Rexhep Taip Erdogan, arsyen më të fortë të përplasjes me Edi Ramën, ka pasur tezën e “shtetit bektashi”, pra pajisjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane të Baba Mondit me një urdhër sovran të një lloj ekstraterritorialiteti ndërkombëtar.
Në një notë zyrtare, Ankaraja e ka bërë të qartë se këtë tezë e konsideron një ‘vijë të kuqe’ në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Edhe pse mund të duket si një qëndrim radikal i Erdoganit, në të vërtetë, ai është në linjën tradicionale të politikës së shtetit turk, i cili nuk ka lejuar asnjëherë që komunitetet islamike, përkatësisht bashkësitë klerikale muslimane në Ballkan, të kenë autoqefali.
Ndërkaq, çështja e bektashinjve është një çështje edhe më e komplikuar se kaq, pasi përplasja e parë e madhe ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë erdhi kur qendra e sektit bektashian, përkatësisht Kryegjyshata Botërore Bektashiane, vendosi selinë e saj në Shqipëri.
Në vitin 1925, Mustafa Qemali- Ataturku përzuri nga Anadolli urdhrin bektashi, që ndodhej në Nevsehir, në zemër të Turqisë. Një urdhër që nuk ishte thjesht një kult fetar, por një qendër graviteti e kulturës, mendimit dhe filozofisë sufiste brenda islamit.
Pranimi nga Mbreti Zog i Kryegjyshatës Bektashiane në Tiranë e xhindosi Ataturkun, aq sa të dy i patën gjithë kohën marrëdhëniet e prishura.
Ndërkaq, qeveritë turke pas vitit 1990, kur u rikthyen kultet fetare, kanë pasur marrëdhënie të ftohta me bektashinjtë. Madje, publikisht nuk ka pasur takime institucionale, duke mos e njohur por as e ngacmuar njëri- tjerin.
Mirëpo, nisma e Edi Ramës për shtetin bektashi, e në veçanti marrëdhëniet e mira të Izraelit me Baba Mondin dhe Kryegjyshatën, kanë sjellë një ofensivë politike të Turqisë për të bërë një puç institucional tek bektashinjtë.
Më datë 27 gusht, ditën më të shenjtë për Bektashinjtë, si dhe për të gjithë muslimanët shiitë, ambasadori turk në Tiranë ka takuar një klerik bektashi të Elbasanit për ta uruar për muajin Muharrem dhe Ditën e Ashures.
Për bektashinjtë dhe shiitët, Muharremi dhe Dita e Ashures përkujtojnë një nga ngjarjet më tragjike, ajo që quhet Beteja e Qerbelasë, e cila është edhe pjesë e letërsisë botërore, kur ushtria e kalifatit suni rrethoi në Qerbela nipat e profetit Muhamed, imam Hysenin dhe Imam Hasanin, dhe i la në një rrethim 11-ditor pa ujë, duke i kthyer të gjithë besimtarët në martirë.
Ambasadori turk në Tiranë, B. Ceyhun Erciyes, ka bërë një postim të veçantë, ku thekson se “me rastin e muajit Muharrem dhe Ditës së Ashures, zhvilloi një vizitë kortezie tek Haxhi Baba Admir Selmani në Gjyshatën Bektashiane të Elbasanit. Kjo traditë e lashtë, një ndër shenjat më të çmuara të trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore dhe të hapësirës sonë shpirtërore, vazhdon të na bashkojë nën frymën e vëllazërisë. Urojmë që muaji Muharrem t’i sjellë mbarë njerëzimit paqe, qetësi dhe begati.”
Takimi i një kleriku lokal nuk është gjë tjetër veçse thyerje e protokollit dhe rregullit të Kryegjyshatës, çfarë tregon se ka nisur një luftë të hapur për të larguar Baba Mondin. Një puç të tillë Ankaraja e ka nisur prej kohësh edhe me Komunitetin Musliman Shqiptar, ku ka objektiv heqjen e kreut të saj, Bujar Spahiu, për ta zëvendësuar me një besnik të tyre.
Me një fjalë, Turqisë i bie ngushtë autoqefalia e institucioneve të besimit islam në Shqipëri.

