Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, shprehu besimin se Prokuroria e Posaçme do të respektojë vendimet e Gjykatës së Strasburgut dhe të Gjykatës së Lartë lidhur me çështjen e 21 Janarit.
I ftuar në emisionin “Real Story”, Balla deklaroi se SPAK ka detyrime për të zbatuar vendimet e gjykatave, ndërsa kujtoi edhe rezolutën e miratuar nga Kuvendi në sesionin e kaluar, përmes së cilës, sipas tij, i është kërkuar prokurorisë të hetojë çështje me ndjeshmëri të lartë publike, si 21 Janari dhe Gërdeci.
“Kam shumë besim që Prokuroria e Posaçme do të respektojë vendimin e Gjykatës së Strasburgut dhe po ashtu vendimin e Gjykatës së Lartë. Prokuroria e Posaçme ka disa detyra me vendim gjykate për t’i zbatuar”, u shpreh Balla.
Ai theksoi se nuk disponon detaje mbi dosjen, por nënvizoi se, sipas tij, prokuroria nuk duhet t’i shmanget përgjegjësive përmes argumentit të parashkrimit.
“Unë nuk kam detaje të dosjes, se nuk kam si t’i kem, por përsëri mendoj që prokuroria nuk duhet t’i shmanget përgjegjësive me teorinë e parashkrimit”, deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të PS-së.
Balla ngriti shqetësimin se parashkrimi mund të përdoret si argument për të mos vijuar me përgjegjësitë që lidhen me çështjen, duke përmendur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Lulzim Bashën.
“Besoj, shpresoj dhe uroj që prokurorët të mos përdorin elementin e parashkrimit për t’i shpëtuar përgjegjësisë, sepse në rastin në fjalë janë katër persona të vrarë”, u shpreh ai.
Në përfundim, Balla theksoi se vrasjet dhe të gjitha veprimet e kryera në bashkëpunim, të cilat sipas tij kanë çuar në atë që e cilësoi si “krim shtetëror”, duhet të vihen para drejtësisë.
Deklaratat e Ballës vijnë në kuadër të diskutimeve mbi hetimet për ngjarjet e 21 Janarit, ku mbetën të vrarë katër protestues, dhe përgjegjësitë që mund të dalin nga hetimi i kësaj çështjeje.
Burimi: Politika
