Eurodeputetja italiane e Aleancës së Gjelbërve dhe të Majtës (Avs), Ilaria Salis, është dënuar nga Gjykata e Milanos për pushimin nga puna pa shkak të drejtë të dy ish-bashkëpunëtorëve të saj në Bruksel.
Sipas vendimit të gjyqtarit të seksionit të Punës, Franco Caroleo, Salis duhet të dëmshpërblejë dy ish-punonjësit me një shumë totale prej mbi 300 mijë eurosh.
Vendimi parashikon 300.900 euro kompensim për pagat që ata do të kishin përfituar deri në përfundimin e mandateve të tyre, si dhe 10 mijë euro për shpenzimet ligjore.
Çështja lidhet me largimin e dy bashkëpunëtorëve në shkurt të vitit 2025, vetëm pak muaj pasi ishin punësuar në stafin e eurodeputetes. Kontratat e tyre ishin parashikuar të zgjasnin deri në përfundimin e mandatit parlamentar më 16 korrik 2029.
Sipas gjykatës, Salis nuk ka arritur të provojë ekzistencën e një “shkaku të drejtë” për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës. Njëri prej bashkëpunëtorëve u largua me argumentin e “humbjes së marrëdhënies së besimit”, ndërsa tjetrit iu revokua kontrata për shkak të pakënaqësive mbi punën e tij.
Dy ish-bashkëpunëtorët kishin role të lidhura me zhvillimin e projekteve, organizimin e fushatave dhe eventeve, si dhe këshillimin politik për aktivitetin e eurodeputetes.
Avokatët e tyre thanë se kishin kërkuar njoftimin e Salis për procesin në adresën zyrtare të banimit, ndërsa eurodeputetja mësoi për dënimin vetëm pasi vendimi ishte dhënë.
Salis, e cila u arrestua në Hungari në vitin 2023 nën akuzën për sulm ndaj militantëve të ekstremit të djathtë gjatë protestave të “Ditës së Nderit”, u zgjodh eurodeputete me Avs në qershor të vitit 2024. Ajo ka bërë të ditur se do të apelojë vendimin.
Eurodeputetja italiane Ilaria Salis nuk është e panjohur për një pjesë të shqiptarëve. Pak javë më parë, ajo erdhi në Tiranë dhe iu bashkua protestës para Kryeministrisë. Ajo mbajti edhe një fjalim me të cilin deklaroi se Shqipëria dhe pasuritë e saj natyrore nuk janë “plaçkë për t’u shitur”.
Eurodeputetja bëri thirrje për mbrojtjen e ishullit të Sazanit dhe Lagunës së Nartës.

