Dosja italiane e call center-ave rikthen në SPAK Artan Gaçin dhe nxjerr në skenë ortakut e tij të vjetër, Idlir Lopçin. Nga kompania me mbi 1 milion euro xhiro te resorti i sekuestruar në Himarë dhe tokat e Zvërnecit, dokumentet zbulojnë lidhje biznesi, lëvizje kuotash dhe transaksione miliona euro. Në mes të kësaj historie qëndrojnë edhe marrëveshjet me kompaninë e lidhur me Artur Shehun, emër i përfshirë në hetimet e SPAK për pastrim parash.
Artan Gaçi, ish-deputeti socialist dhe bashkëshorti i Olta Xhaçkës, është rikthyer në SPAK si person nën hetim, ndërsa një dosje e ardhur nga Italia për aktivitetin e call center-ave ka nxjerrë në skenë edhe bashkëpunëtorin e tij të vjetër, Idlir Lopçin. Gaçi u paraqit ditën e enjte në Prokurorinë e Posaçme, ku dha shpjegime për hetuesit, ndërsa avokati i tij konfirmoi statusin procedural.
Emri i Idlir Lopçit, i përmendur në informacionet mbi dosjen italiane, gjendet edhe në dokumentet e disa kompanive që kanë lëvizur nga tregtia dhe shërbimet telefonike drejt investimeve në tokat më të lakmuara të bregdetit shqiptar, të lidhura me mafiozin Artur Shehu. Përmasat e këtyre bizneseve dhe lidhjet e tyre me personazhe të dosjeve të tjera penale i japin SPAK-ut një terren të gjerë për të ndjekur rrugën e parave.
Artan Gaçi dhe Idlir Lopçi kanë një histori të gjatë biznesi. Që prej vitit 2006 ata ishin ortakë në kompaninë RAKEHA, ndërsa më vonë ish-deputeti socialist i besoi Lopçit administrimin e AG.TCC, shoqërisë që zotëronte vetë 100 për qind. Marrëdhënia e tyre vazhdoi të dokumentohej deri në vitin 2022, kur Lopçi u emërua likuidues i RAKEHA-s, pasi Gaçi kishte kaluar ushtrimin aktiv të të drejtave mbi kuotat e tij te Festim Çela.
Pikërisht gjatë kësaj periudhe, Lopçi kishte hyrë edhe në biznesin e call center-ave përmes kompanisë SUPREME, të cilën e bleu në vitin 2018 për 25.500 euro. Bilancet tregojnë se xhiroja e saj u hodh nga rreth 28 mijë euro në vitin 2017 në mbi 1 milion euro një vit më vonë.
Një rritje pothuajse 38-fish, që e vendos aktivitetin financiar të kompanisë në qendër të verifikimeve për klientët, faturimet dhe destinacionin e të ardhurave.
Ndërsa Lopçi zgjeronte aktivitetin, Artan Gaçi po përfitonte statusin e investitorit strategjik për resortin luksoz në Himarë, projekt që më vonë përfundoi në dosjen e SPAK për tjetërsimin e pronave. Hetimet goditën ish-kryebashkiakun Jorgo Goro dhe çuan në sekuestrimin e pasurive të lidhura me investimin turistik.
Historia e resortit tregoi se sa larg mund të shkonin interesat e ndërtimit në bregdet kur përfshiheshin vendime bashkiake, dokumente pronësie dhe investitorë me lidhje të forta politike. Gaçi, i cili kishte siguruar statusin e privilegjuar të investitorit strategjik, rikthehet tani përballë SPAK, ndërsa gjurmët tregtare të Lopçit hapin një kapitull tjetër, me toka dhe transaksione shumë më të mëdha në Zvërnec.
Në tetor 2021, Peninsula Development, kompani e administruar nga Idlir Lopçi dhe e kontrolluar nga Andi Canaj, vartës i Artan Gaçit, përmes shoqërisë Generate, u bashkua me Smart Construction Invest të Redi Strugës për krijimin e South Adriatic Development. Kompania u themelua me kapital të regjistruar prej 400 milionë lekësh, rreth 3,3 milionë euro me kursin e asaj kohe, dhe hyri menjëherë në tregun e tokave të Akërnisë dhe Zvërnecit.
Më 20 nëntor 2021, South Adriatic Development rezulton në një marrëveshje për blerjen e një prone nga mafiozi Artur Shehu, me vlerë rreth 2,4 milionë euro. Emri i Shehut është përfshirë në hetimet e SPAK për trafik narkotikësh dhe pastrim parash, ndërsa transaksionet e pronave të tij në Zvërnec janë bërë objekt i një hetimi tjetër. Kompania e administruar nga Lopçi ishte ortake me 50 për qind pikërisht në periudhën kur u krye kjo marrëveshje.
Lëvizjet e mëvonshme të kuotave janë ndër episodet më interesante të kësaj historie. Peninsula Development transferoi fillimisht 10 për qind të kapitalit për vetëm 5 mijë lekë dhe më pas pjesën tjetër prej 40 për qind për 2 milionë lekë, afërsisht 16 mijë euro.
Me këto veprime, kontrolli i South Adriatic Development kaloi plotësisht te kompania e Redi Strugës. Në prill 2026, e njëjta shoqëri u përfshi në shitjen e pasurive të paluajtshme në Zvërnec për 70,3 milionë euro te Albania Land Development. Peninsula ishte larguar nga ortakëria gati katër vite më parë, megjithatë dokumentet e vendosin brenda investimit në fazën e blerjeve fillestare.

Këtu merr peshë edhe pista e pastrimit të parave, për të cilën SPAK ka hapur hetime lidhur me transaksionet e pronave të Artur Shehut. Toka të blera dhe të transferuara përmes shoqërive tregtare kanë përfunduar në marrëveshje me vlera dhjetëra milionë euro, ndërsa një pjesë e kompanive kanë ndryshuar ortakë gjatë rrugës. Roli i Lopçit në administrimin e Peninsula Development është i dokumentuar, ashtu si lidhja e tij shumëvjeçare me Artan Gaçin.
Artan Gaçi ka kaluar nga dosja e tokave të Himarës te një tjetër përballje me SPAK, ndërsa Idlir Lopçi shfaqet në kompanitë që lidhin bizneset e vjetra të ish-deputetit me call center-at dhe investimet e hershme në Zvërnec. Në këtë histori janë të dokumentuara ortakëritë, xhiroja mbi 1 milion euro e SUPREME, blerjet e pronave nga South Adriatic Development dhe transaksioni i mëvonshëm prej 70,3 milionë eurosh.
Pamfleti po vijon investigimin për kompanitë, transaksionet dhe lidhjet ekonomike të këtij grupi personazhesh, ndërsa zhvillimet në SPAK mund të nxjerrin në dritë dokumente të tjera mbi paratë që kanë qarkulluar nga call center-at deri te pronat miliona euro në bregdet. /Pamfleti
