Administrimi i ndërtimeve të konfiskuara si të paligjshme pritet të ndryshojë rrënjësisht, duke kaluar nën kontrollin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), ndërsa një kategori objektesh me shkelje të lejes do të mund të legalizohet kur njësitë janë në duart e blerësve me kontrata noteriale. Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme ndryshimet në ligjin nr.66/2023, që prekin gjithashtu trajtimin e qytetarëve që kanë blerë apartamente në këto ndërtime, duke parashikuar në raste të caktuara kalimin e pronësisë së njësisë dhe jo vetëm njohjen e një detyrimi financiar.
Ligji në fuqi e mbështet administrimin e objekteve të konfiskuara te një Komision me nëntë anëtarë, ministria përgjegjëse për pronën shtetërore dhe njësitë e zbatimit. Ndërkohë, projektligji heq Komisionin dhe njësinë e zbatimit dhe ia kalon funksionet kryesore AAPSK-së. Pranë Agjencisë do të ngrihet një grup pune me numër tek anëtarësh, të caktuar me urdhër të titullarit të saj.
AAPSK do të administrojë objektet dhe fondin e posaçëm, do të aplikojë pranë Kadastrës dhe AZHT-së si përfaqësuese e pronarit shtet, do të propozojë shitjen e pasurive, do të zhvillojë ankandet dhe do të monitorojë pasuritë e dhëna në përdorim. Objekti i konfiskuar dhe dokumentacioni tekniko-ligjor duhet t’i kalojnë Agjencisë brenda 30 ditëve. Projektligji parashikon gjithashtu që ekspertët e jashtëm të AAPSK-së të zgjidhen nga lista e administruar nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa përzgjedhja e tyre përjashtohet nga procedurat e prokurimit publik.
Legalizim për disa objekte me shkelje të lejes
Një dispozitë e re prek drejtpërdrejt pallatet apo objektet ku janë shitur njësi te qytetarët. Përjashtimisht, kur objekti ka shkelje të lejes së ndërtimit, punimet në strukturë kanë përfunduar dhe apartamentet apo njësitë posedohen ose përdoren nga palë të treta, porositës apo përfitues me kontratë noteriale me investitorin ose zhvilluesin, objekti mund të legalizohet dhe regjistrohet sipas ligjit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë. Në këto raste AAPSK do t’i kërkojë ASHK-së vijimin e legalizimit.
Ndryshim edhe më i rëndësishëm për blerësit është mënyra se si njihen kontratat e tyre. Ligji aktual parashikon njohjen proporcionalisht të shumës së paguar dhe kompensimin e personit të tretë me vlerën që korrespondon me punimet e realizuara. Me ndryshimet e propozuara, autoritetet duhet të njohin dhe respektojnë kontratat e hartuara përpara noterit dhe të regjistruara në Kadastër përpara konstatimit të paligjshmërisë. Pas përfundimit dhe regjistrimit të ndërtesës, AAPSK do të miratojë kalimin e pronësisë te blerësi për njësinë që i takon sipas kontratës së lidhur më parë me zhvilluesin.
Një trajtim i ngjashëm parashikohet për pronarët e truallit. Ndryshe nga ligji aktual, i cili përcakton shprehimisht se pronarët e truallit nuk kanë të drejta mbi pjesën e ndërtuar në tejkalim të lejes, projektligji kërkon që të njihen dhe zbatohen marrëdhëniet kontraktuale të mëparshme me zhvilluesin. Pas përfundimit dhe regjistrimit të ndërtesës, AAPSK mund të kalojë në pronësi të tyre njësitë që u takojnë sipas këtyre kontratave, për sa kohë pronari i truallit nuk është njëkohësisht zhvillues, zbatues, mbikëqyrës apo kolaudues i objektit.
Hiqet parablerja si mekanizëm i përgjithshëm, zhvilluesit përjashtohen nga ankandi
Projektligji ndryshon edhe mënyrën e shitjes së pasurive të konfiskuara. Në ligjin aktual, pronari i truallit dhe personat e tretë kanë përparësi në parablerje dhe, nëse ata nuk e ushtrojnë këtë të drejtë, ajo mund t’i kalojë edhe subjektit zhvillues ose ndërtues. Skema e re parashikon shitjen me ankand publik, ndërsa zhvilluesit, zbatuesit, mbikëqyrësit dhe kolauduesit e pronës së konfiskuar nuk do të lejohen të marrin pjesë në procedurat e shitjes. Çmimi nuk mund të ulet poshtë vlerës fillestare të ankandit.
Megjithatë, projektligji krijon një përjashtim të rëndësishëm kalimtar. Subjektet që posedojnë objekte të ndërtuara pa leje dhe i deklarojnë ato vullnetarisht pranë AZHT-së brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve do të fitojnë të drejtën e parablerjes. Po ashtu, të drejtat e parablerjes që kanë lindur për objektet e konfiskuara sipas legjislacionit të mëparshëm do të respektohen nga AAPSK.
Pallatet e papërfunduara, deri te bllokimi i llogarive
Për herë të parë ligji merr në trajtim të posaçëm edhe objektet e konfiskuara ku investimi ka mbetur i papërfunduar. AAPSK do të vlerësojë koston për përfundimin e gjithë ndërtesës, ambienteve të përbashkëta dhe pjesëve që i përkasin shtetit. Projektligji parashikon që shpenzimet e punimeve të papërfunduara t’i ngarkohen subjektit zhvillues, zbatues, mbikëqyrës ose kolaudues sipas rasteve, ndërsa nëse pagesa apo punimet nuk kryhen mund të procedohet me bllokimin e llogarive bankare ose të pasurive për mbulimin e kostove. Teksti përdor pragjet 2–10% dhe mbi 10% të tejkalimit, ndonëse formulimi për kategorinë e parë mbetet jo plotësisht i qartë në draft.
Ndërkohë, koha e lejuar për vlerësimin e një pasurie të konfiskuar zgjatet ndjeshëm. Ligji aktual vendos një afat maksimal prej 30 ditësh nga urdhri i vlerësimit, ndërsa projektligji ia lë afatin urdhrit të brendshëm të titullarit të AAPSK-së, por me kufi maksimal 90 ditë. Pra, afati maksimal trefishohet.
Edhe fondi financiar për objektet e konfiskuara kalon nën AAPSK dhe do të jetë zë më vete në buxhetin e saj. Burimet do të jenë të ardhurat nga shitja ose qiraja, financimet vendase e të huaja dhe buxheti i shtetit. Fondet e akumuluara deri në hyrjen në fuqi të ndryshimeve, së bashku me dosjet dhe dokumentacionin që aktualisht administrohen nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, njësia e zbatimit dhe Komisioni i Objekteve të Konfiskuara, duhet t’i kalojnë AAPSK-së brenda 30 ditëve.
Projektligji parashikon gjithashtu procedura më të drejtpërdrejta për lejet. Për objektet e përfunduara plotësisht do të mund të kërkohet direkt certifikata e përdorimit, ndërsa për ndërtesat e papërfunduara mund të kërkohet ndryshimi i lejes së ndërtimit. AAPSK duhet të aplikojë për lejen brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit të konfiskimit. Nëse projekti i ri nuk përputhet me Planin e Përgjithshëm Vendor, KKTU mund të miratojë një rregullore të veçantë bashkë me ndryshimin e lejes. /ekofin.al
