Në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, të mbajtur në fillim të qershorit në Tivat të Malit të Zi, Gjermania dhe Franca paraqitën një dokument jozyrtar që mund të sjellë lëvizje në procesin e zgjerimit, i cili prej vitesh ka mbetur kryesisht i bllokuar. Dokumenti është lexuar me vëmendje në kryeqytetet e rajonit dhe pritet të nxisë debate serioze në javët e ardhshme.
Dokumenti gjermano-francez, me titull “Impuls i ri për zgjerimin”, mbështetet në një propozim të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç nga shkurti i këtij viti. Në një artikull të përbashkët për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung (F.A.Z.), të dy politikanët e cilësuan si një “mundësi strategjike” për BE-në “integrimin e përshpejtuar të vendeve kandidate të përgatitura në tregun e përbashkët dhe në hapësirën Schengen”.
Ata vlerësuan politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian duke theksuar se “asnjë instrument tjetër politik nuk e ka transformuar Evropën në mënyrë më të thellë dhe më paqësore”.
Nxitje për përparim më të shpejtë drejt anëtarësimit në BE?
Për t’iu kundërvënë dyshimeve të shprehura shpesh në Ballkanin Perëndimor se oferta për hyrje në tregun e përbashkët mund të përdoret si zëvendësim për anëtarësimin e plotë në BE, dokumenti i promovuar nga Berlini dhe Parisi e thekson qartë se objektivi i anëtarësimit të plotë mbetet i pandryshuar: “qëllimi ynë nuk është as të zëvendësojmë anëtarësimin e plotë në BE, as ta zgjasim rrugën drejt tij. Përkundrazi, duam të krijojmë stimuj që nxisin përparim më të shpejtë në këtë rrugë.”
Ashtu si udhëheqja e Malit të Zi, edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkon jo më pak se anëtarësimin e plotë të vendit të tij në BE, megjithëse Ukraina, jo vetëm për shkak të luftës, është ende shumë më larg përmbushjes së kritereve sesa Mali i Zi.
Vëmendje tërheq fakti se në dokumentin gjerman përmenden Ballkani Perëndimor dhe Republika e Moldavisë, por jo Ukraina. Kjo ngre pyetjen nëse oferta për integrim në tregun e përbashkët evropian nuk parashikohet edhe për Kievin.
Ballkani Perëndimor i kërcënuar nga ndarjet e reja
Ky është një nga shqetësimet që lind nga dokumenti gjermano-francez.
Ndërsa Serbia, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë nisur negociatat e anëtarësimit, kjo nuk vlen për Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.
Maqedonia e Veriut është bllokuar prej vitesh nga Bullgaria me argumentin, që shumë e konsiderojnë të pabazuar, se Shkupi nuk po zbaton një “propozim kompromisi”. Në Bosnjë-Hercegovinë, mosmarrëveshjet e brendshme pengojnë përparimin. Ndërsa Kosova nuk njihet si shtet nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian.
Në këtë kontekst, propozimi gjermano-francez mund të rrisë rrezikun e një përçarjeje të brendshme në Ballkanin Perëndimor. Në skenarin më të keq, mund të krijohen edhe konflikte të reja.
Paradoksalisht, ky rrezik do të ishte më i madh pikërisht nëse Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia do ta merrnin seriozisht nismën dhe do të shfrytëzonin mundësitë që ajo ofron.
Nëse këto tri vende do të zbatonin reforma substanciale në kuadër të negociatave të anëtarësimit për të arritur objektivin e ndërmjetëm të hyrjes në tregun e përbashkët, përfundimi i këtij procesi mund të bëhej i mundur brenda vetëm pak vitesh.
Por në një rast të tillë do të krijoheshin vija të reja dhe të forta ndarëse në Ballkan: një grup prej tre shtetesh brenda tregut të përbashkët dhe tre të tjera jashtë tij.
Konkretisht, kjo do të nënkuptonte se kufijtë aktualë të Serbisë me Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën, si edhe kufijtë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe Shqipërisë dhe Malit të Zi, do të ktheheshin në kufij “të fortë”, me kontrolle të rrepta.
Serbët e Bosnjës gjatë udhëtimeve drejt Serbisë ose qytetarët e Kosovës gjatë udhëtimeve drejt Shqipërisë do ta ndienin drejtpërdrejt këtë ndryshim.
Kufijtë për të cilët rajoni ka luftuar në shumë konflikte gjatë dekadave të fundit do të bëheshin sërish më të dukshëm dhe potencialisht më konfliktualë. Për më tepër, përparimi i integrimit rajonal ekonomik ndërmjet vendeve të Ballkanit do të vihej në rrezik.
Treg i përbashkët pa negociata anëtarësimi?
Nga disa vende të rajonit tashmë dëgjohen jozyrtarisht ide se si mund të shmanget ky skenar.
Një prej tyre është që edhe tre shteteve që, për arsye të ndryshme, ende nuk kanë nisur negociatat e anëtarësimit, t’u jepet mundësia të përmbushin kushtet për hyrje në tregun e përbashkët evropian.
Nëse këto vende arrijnë të realizojnë reformat e nevojshme dhe Komisioni Evropian certifikon suksesin e tyre, atëherë edhe ato duhet të kenë mundësinë të bëhen pjesë e tregut të përbashkët, edhe pa hapjen formale të negociatave të anëtarësimit në BE.
Në të kundërt, një sukses i vetë propozimit gjermano-francez mund të sjellë rreziqe të reja për stabilitetin dhe paqen në rajon.
Megjithatë, ende nuk është e sigurt nëse ideja gjermano-franceze do të arrijë të imponojë veten në nivel evropian dhe nëse ndonjë qeveri e prekur do ta bëjë publikisht të vetën kërkesën që kjo mundësi t’u ofrohet të gjashta vendeve të Ballkanit Perëndimor. /Përshtati Pamfleti nga FAZ/

