Në një kohë kur qytetarët protestojnë për korrupsionin e kësaj qeverie, Edi Rama ka gjetur kohën të hartojë një manual të ri për mënyrën se si administrata do të udhëtojë jashtë vendit me fondet e buxhetit të shtetit.
Vendimi i miratuar nga qeveria nuk vendos kufizime për udhëtimet. Përkundrazi, ai përcakton me imtësi se si do të organizohen, kush do t’i autorizojë, në çfarë hotelesh do të akomodohen zyrtarët, sa dieta do të marrin dhe cilat shpenzime do të paguhen me paratë e taksapaguesve.
Nga ministrat dhe drejtuesit e institucioneve, te këshilltarët e jashtëm, administrata qendrore, bashkitë dhe institucionet e pavarura, të gjithë do të përfitojnë nga skema e re financiare sa herë që do të nisen për konferenca, takime pune apo trajnime jashtë Shqipërisë.
Një nga pikat që bie më shumë në sy është akomodimi. Vendimi autorizon që zyrtarët e kategorive më të larta të sistemohen në hotele deri në pesë yje, ndërsa kategoritë e tjera në hotele me katër ose tre yje. Madje, dokumenti parashikon që, në raste të veçanta, mund të prenotohet edhe një hotel me klasifikim më të lartë, nëse rezulton më ekonomik ose nëse rezervimi bëhet nga organizatorët e aktivitetit.
Por hoteli është vetëm një pjesë e faturës.
Qeveria do të paguajë biletat e avionit vajtje-ardhje, transportin drejt dhe nga aeroporti, lëvizjet ndërmjet qyteteve të ndryshme në shtetin pritës, tarifat rrugore, siguracionin shëndetësor, vizat, si dhe çdo detyrim tjetër që kërkohet nga vendi pritës.
Përveç kësaj, punonjësit do të përfitojnë dieta ditore për ushqimin, të përcaktuara sipas shtetit ku udhëtojnë dhe funksionit që mbajnë. Për trajnimet afatshkurtra është vendosur një dietë fikse prej 40 euro ose dollarë në ditë, në rastet kur ushqimi nuk mbulohet nga organizatorët.
Një tjetër risi është se çdo institucion do të duhet të hartojë që në fillim të vitit një program me të gjitha aktivitetet ndërkombëtare ku planifikon të marrë pjesë. Programi do të miratohet nga drejtuesi i institucionit dhe mund të ndryshohet gjatë vitit, nëse lind nevoja për udhëtime të tjera.
Punonjësit nuk do të presin më kthimin për të marrë paratë. Vendimi parashikon që ata të marrin paraprakisht në llogarinë bankare fondet për shpenzimet e udhëtimit, ndërsa pas kthimit financa e institucionit do të bëjë rakordimin përfundimtar. Nëse është shpenzuar më pak, diferenca kthehet në Thesar; nëse është shpenzuar më shumë, institucioni kryen rimbursimin.
Dokumenti përcakton edhe rastet kur shpenzimet mbulohen nga organizatorët e aktivitetit. Nëse pala pritëse paguan gjithçka, institucioni shqiptar nuk kryen asnjë pagesë. Nëse mbulon vetëm një pjesë të kostove, shteti paguan diferencën.
Qeveria e paraqet vendimin si një mënyrë për të rritur disiplinën financiare dhe planifikimin e udhëtimeve zyrtare. Megjithatë, akti nuk vendos kufizime për numrin e delegacioneve apo për fondet që do të përdoren për udhëtimet jashtë vendit. Ai thjesht përcakton më qartë se si do të paguhet çdo biletë avioni, çdo natë hoteli, çdo dietë dhe çdo shpenzim tjetër, të gjitha me fondet e buxhetit të shtetit.
Vendimi
I. RREGULLAT PËR DËRGIMIN ME SHËRBIM TË PUNONJËSVE JASHTË VENDIT
1. Punonjësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, përfshirë edhe këshilltarët e jashtëm në njësitë e qeverisjes qendrore, të cilët dërgohen me shërbim jashtë vendit për të marrë pjesë në veprimtari ndërkombëtare, konferenca, takime pune ose trajnime afatshkurtra të nevojshme për mbarëvajtjen e punës, përfitojnë trajtim financiar për mbulimin e shpenzimeve të shërbimit.
Në kuptim të këtij vendimi, si trajnime afatshkurtra të nevojshme për mbarëvajtjen e punës konsiderohen trajnimet me kohëzgjatje jo më shumë se një muaj.
2. Në fillim të çdo viti, njësitë e qeverisjes së përgjithshme, në përputhje me fondet buxhetore të disponueshme, hartojnë dhe miratojnë programin vjetor të veprimtarive që do të zhvillohen jashtë vendit. Programi miratohet nga titullari i institucionit dhe, kur është e nevojshme, mund të rishikohet ose të përditësohet gjatë vitit.
3. Dërgimi me shërbim jashtë vendit kryhet me urdhër të titullarit të njësisë së qeverisjes së përgjithshme, nga e cila varet njësia shpenzuese. Në urdhër përcaktohen niveli i përfaqësimit të institucionit, qëllimi i shërbimit, si dhe numri i punonjësve pjesëmarrës. Për qëllimet e këtij vendimi, “titullar i njësisë së qeverisjes së përgjithshme” është:
a) Për njësitë e qeverisjes qendrore:
i. Ministri ose personi i deleguar prej tij, për aparatin e ministrisë; ndërsa, për çdo institucion në varësi të Kryeministrit ose të ministrisë, titullari i institucionit përkatës;
ii. Sekretari i Përgjithshëm i institucionit përkatës, për aparatin e institucionit të Presidentit të Republikës, të Kuvendit dhe për deputetët, të Kryeministrisë, si dhe të institucioneve kushtetuese;
iii. Titullari i institucionit për institucionet e tjera të pavarura;
iv. Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për aparatin përkatës të këtyre organeve;
v. Kryetari i gjykatës përkatëse për gjyqtarët dhe aparatin e gjykatave të tri niveleve.
b) Për njësitë e qeverisjes vendore, është kryetari i njësisë;
c) Për fondet speciale, është titullari i fondit special.
II. SHPENZIMET DHE RREGULLAT PËR DËRGIMIN ME SHËRBIM TË PUNONJËSVE JASHTË VENDIT
1. Shpenzimet për dërgimin me shërbim të punonjësve jashtë vendit përfshijnë:
1.1. Shpenzimet e transportit, si më poshtë vijon:
a) shpenzimet e transportit për vajtje-ardhje jashtë vendit;
b) shpenzimet e transportit nga vendi i nisjes deri në aeroport dhe nga aeroporti në destinacion, si dhe anasjelltas;
c) shpenzimet e transportit për lëvizjet ndërmjet qyteteve të ndryshme, brenda shtetit pritës, kur këto lëvizje kryhen për nevoja pune dhe janë parashikuar paraprakisht në urdhrin e shërbimit;
ç) shpenzimet për pagesën e tarifave rrugore (tolla, taksa autostradash ose tarifa të ngjashme) që lidhen me transportin kombëtar ose ndërkombëtar.
1.2. Shpenzimet e akomodimit në hotel, që mbulohen në mënyrë të diferencuar sipas kategorive të përcaktuara në lidhjen nr.1, si më poshtë vijon:
a) Për kategoritë 1 dhe 2, akomodimi në hotel deri në 5 yje;
b) Për kategoritë 3 dhe 4, akomodimi në hotel deri në 4 yje;
c) Për kategorinë 5, akomodimi në hotel deri në 3 yje.
Në raste të veçanta, kur organizohen veprimtari ndërkombëtare dhe rezervimi kryhet nga organizatorët ose kur natyra e veprimtarisë nuk lejon ndarjen e grupit në hotele të ndryshme, shpenzimet e fjetjes njihen në bazë të faturës përkatëse. Nga ndarja në kategori për efekt të shpenzimeve të akomodimit përjashtohen punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë, të cilët janë përgjegjës për mbrojtjen dhe ruajtjen e personaliteteve, sipas përcaktimeve të legjislacionit përkatës, të cilët akomodohen në të njëjtin hotel me personalitetin që shoqërojnë.
Kur distanca ndërmjet hotelit dhe destinacionit, ku zhvillohet veprimtaria, duke respektuar kategoritë e përcaktuara më sipër, është e konsiderueshme, si edhe në rastet kur gjatë procedurës së përzgjedhjes së ofertave rezulton se një strukturë hoteliere me klasifikim më të lartë (më shumë yje) ofron tarifë më të ulët ose të barasvlefshme me atë të strukturave të parashikuara në këtë vendim, titullari i institucionit miraton në urdhrin e shërbimit akomodimin në këtë kategori më të lartë hotelerie.
1.3. Shpenzimet për pagesa të ndryshme, që lidhen me udhëtimin dhe qëndrimin jashtë vendit, përfshirë siguracionin shëndetësor, taksën e vizës, qiranë e zyrës, si dhe çdo taksë apo detyrim tjetër të përcaktuar nga legjislacioni i vendit pritës. Për çdo shpenzim tjetër, që nuk është i parashikuar në këtë vendim, merret paraprakisht mendimi i ministrisë përgjegjëse për financat.
1.4. Shpenzimet ushqimore për ditët e qëndrimit, që caktohen sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij në euro/USD, për çdo grup funksionesh dhe shtetesh, si dhe sipas tabelës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për kategorizimin e shteteve në grupe. Përjashtimisht, për punonjësit që dërgohen jashtë vendit për trajnime afatshkurtra, masa e shpenzimit ushqimor është 40 euro/USD në ditë, në rastet kur kjo nuk mbulohet nga pala pritëse. Kur shpenzimi ushqimor mbulohet pjesërisht nga pala pritëse, në një vlerë më të ulët se 40 euro/USD, masa e përfitimit llogaritet si diferencë e kësaj vlere.
2. Për qëllim të këtij vendimi, në tabelën nr.1, togfjalëshi “të barazvlefshme me ta në pagë” nuk përfshin shtesat mbi pagë për vjetërsi në punë, për kushte apo natyrë të veçantë pune, si dhe për vështirësi dhe dëmshmëri, por vetëm pagën e pozicionit.
3. Në rastet e dërgimit me shërbim jashtë vendit, struktura përgjegjëse e njësive të qeverisjes së përgjithshme për sigurimin e transportit dhe akomodimit të punonjësve duhet të marrë në konsideratë kostot ekonomike të operatorëve të shërbimit, si dhe mundësitë për të siguruar transport dhe akomodim në distanca sa më të shkurtra nga vendi ku organizohet aktiviteti.
III. PROCEDURA E MBULIMIT TË SHPENZIMEVE
Shpenzimet e përcaktuara në kreun II të vendimit përballohen, sipas përcaktimeve të mëposhtme:
1. Në rastet kur njësia ngarkohet të mbulojë tërësisht shpenzimet, ato paguhen nga buxheti i miratuar i njësisë. Përjashtohen nga ky përcaktim shpenzimet për telefonatat nga hoteli apo telefoni celular personal, bari i dhomës, si dhe shpenzimet për transportin urban, të cilat mbulohen nga vetë punonjësi.
2. Në rastet kur aktiviteti/veprimtaria mbulohet pjesërisht nga pala pritëse, të cilat dokumentohen zyrtarisht nga pritësi, pjesa tjetër e shpenzimeve përballohet nga buxheti i institucionit.
3. Në rastet kur shpenzimet e aktivitetit mbulohen plotësisht nga pala pritëse, institucioni përkatës nuk kryen asnjë pagesë apo shpenzim në lidhje me pjesëmarrjen e punonjësit në këtë aktivitet.
4. Në rastet kur përfaqësimi në aktivitetet ndërkombëtare realizohet me pjesëmarrjen e punonjësve nga njësi të ndryshme të qeverisjes së përgjithshme, shpenzimet e tyre përballohen nga buxheti i çdo njësie përkatëse të qeverisjes së përgjithshme. Përjashtim nga ky përcaktim bëhet për punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë, të cilët janë përgjegjës për mbrojtjen dhe ruajtjen e personaliteteve, sipas përcaktimeve të legjislacionit përkatës, shpenzimet e të cilëve përballohen nga buxheti i institucioneve të personaliteteve përkatëse ose nga buxheti i Gardës së Republikës së Shqipërisë, pjesë e të cilit ata janë.
5. Për shkak të rrethanave madhore dhe të paparashikuara, mund të ndodhë që punonjësi i caktuar për kryerjen e shërbimit jashtë vendit të mos sigurojë prezencën në aktivitet ose ta përfundojë atë. Në këto raste, të gjitha shpenzimet e kryera deri në atë moment, së bashku me kostot e mundshme përkatëse, përballohen nga buxheti i njësisë.
Për qëllim të këtij vendimi, si rrethana madhore dhe të paparashikuara konsiderohen, ndër të tjera: sëmundja e menjëhershme ose ndërrimi i jetës së punonjësit apo i një anëtari të familjes së tij, anulimi i aktivitetit nga organizatorët, çështje të sigurisë nga akte lufte apo terrorizmi, fatkeqësitë natyrore, aksidentet rrugore, anulimet dhe vonesat e mjeteve të transportit që nuk varen nga punonjësi dhe që vërtetohen me dokumentacion përkatës, urdhri i titullarit për angazhim në çështje të tjera që e bëjnë të pamundur pjesëmarrjen në aktivitet, si edhe rastet e ndërprerjes së marrëdhënieve të punësimit, sipas legjislacionit në fuqi. Në çdo rast tjetër, të ndryshëm nga sa parashikohet më sipër, shpenzimet përballohen nga vetë punonjësi.
IV. PROCEDURA E KOMPENSIMIT TË SHPENZIMEVE
1. Kompensimi për shpenzimet e kryera për dërgimin me shërbim jashtë vendit bëhet për çdo shpenzim të përcaktuar në kreun II të vendimit, vetëm në rastet kur ato nuk paguhen nga institucioni.
Në çdo rast, kompensimi i shpenzimeve bëhet sipas faturës, biletës ose dokumentit përkatës justifikues elektronik apo fizik, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi.
2. Punonjësi i institucionit, i cili dërgohet me shërbim ose trajnim jashtë vendit mbi bazën e shkresës autorizuese të titullarit, përfiton, përpara nisjes së udhëtimit, në formë paradhënieje në llogarinë e tij bankare, pjesën e shpenzimeve që lidhen me shërbimet e udhëtimit. Pjesa e shpenzimeve që lidhet me biletat e avionit vajtje – ardhje dhe me akomodimin në hotel është detyrim dhe sigurohet drejtpërdrejt nga institucioni/njësia përgjegjëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në rastet kur shpenzimet e akomodimit në hotel nuk sigurohen paraprakisht nga institucioni/njësia përgjegjëse, punonjësi kryen vetë me shpenzimet e tij rezervimin dhe/ose pagesën e hotelit.
Pas kthimit nga shërbimi, njësia përkatëse e financës e institucionit bën llogaritjen e shpenzimeve faktike, mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur nga punonjësi dhe, sipas rastit, institucioni derdh në kohën më të shpejtë të mundshme në llogarinë bankare të punonjësit diferencën e shumës së përfitueshme ose të papërfituar, ose punonjësi kthen pjesërisht në llogarinë e unifikuar të thesarit shumën e tepërt të parapaguar, e cila është arkëtuar paraprakisht nga punonjësi në arkën e institucionit, pas kthimit nga udhëtimi.
V. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Këto rregulla rekomandohen të zbatohen edhe për entet publike jobuxhetore, ndërmarjet shtetërore dhe shoqëritë tregtare me kapital mbi 50 për qind shtetëror.
2. Vendimi nr.870 datë 14.12.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë vendit”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”

