pranuar edhe mundësinë e humbjes.

Nuk i kërkohet të largohet për t’ua lënë fitoren atyre që ushtrojnë dhunë. I kërkohet të hapë rrugën që qytetarët të vendosin nëse duhet të qëndrojë.

Burimi: Opinion

Tags: KryesoretOpinion
SendShare2Tweet2

Lajmet e fundit

Protestuesit hedhin gurë drejt selisë së PS-së! Ndërhyn policia

18/10/2026

Protestuesit shpërndahen në grupe, të rinjtë u vënë flakën koshave të mbeturinave në mes të rrugës

18/10/2026

Trupi i pajetë i gjetur buzë Lanës, policia sqaron ngjarjen: Ishte i dehur dhe u hodh

18/10/2026

Rama nuk duhet të dorëhiqet, por duhet të shkojë në zgjedhje

18/10/2026

Zhvendoset protesta, protestuesit marshojnë drejt qendrës

18/10/2026

VIDEO/ Protestuesit nuk i besojnë as ambulancës që mbërriti për të marrë gazetaren e plagosur, i hapin dyert dhe kontrollojnë për gaz lotsjellës

18/10/2026

Deklarata zyrtare e Policisë: Sekuestruam një karikator me fishekë luftarakë në protestë, ja pse doli RENEA në bulevard

18/10/2026

Protestat e dhunshme në Tiranë, gjykata cakton masa për 38 protestues

18/10/2026

Gjykata lë në burg dy të arrestuarit për vrasjen e Beqir Devollit

18/10/2026

Gjendet një trup i pajetë pranë lumit Lana në Tiranë, detajet e para

18/10/2026

Romina Kuko ngre dyshime për protestat në Shqipëri: Kush i organizon dhe financon sulmet ndaj institucioneve?

18/10/2026

Analisti nxjerr prapaskenat: Berisha nxit dhunën në protestë! Fakti që përfshihet Rusia me krahun e djathtë të Putin tregon shumë…

18/10/2026

Pse po protestojnë fëmijët?

18/10/2026

Tensionohet situata te Ministria e Arsimit, lëndohet një gazetare

18/10/2026

“Mos e mbaj peng Shqipërinë”, demokratët “masakrojnë” Berishën, i kërkojnë largimin nga politika

18/10/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • Protestuesit hedhin gurë drejt selisë së PS-së! Ndërhyn policia
  • Protestuesit shpërndahen në grupe, të rinjtë u vënë flakën koshave të mbeturinave në mes të rrugës

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.