Nga Berat Buzhala
Kur e sheh sot turrin e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje për t’i fryrë zjarrit në Shqipëri, secili njeri me logjikë minimale e pyet veten: “Po këta, çfarë kanë?”
Këtu fillon teza ime.
“A e dini arsyen e vërtetë pse Rusia e ka sulmu Ukrainën?” pyeste në vitin 2022 një gazetar i njohur perëndimor.
Nuk është frika nga NATO-ja, nuk janë as pasuritë nëntokësore, e as gjoja një histori e përbashkët e Rusisë dhe Ukrainës.
Vladimir Putin, thoshte gazetari i njohur, ndihet i kërcënuar me e pasë në kufi të Rusisë një Ukrainë të suksesshme demokratike.
Një popull me 50 milionë banorë, shumë i lidhur kulturalisht me rusët, një ditë mundet me u shërby rusëve si inspirim.
Një fqinj i suksesshëm dhe i integrum mund me qenë opozitë në shtetin tjetër pa themelu parti. Mjafton me ekzistu.
Mjafton popullata me e pa si model.
Kur e sheh turrin e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje për me i fry zjarrit në Shqipëri, secili njeri normal e pyet veten: “Po këta çfarë kanë?”
Këtu fillon teza ime për raportin e Albin Kurtit me Shqipërinë.
Albini nuk ka fuqi për me e realizu, le të themi, një Anschluss in reverse. Nuk ka mundësi për inkursion ushtarak në një vend të NATO-s.
E vetmja mundësi që ka është që, përmes amplifikimit të propagandës dhe gjysmë të vërtetave, të mundohet ta mbajë edhe Shqipërinë pjesë të klubit të shteteve që nuk mund të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, si Kosova, Serbia dhe Bosnja.
Qysh bohet kjo?
Duke kontribu edhe me resurse njerëzore, edhe me ekspertë të koktejit Molotov, për me i mbajtë gjallë dhunën dhe krizën në rrugët e Tiranës.
Një Shqipëri e integrume në Bashkimin Evropian ia prish Albinit tregimin që mundohet me ua shitë shqiptarëve në Kosovë dhe shqiptarëve kudo në botë.
Deri në fund të kësaj dekade, tre vjet prej sot, kur shqiptarët e Kosovës do të nisen me familje për me shku në det në Shqipëri, në Morinë kanë me e lexu një tabelë ku shkruan: “Mirë se vini në Bashkimin Evropian”.
Për shqiptarët e Kosovës, kjo tabelë do të jetë arsye për gëzim. Gjysma e kombit tashmë është edhe në NATO, edhe në Bashkimin Evropian.
Mirëpo, për politikën e Kurtit, ky është problem i madh.
Ajo tabelë nuk ka me tregu veç vendin ku fillon Bashkimi Evropian.
Ajo tabelë ka me tregu edhe vendin ku mbarojnë arsyetimet e një kryeministri dhe të një qeverie të paaftë.
Shoqëria shqiptare është e lidhur.
Njerëzit e flasin pak a shumë të njëjtën gjuhë. Udhëtojnë çdo vikend, bëjnë pushime, krijojnë familje të përbashkëta, punojnë dhe investojnë këndej e andej kufirit.
Një Shqipëri në Bashkimin Evropian dhe në NATO, stabile dhe e zhvilluar, nuk është një sukses dhe një pamje që kosovari mesatar nuk do ta shohë dhe nuk do ta prekë.
Është vendi ku edhe fëmijët e pyesin: “Pse Shqipëria është më e zhvillume se na, pse ka rrugë ma të mira, pse ka arsim ma të mirë?”
Pse veç na, Serbia e Bosnja kemi mbetë jashtë?
Ky është momenti që do ta shembë gjithë kështjellën prej letre, që do t’i zhvlerësojë denglat e Kurtit mbi “prosperitetin e padëgjuar të Kosovës”.
Merreni shembull Kroacinë.
Kroacia është anëtarësu në BE në vitin 2013. Deri në shtator të këtij viti, Kroacia ka përfitu prej buxhetit të Bashkimit Evropian 14 miliardë euro ma shumë sesa kontributet që i ka dhënë.
Merreni shembull urën që i lidh dy pjesë të Kroacisë, le të themi Dubrovnikun me Splitin. Për ndërtimin e saj, Bashkimi Evropian i ka dhënë 357 milionë euro.
Kjo është gjuha që njerëzit e kuptojnë.
Në momentin që hyn në Bashkimin Evropian, nuk ka mo kapituj, harmonizime, acquis communautaire.
Ka ura, ka rrugë, ka ujësjellës. Me standarde të BE-së.
Kohëve të fundit kam bisedu me shumë njerëz në Tiranë që janë skeptikë për vlerën që mundet me e sjellë anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Praktikisht, dembeli nuk fiton kurrgjo.
Mirëpo, qytetari shqiptar që ka ide dhe iniciativë fiton shumë. Për shkak të GDP-së mesatare ma të ulët se ajo e Kroacisë, Shqipëria ka me fitu shumë ma shumë fonde prej BE-së sesa ka fitu Kroacia.
Shqipërisë do t’i jepet edhe nga një buxhet paralel nga Bashkimi Evropian, në formën e investimeve direkte në infrastrukturë dhe biznese.
Mos të flasim pastaj për të drejtat për me studiu, për me u punësu, për me shitë e me ble në një treg prej 500 milionë banorësh.
Kjo e shqetëson Albin Kurtin dhe është pengesë për vizionin e tij për Ballkanin dhe Evropën.
Stabiliteti, zhvillimi ekonomik dhe normaliteti institucional e bëjnë Kurtin me u dokë si anakronizëm politik, lider i mbetur peng i revoltimit të përhershëm.
Prandaj, për të neutralizuar këtë rrezik, makineria propagandistike e Vetëvendosjes lufton me mish e me shpirt me e bo Shqipërinë të nënvlerësuar në sytë e kosovarëve.
Një Shqipëri në BE e shemb këtë plan.
Qytetari i Kosovës ka me u çu prej anestezionit në momentin që ka me e prekë Shqipërinë e Bashkimit Evropian edhe ka me e krahasu me jetën e vet në Kosovë.
Prandaj ky zell kaq i madh i figurave të LVV-së për me i dhënë leksione Shqipërisë.
Albulena Haxhiu gjen kohë me folë qysh arroganca qeveritare në Shqipëri i nxit protestat, duke thënë se kërkesat e studentëve duhet të dëgjohen.
Ajo kërkon edhe ndaljen e dhunës nga të dyja palët.
Mirë.
Por nga cila përvojë e jona e shkëlqyer po jepen këto leksione?
Standardi për policinë dhe protestën duhet të jetë i njëjtë në Prishtinë dhe në Tiranë.
Nuk mund të kërkosh mirëkuptim për pushtetin tënd dhe ta shpallësh arrogancë çdo reagim të pushtetit që nuk të pëlqen.
Jo shumë kohë më parë, policia e Xhelal Sveçlës në Prishtinë iu hyri me kërbaç protestuesve dhe i dëndi me gaz lotsjellës, veç pse ata po kërkonin me kalu një ligj.
Sa i përket arsimit: a thua keni harru në cilin vend u rendit Kosova në testin PISA, e në cilin Shqipëria?
Një Shqipëri që ecën përpara ia ngushton Kurtit hapësirën e propagandës.
Kurti shkëlqen në krizë dhe kaos, ku gjithçka shpjegohet me armiq, tradhtarë dhe rreziqe.
Normaliteti kërkon rezultate dhe bilanc.
Mandej, votuesi mesatar i Albin Kurtit, por edhe sishokët e tij të frustruar në Tiranë, sa herë që përballen me krahasime që atyre nuk u leverdisin, si ato të Freedom House, Transparency International dhe Reporters Without Borders, ku Shqipëria në çdo indeks është para Kosovës, Maqedonisë, Serbisë, Bosnjës dhe Malit të Zi, këta e nxjerrin prej mëngës shpjegimin rezervë:
“Në Shqipëri çdo gjo po bohet me pare të drogës”.
Një hotel i bukur? Drogë. Një restorant i mbushur? Drogë. Një biznes që rritet? Prapë drogë.
Me i veshë me të njëjtën uniformë mijëra sipërmarrës të ndershëm të Shqipërisë është fyerje.
Është mënyrë për ta mohuar suksesin e tjetrit dhe me arsyetu dështimin tand.
Nuk jam kundër revoltës organike në Shqipëri. Përkundrazi. Por një gjo osht me i kërku Shqipërisë me ecë përpara, e tjetër gjo osht me iu kapë për pantallonash, mos me e lanë me ecë.
Qysh qenka e mundur që një vend, ose, qysh i thonë Sali Berisha dhe analistët e tij, një narkoshtet, me u bo pjesë e Bashkimit Evropian?
Nëse Bashkimi Evropian ndonjëherë është akuzu për diçka, është akuzu që ka qenë tepër rigoroz me kriteret për pranimet e reja, e jo që e ka mbyllë njërin sy.
Qysh u bo, atëherë, që një narkoshtet po pret me u bo pjesë e BE-së deri në vitin 2030, kurse një shtet që po njeh suksese të jashtëzakonshme në çdo fushë, si Kosova, aplikacionin ende e ka të pahapur?
Qysh qenka e mundur, atëherë, që një shtet si Shqipëria ta ketë një prokurori që çdo javë e çdo muaj arreston figura të konsideruara të paprekshme deri para pak kohësh?
Këtyre vështrimeve të mia cinikët zakonisht u përgjigjen me pyetjen: “Kush po i organizon protestat: a Rusia, a Turqia, a Serbia, a Albin Kurti?”
Demek, koncentrohu.
Sigurisht që nuk mendoj se anëtarësimi i Shqipërisë në BE i pengon Kurtit dhe Vuçiqit për arsye të njëjta. As nuk mendoj që ata janë marrë vesh.
Sepse nuk kanë nevojë. Mjafton që secili prej tyre me e spërkatë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me benzinë.
Dihet botërisht që Rusia kërkon një Ballkan të pasigurt.
Një Shqipëri brenda BE-së do ta ndryshonte peshën e saj përballë Serbisë.
Një Shqipëri në BE mundet me vendosë veto ndaj anëtarësimit të Serbisë, siç po kërcënon edhe Kroacia që do ta bëjë.
Për politikën e Erdoganit, një Shqipëri me shumicë myslimane brenda Unionit do ta dobësonte narrativën e tij dhe të imamëve të tij në trojet shqiptare se Evropa nuk i do myslimanët.
Këto nuk janë domosdoshmërisht të njëjtat motive dhe as provë se të gjithë veprojnë bashkë.
Interesat mund të takohen pa u takuar njerëzit.
Por për Kurtin, rreziku politik që shoh unë është më i afërt dhe më i thjeshtë: Shqipëria mund të bëhet shembulli që nuk e kontrollon dot me fjalim.
Problemi nuk është se ajo do të largohej prej nesh. Është se do të mbetej aty, ngjitur, por me një tabelë tjetër.
Qytetari do ta kalonte kufirin, do të shihte dhe do të kthehej.
Pastaj do ta bënte pyetjen që asnjë propagandë nuk e ndal:
E na?
Burimi: Opinion
