AlbTimes
Subscribe
SAVED POSTS
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Editorial

Sikur të isha socialist

by SHT Media
31/08/2026
in Editorial
6
0
Sikur të isha socialist
6
SHARES
306
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Nga Baton Haxhiu

Prej disa ditësh po mendoj se Ergys Agasi nuk është vetëm emri i një njeriu dhe as vetëm personazhi i një dosjeje penale. Ai është emri i një modeli: i njeriut që, i fuqizuar nga pafuqia e shtetit dhe mungesa e ligjit, nuk e kupton më se ku përfundon e drejta e tij dhe ku fillon shkelja e së drejtës së tjetrit.

Ky është ndoshta modeli më i rrezikshëm, sepse nuk e sheh veten si shkelës të ligjit. Nuk mendon se kërcënon, por se paralajmëron; nuk mendon se ushtron presion, por se kërkon të drejtën e vet; nuk mendon se bën vetëgjyqësi, por se zgjidh një problem që shteti nuk është në gjendje ta zgjidhë. Kështu, gjuha kriminale afrohet aq shumë me veprimin kriminal, sa kufiri ndërmjet tyre fillon të zhduket. Dhe krimi nis pikërisht atëherë kur djem të rinj, që nuk e kuptojnë peshën e pasojave, me armë në brez kërcënojnë në emër të “shefit”, ndërsa shefi vazhdon të qëndrojë i qetë në restorantet e Tiranës.

Këto ditë këtë model e kam përjetuar edhe personalisht. Pas tridhjetë vjetësh përvojë në Shqipëri, e kuptova më afër se çfarë përjeton një njeri i zakonshëm kur përballet me njerëz që nuk përpiqen ta ndërtojnë suksesin e tyre përmes konkurrencës, por duke penguar suksesin e tjetrit; që nuk e shohin biznesin si treg, por si territor ku fiton ai që ka më shumë lidhje, ushtron më shumë presion dhe ka më pak frikë nga ligji.

Agasët nuk janë vetëm problem i drejtësisë penale. Ata janë pengesë për biznesin, investimin dhe suksesin. Ata e bindin shoqërinë se puna nuk mjafton, se prona dhe kontrata nuk të mbrojnë dhe se, për të përparuar, duhet ose të gjesh një lidhje më të fortë, ose të bëhesh si ata. Nuk marrin vetëm një tender apo një avantazh; shkatërrojnë besimin se në këtë vend mund të ecësh përpara duke respektuar ligjin.

Ky model nuk lind vetëm nga karakteri i njerëzve të tillë. Ai krijohet në boshllëkun që lë shteti. Kur institucionet vonojnë, ata shpejtojnë; kur ligji hesht, ata vendosin; kur shteti nuk mbron të drejtën, ata ndërtojnë një të drejtë private, ku fjala e më të fortit zë vendin e vendimit të institucionit.

Prandaj diskutimi për “Besën”, “Pasqyrë Albania” dhe përgjigjen e Qeverisë ndaj protestës nuk mund të jetë vetëm një diskutim për komunikimin me qytetarin. Duhet të jetë një diskutim për shtetin që kemi ndërtuar, për njerëzit që kemi fuqizuar dhe për boshllëqet ku janë rritur Agasët. Sepse qytetarit nuk i duhet vetëm një platformë ku të regjistrojë hallin; i duhet një shtet që ta mbrojë përpara se halli të shndërrohet në kërcënim dhe kërcënimi në vetëgjyqësi.

Po të isha sot në një mbledhje të socialistëve, do të flisja jo për ta mbrojtur Qeverinë nga protesta, por për ta mbrojtur Partinë Socialiste nga tundimi për të mos e kuptuar atë.

Protesta mund të mos ketë gjithmonë të drejtë në diagnozën e saj, mund të mos ketë një program të plotë dhe mund të mos përfaqësojë shumicën e shqiptarëve. Por kur mijëra qytetarë dalin për javë e muaj në rrugë, pushteti nuk ka luksin t’i trajtojë të gjithë si të mashtruar, të instrumentalizuar apo si armiq. Protesta nuk është referendum, por është alarm. Dhe një qeveri serioze nuk e sulmon alarmin; kontrollon nga vjen zjarri.

Pikërisht për këtë arsye mendoj se “Besa”, “Pasqyrë Albania” dhe takimet që po zhvillohen janë të nevojshme. Por duhet ta themi hapur: ato nuk janë ende përgjigjja. Janë vetëm fillimi i një përgjigjeje.

“Besa” është përmbledhur në katër fjalë: besim, empati, shërbim dhe angazhim. Janë fjalë të bukura dhe vlera të drejta, por pas trembëdhjetë vjetësh në pushtet nuk mund t’u kërkohet qytetarëve të besojnë vetëm sepse Qeveria ka zgjedhur fjalën “besim”. Besimi nuk shpallet nga foltorja dhe nuk miratohet në mbledhjen e Qeverisë. Ai fitohet nga mënyra se si administrata sillet me qytetarin që nuk ka mik, nuk njeh deputet, nuk arrin te ministri dhe nuk mund t’i shkruajë kryeministrit.

Empatia nuk matet me numrin e qytetarëve që dëgjohen para kamerave, por me mënyrën se si shteti i trajton ata kur kamerat nuk janë aty. Shërbimi nuk është premtim moral, por detyrim ligjor, ndërsa angazhimi nuk matet me orët e mbledhjeve, por me afatet që respektohen, problemet që zgjidhen dhe përgjegjësit që ndëshkohen kur nuk bëjnë punën.

Prandaj “Besa” duhet të pushojë së qeni vetëm një akronim politik dhe të shndërrohet në një kontratë të matshme. Çdo Ministri, Bashki dhe drejtori duhet të ketë detyrime të qarta. Qytetari duhet ta dijë se kur merr përgjigje, kush mban përgjegjësi dhe ku ankohet kur institucioni hesht. Përndryshe, pas disa muajsh do ta kemi harruar përmbajtjen dhe do të na ketë mbetur vetëm emri.

Edhe “Pasqyrë Albania” mund të jetë një instrument i dobishëm. Ideja që qytetari ta ndjekë kërkesën e vet si një pako postare, të shohë se në cilin institucion ndodhet, kush po e trajton dhe pse është vonuar, duhet mbështetur. Nuk ka arsye të përqeshet vetëm sepse erdhi pas protestës. Përkundrazi, nëse protesta e ka detyruar Qeverinë të ndërtojë një mekanizëm më të mirë, atëherë ajo ka prodhuar një rezultat konkret.

Por “Pasqyra” përmban edhe një rrezik: të shndërrohet në një ekran të ri, pas të cilit fshihet e njëjta administratë e vjetër.

Nëse qytetari duhet të hyjë në një platformë të lidhur me vëmendjen e kryeministrit që Kadastra, Bashkia apo Ministria të bëjë punën e vet, atëherë shteti nuk është depersonalizuar. Është personalizuar edhe më shumë. Kemi krijuar një sportel të ri, por përsëri mbi atë sportel qëndron fytyra e kryeministrit.

Një shtet modern nuk funksionon kur çdo hall arrin tek Edi Rama. Funksionon kur qytetarit nuk i duhet Edi Rama për ta zgjidhur hallin.

Prandaj platforma duhet të tregojë jo vetëm se ku ndodhet ankesa, por edhe kush e ka bllokuar. Nëse premtohet zgjidhje brenda dy javësh, duhet të dihet çfarë ndodh në ditën e pesëmbëdhjetë. Kush jep shpjegim? Kush penalizohet? A publikohen të dhënat? A do ta dijë publiku se cilat Ministri, Bashki dhe drejtori u përgjigjen qytetarëve dhe cilat i sorollatin ata?

Pa këtë transparencë, “Radar” mund ta gjurmojë hallin, por nuk do ta godasë papërgjegjshmërinë. Mund të na tregojë se ku ka ngecur qytetari, por jo pse administrata vazhdon ta lërë atë të presë.

Duhet të jemi të kujdesshëm edhe me përzierjen e partisë dhe të shtetit. Kur për “Besën” dhe “Pasqyrën” mblidhen në të njëjtën dhomë ministrat, deputetët, drejtuesit politikë dhe administrata, qytetari mund të mos e kuptojë më se kujt po i drejtohet: Republikës së Shqipërisë apo Partisë Socialiste.

Partia ka të drejtë të organizohet, të dëgjojë njerëzit dhe të përgatitet politikisht. Por ankesat ndaj shtetit duhet t’i zgjidhë shteti. Qytetari që nuk voton për Partinë Socialiste duhet të marrë të njëjtën përgjigje, në të njëjtën kohë dhe me të njëjtin respekt si qytetari që e ka votuar.

Kjo është vija që nuk duhet kaluar. Sepse, nëse një platformë shtetërore bëhet mekanizëm i “Pranisë Besnike” të partisë, në vend që ta hapim administratën, do ta forcojmë dyshimin se shteti dhe partia janë bërë një.

Takimet që po zhvillohen janë të nevojshme. Kryeministri duhet t’i mbledhë ministrat, t’u kërkojë llogari dhe ta detyrojë administratën të reagojë. Do të ishte shumë më shqetësuese sikur, përballë gjithë kësaj pakënaqësie, Qeveria të sillej sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Por edhe këtu duhet të jemi të sinqertë: numri i orëve të mbledhjes nuk është masë e seriozitetit. Një mbledhje shtatë apo nëntë-orëshe vlen vetëm nëse në fund të saj ka vendime, afate dhe emra përgjegjësish. Përndryshe, kemi prodhuar një ditë të gjatë televizive, jo një kthesë të qeverisjes.

Partia Socialiste ka mandat deri në vitin 2029 dhe ky mandat duhet respektuar. Protesta nuk mund ta zëvendësojë votën dhe rruga nuk mund ta vetëshpallë veten shumicë. Por mandati i jep Qeverisë të drejtën për të qeverisur; nuk i jep të drejtën për të mos reflektuar. Të thuash “kemi fituar zgjedhjet” është përgjigje kushtetuese ndaj kërkesës për dorëheqje, por nuk është përgjigje politike ndaj pakënaqësisë.

Gabimi më i madh që mund të bëjnë socialistët është ta bindin veten se, meqë një pjesë e protestës është e ekzagjeruar, çdo kritikë është e pavërtetë; ose se, meqë opozita kërkon të përfitojë, problemet e ngritura nga qytetarët nuk ekzistojnë. Një pushtet nuk fillon të dobësohet kur kritikohet nga kundërshtarët, por kur askush brenda tij nuk guxon t’i tregojë më se ku po gabon.

Po të isha socialist, do ta mbështesja “Besën”, por do të kërkoja që ajo të prodhonte detyrime. Do ta mbështesja “Pasqyrën”, por do të kërkoja që ajo të tregonte edhe fytyrën e përgjegjësit. Do t’i mbështesja takimet, por do të kërkoja që prej tyre të dilnin vendime dhe jo vetëm pamje.

Dhe, mbi të gjitha, do t’i kërkoja Partisë Socialiste që të mos e shihte protestën vetëm si një betejë që duhet fituar, por si një paralajmërim që duhet kuptuar.

Sepse “Pasqyrë Albania” mund t’i tregojë qytetarit se ku ka ngecur ankesa e tij. Por prova e vërtetë është nëse pushteti ka guximin të shohë në atë pasqyrë edhe veten: mënyrën si ka qeverisur, pushtetin që ka përqendruar, njerëzit që ka toleruar dhe institucionet që, pas kaq vitesh, ende presin një telefonatë nga lart për të bërë detyrën e tyre.

Nëse e bën këtë, “Pasqyra” mund të jetë fillimi i një korrigjimi.

Nëse jo, do të jetë vetëm pasqyra e radhës ku pushteti sheh fytyrën e vet, ndërsa qytetari vazhdon të presë pas derës dhe Agasët vazhdojnë të hyjnë pa trokitur.

SendShare2Tweet2

Lajmet e fundit

“Tym i bardhë” në Kosovë! LDK dhe VV arrijnë marrëveshje për presidentin, kandidat do të jetë Bekim Sejdiu

31/08/2026

Sikur të isha socialist

31/08/2026

Ngjarje e rëndë në Pogradec, 37-vjeçarja shtatzënë humb jetën gjatë transportit drejt Tiranës

31/08/2026

Pse Petrit Vasili nuk ka deklaruar pasurinë e bashkëjetueses, ish gruas dhe të birit?

31/08/2026

‘Po ecim mbi tel’/ Ish-këshilltari i Putinit paralajmëron Europën: Lufta me Rusinë po bëhet e pashmangshme

31/08/2026

Dashuri, para dhe kthesa të papritura, çfarë sjell shtatori për shenjën tënde?

31/08/2026

Përplasen tre automjete në aksin Lushnjë–Rrogozhinë, krijohet trafik kilometrik

30/08/2026

Bota akademike në zi! Shuhet një prej themelueseve të Universitetit të Durrësit

30/08/2026

Si e vrau algoritmi protestën qytetare në Tiranë

30/08/2026

Bebe Rexha feston 37-vjetorin, ‘ndez’ rrjetin me pozat hot nga New York-u

30/08/2026

REPLIKAT/ Përplasja MIA-Tabaku, deputetja fshin postimin, agjencia: Kërko falje!

30/08/2026

Çfarë po përgatit Dafina Zeqiri? Këngëtarja bën lëvizjen e papritur në Instagram

30/08/2026

Jo çdo shkelje e kuadrit ligjor është vepër penale

30/08/2026

9 meta-parimet e politikës së jashtme të shqiptarëve

30/08/2026

Pamje tronditëse në Bosnje, qindra serbë nderojnë Mlladiçin si hero dhe brohorasin emrin e “Kasapit të Bosnjës”

30/08/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • “Tym i bardhë” në Kosovë! LDK dhe VV arrijnë marrëveshje për presidentin, kandidat do të jetë Bekim Sejdiu
  • Sikur të isha socialist
  • Ngjarje e rëndë në Pogradec, 37-vjeçarja shtatzënë humb jetën gjatë transportit drejt Tiranës

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.