Rezidencat elitare pranë TEG-ut, apartamente në zemër të Tiranës, toka në Qeparo dhe projekte ndërtimi në Farkë përbëjnë vetëm një pjesë të pasurive të sekuestruara të familjes së vëllezërve Franc e Hajdar Çopja, të cilët akuzohen si krerët e njërës prej organizatave kriminale më të përfolura në vend, të përfshirë në vrasje, trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe skema komplekse të pastrimit të parave.
Në total, vetëm një segment i dokumentuar i këtyre aseteve arrin rreth 10 milionë euro, ndërsa vlera reale mendohet shumë më e lartë.
Por pas një viti që prokuroria e Posaçme njoftoi sekuestrimin e këtyre pronave, pjesa më e madhe e tyre janë thjesht nën ruajtje, por askush nuk është ofruar, edhe pse ndërtesat janë super luksoze apo pronat, kryesisht arë, ndodhen në zona turistike.
Zyrtarë të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara thonë se pronat janë futur në proces dhënieje me qira, por interesi ka qenë minimal. Hezitimi për t’i marrë në përdorim këto prona lidhet drejtpërdrejt me emra të njohur të botës së krimit të organizuar. Askush nuk guxon t’u afrohet.
Hetimet mbi klanin “Çopja” tregojnë një rrjet të sofistikuar ku paratë e trafikut të kokainës janë kanalizuar drejt ndërtimit, pronave luksoze dhe investimeve në Shqipëri dhe jashtë saj.
Raporte të ndryshme të organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve shtetërore konfirmojnë se sektori i ndërtimit dhe ai i pasurive të paluajtshme janë ndër kanalet kryesore për pastrimin e parave të krimit të organizuar. Arsyeja kryesore është mundësia për të qarkulluar shuma të mëdha cash, për të fryrë vlerën e pronave dhe për të fshehur origjinën reale të fondeve përmes kontratave dhe investimeve ndërtimore.
Një studim i Fondacionit Friedrich Ebert për Shqipërinë thekson se gjatë periudhës 2015–2024, një pjesë e madhe e bumit të ndërtimit nuk justifikohet nga burime të ligjshme financimi, duke ngritur dyshime të forta për kapital me origjinë të padeklaruar ose kriminale.
Po ashtu, një raport i Global Initiative Against Transnational Organized Crime vlerëson se rreth 1.6 miliardë euro janë pastruar përmes tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri vetëm në një periudhë disa vjeçare, duke e bërë ndërtimin një nga sektorët më të ekspozuar ndaj krimit financiar.
Në kërkim të lingotave të arit
Mëngjesin e 2 prillit të 2025 një grup i forcave speciale u paraqit në hyrje të vilës trekatëshe në lagjen 5 Maji në Elbasan. E ndërtuar fillimisht si një shtëpi e thjeshtë përdhese në vitet ’90, godina në rrugën “Demir Sula”, forcat operacionale u përballën me një rezidencë moderne e rrethuar me kamera sigurie në çdo kënd.
Brenda, gjithçka është e ndarë në mënyrë të rregullt dhe të kuruar. Në katin e parë një sallon i madh i mobiluar, një kuzhinë moderne, një dhomë gjumi dhe tualet, ndërsa një garazh i brendshëm lidhet me sistemet e sigurisë. Ngjitur me shkallët, kati i dytë të çon në dy dhoma gjumi të mëdha, secila me tualet dhe garderobë, dhe mbi të një tarracë që është kthyer në një hapësirë të ndarë e të mobiluar për qëndrim. Poshtë, në katin nëntokë, gjendet një palestër e pajisur dhe një depo, ndërsa në pjesën e pasme, përmes një dere të jashtme, hapen garazhe shtesë dhe një godinë e vogël që përdoret si zyra.
Është një nga pasuritë e sekuestruara të Franc Çopjas, për të cilën thuhet se kurrë nuk ka jetuar aty. Por forcat speciale nuk ishin aty në kërkim të Francit, as njerëzve të tjerë të kërkuar nga drejtësia, por në kërkim të lingotave të arit.
Nga komunikimet e zbuluara në hetim, rezulton se në janar të vitit 2021 Franc Çopja ka shfaqur interes të veçantë për blerjen e arit të pastër 24 karatësh, ndërsa personi që merrej me sigurimin dhe qarkullimin e tij ishte kambisti Maklen Mici. Sipas dosjes, në një prej episodeve Mici dyshohet se i ka siguruar Çopjes rreth 10 kilogramë flori, ndërsa më pas i është kërkuar edhe një sasi shtesë prej 30 kilogramësh, e cila rezulton të jetë sjellë në Shqipëri.
Hetuesit kanë dokumentuar gjithashtu komunikime dhe materiale fotografike që tregojnë lingota ari, të cilat sipas vlerësimeve arrijnë në rreth 15.4 milionë euro. Në këto komunikime, Mici shfaqet si personi që ka siguruar dhe transportuar këtë sasi ari për llogari të Franc Çopjes.
Referuar këtyre bisedave, grupi i forcave speciale u urdhërua të gërmojë pothuajse të gjithë sipërfaqen rreth 350 metra katrorë që rrethon vilën.
Aksioni i 2 prillit dështoi, por pas ikjes së policëve askush nuk ka vënë më këmbë në vilën e fortifikuar, e cila është marrë nën administrim nga Agjencia e Pronave të Sekuestruara. Procedurat e këtij institucioni për dhënien me qira të rezidencës kanë dështuar, ashtu siç kanë dështuar çdo tentativë për çdo objekt që i përket klanit Çopja.
Është një nga ato prona që, siç shprehet kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, konsiderohet me risk të lartë. Për të parandaluar çdo të papritur, agjencia ka preferuar thjesht të administrojë këto prona, të paktën derisa Gjykata të japë vendimin final, t’i konfiskojë, apo t’ia kthejë pronarit në rast se shpallet i pafajshëm.
“Ne si Agjenci, pasi na kalon lista e pronave që do të marrim në administrim, fillimisht bëjmë verifikimin e tyre në terren. Më pas kemi një procedurë tjetër që është ajo e riskut. Disa pasuri të paluajtshme, për të cilat vlerësojmë se janë me risk, ne i mbajmë në administrim, pasi është e vështirë që dikush të pranojë të jetojë aty me qira, përgjithësisht kur janë të sekuestruara, apo t’i blejë kur janë të konfiskuara”, thotë Risena Xhaja.
Bazuar në të dhënat e raportuara nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), gjatë vitit 2025, vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara arrin rreth 45.4 milionë euro. Nga kjo shumë, rreth 43.49 milionë euro përfaqësojnë asetet e sekuestruara, që përbëjnë afërsisht 96% të totalit, ndërsa rreth 1.91 milionë euro përfaqësojnë asetet e konfiskuara, ose rreth 4% të vlerës së përgjithshme.
Të dhënat tregojnë se pjesa dërrmuese e pasurive mbetet e sekuestruar dhe jo e konfiskuar përfundimisht, çka nënkupton se ato janë ende nën hetim ose në proces gjyqësor.

