Vetëm pak muaj pasi ministri i Bujqësisë prezantoi në Kuvend projektin që do të krijonte “një panoramë të plotë dhe të integruar të bujqësisë shqiptare”, procesi nuk mund të zhvillohet në vitin 2026. Censi shtyhet për në vjeshtën e 2027-s, plot 15 vjet pas numërimit të fundit të vitit 2012.
Censi i Bujqësisë nuk do të zhvillohet në vitin 2026. Numërimi i fermave, tokës së mbjellë, blegtorisë, makinerive dhe fuqisë punëtore në sektor shtyhet për në vjeshtën e vitit 2027, duke e çuar Shqipërinë në 15 vjet pa një Cens të ri të Bujqësisë.
Shtyrja rrëzon në praktikë pritshmëritë e krijuara vetëm pak muaj më parë nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla, kur më 16 korrik doli në Kuvend për të prezantuar projektligjin dhe rëndësinë që qeveria i jepte procesit.
Salla fliste për një Cens që do t’i jepte fund mungesës së të dhënave të plota për bujqësinë dhe do të shërbente si bazë për politikat e ardhshme. Por ligji u miratua vetëm në seancën e fundit parlamentare të korrikut dhe koha e humbur gjatë përgatitjes së tij, e kombinuar me mungesën e ekzekutimit të financimit të nevojshëm, e bën të pamundur zhvillimin e procesit në 2026.
Vetëm pak muaj më parë, ministri deklaronte në Kuvend: “Përmes tij do të krijohet për herë të parë një panoramë e plotë dhe e integruar e strukturës së bujqësisë shqiptare. Do të kemi informacion të besueshëm mbi numrin dhe madhësinë e njësive ekonomike bujqësore, përdorimin e tokës, kulturat bujqësore, blegtorinë, mekanizimin, fuqinë punëtore, praktikat e prodhimit, si dhe mbi karakteristikat ekonomike e sociale të fermave shqiptare me të dhëna do të jenë baza mbi të cilën do të ndërtohen politikat e ardhshme të zhvillimit rural. Kjo është arsyeja pse censi nuk është një qëllim në vetvete”.
Por “panorama e plotë” e paralajmëruar nga ministri duhet të presë të paktën edhe një vit. Problemi nuk mbyllet me miratimin e ligjit. Përpara se INSTAT të nxjerrë anketuesit në terren, qeveria duhet të ekzekutojë financimin e projektit, i cili kap vlerën 11.7 milionë euro. Pa këtë hallkë, operacioni statistikor nuk mund të nisë.
Dhe bëhet fjalë për një proces të gjerë. Mbledhja e të dhënave është parashikuar të zgjasë katër javë, me rreth 3,400 anketues në terren. Ata duhet të regjistrojnë të dhënat për sipërfaqet e fermave, kulturat bujqësore, gjënë e gjallë, makineritë dhe personat e punësuar në sektor. Në proces parashikohet të angazhohen edhe përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë.
Në korrik, Salla prezantonte gjithashtu si një nga shtyllat e projektit ngritjen e Regjistrit Statistikor të Njësive Ekonomike Bujqësore, duke garantuar fermerët se ai nuk do të përdorej për qëllime fiskale apo kontrolli.
“Dua ta theksoj edhe një herë se bëhet fjalë ekskluzivisht për një regjistër statistikor. Ai nuk është një regjistër fiskal, nuk është një regjistër kontrolli, dhe mbi të gjitha nuk krijon detyrime të reja për fermerët. Ai shërben vetëm për prodhimin e statistikave zyrtare dhe administrohet nga INSTAT-i, në përputhje me parimet e pavarësisë profesionale, konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Kjo është garancia më e mirë që fermerët të kenë besim në këtë proces dhe të bashkëpunojnë për realizimin me sukses të tij. Po aq e rëndësishme është edhe ndarja e qartë e përgjegjësive institucionale”, deklaronte ministri.
Ironia është se ndërsa fermerëve u kërkohet bashkëpunim dhe projektligji parashikon masa administrative në rast refuzimi për të dhënë informacion, vetë shteti nuk ka arritur të sigurojë në kohë kushtet që Censi të zhvillohet në vitin 2026.
Dhe kjo nuk është shtyrja e parë. Censi i dytë i Bujqësisë ishte parashikuar fillimisht për vitin 2022. Nuk u bë. Afati kaloi në vitin 2024. Nuk u realizua as atëherë. Tani procesi shkon në vjeshtën e vitit 2027.
Kjo do të thotë se numërimi i ri do të bëhet 15 vjet pas Censit të Bujqësisë të vitit 2012. Në vitin 2018 pati një tjetër përpjekje për mbledhjen e informacionit, por ajo u zhvillua në formën e një ankete strukturore dhe jo si Cens i Bujqësisë. /Pamfleti
