Nuk kanë fund bëmat e ministrave të Edi Ramës. Ermal Nufi mori drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes në shkurt, duke zëvendësuar Pirro Vengun, i cili e ktheu ministrinë në vend qokash për familjarët.
Por nuk mbeti pas as Ermal Nufi, i cili ka bërë miliona duke shëtitur nga njëri bord në tjetrin. Sipas deklaratës pasurore të dorëzuar prej tij për vitin që lamë pas, rezulton se Nufi ka marrë 7 paga shteti, 5 prej të cilave si anëtar bordi. Dy të tjerat si ministër dhe te Albpetrol.
Zëri më i lartë i të ardhurave rezulton nga projekti strategjik “Durres Yacht & Marina”, ku ministri ka deklaruar 18 mijë euro të ardhura neto vetëm për vitin 2025.
Një tjetër përfitim i rëndësishëm rezulton nga kompania shtetërore e prodhimit ushtarak KAYO SH.A, ku Nufi ka deklaruar 1.289.276 lekë të ardhura neto nga pjesëmarrja në bordin drejtues.
Lista e pagesave vijon me 471.240 lekë të përfituara nga ALBPETROL, 106.250 lekë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe 51 mijë lekë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Në total, vetëm nga pjesëmarrja në borde dhe këshilla drejtues, ministri i Mbrojtjes ka deklaruar përfitime që kalojnë 3.7 milionë lekë, pa përfshirë pagën e tij si drejtues në sektorin publik.
Ndërsa të ardhurat janë shtuar, deklarata tregon se ministri ka realizuar edhe investime personale. Më 9 maj 2025, ai ka blerë një automjet në pronësi të plotë me vlerë 15 mijë euro, transaksion i regjistruar me kontratë zyrtare.
Përfitimet e Nufit nga bordet:
1. Durres Yacht & Marina: 18,000.00 EUR
2. KAYO SH.A: 1,289,276.00 ALL
3. ALBPETROL SHA: 471,240.00 ALL
4. Agjencia Shtetërore e Kadastrës: 106,250.00 ALL
5. Autoriteti Rrugor Shqiptar: 51,000.00 ALL
Prej muajsh, emri i Ermal Nufit është shoqëruar me akuza dhe denoncime publike për konflikte të mundshme interesi. Pamfleti ka raportuar më herët se vëllai i ministrit, Edmir Nufi, është aksioner në kompaninë “Maritime Logistics”, e cila operon në Terminalin e Kontejnerëve në Portin e Durrësit.
Sipas dokumenteve të publikuara më parë, kompania u pajis me të drejtën e ushtrimit të aktivitetit në port në periudhën kur Ermal Nufi po ngjitej në strukturat e larta të qeverisë. Pikërisht këtu janë ngritur dyshimet për konflikt interesi, pasi Ministria e Mbrojtjes ka nën varësi struktura që ushtrojnë kontroll dhe mbikëqyrje në zonën portuale.
Një tjetër element që ka shoqëruar debatet publike lidhet me raportimet për lidhje të afërta të familjarëve të ministrit me kompani që kanë përfituar kontrata dhe tenderë publikë gjatë viteve kur Nufi ka mbajtur poste me ndikim në administratë.
Nga marina turistike te industria ushtarake, nga sektori i naftës te infrastruktura rrugore dhe kadastra, emri i Ermal Nufit shfaqet në një listë institucionesh që i kanë siguruar të ardhura shtesë gjatë vitit 2025. Dhe pikërisht këto përfitime, të kombinuara me debatet e vjetra për konflikt interesi, pritet të rikthejnë sërish vëmendjen mbi mënyrën se si shpërndahen postet dhe pagesat në majat e administratës shtetërore. /Pamfleti

