Korrupsioni, krimi i organizuar, pastrimi i parave dhe dobësitë në zbatimin e ligjit vijojnë të mbeten ndër shqetësimet kryesore të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë. Kjo del në pah në raportin më të fundit të Këshillit Këshillimor për Sigurinë Jashtë Vendit (OSAC), strukturë e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili i kushton një kapitull të veçantë funksionimit të shtetit ligjor, korrupsionit dhe klimës politike në vend.
Raporti i siguruar nga “Pamfleti“, përshkruan një tablo ku, pavarësisht përpjekjeve të institucioneve shqiptare për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur kapacitetet e zbatimit të ligjit, problemet strukturore vazhdojnë të jenë të pranishme.
Një nga konstatimet më të forta të dokumentit lidhet me ndikimin e krimit të organizuar në Shqipëri. Sipas OSAC, vendi strehon rrjete organizatash kriminale të përfshira në trafik droge, zhvatje, ryshfet, pastrim parash, prostitucion dhe trafikim të qenieve njerëzore.
Raporti thekson se këto organizata vazhdojnë të kenë ndikim të dukshëm në Shqipëri, ndërsa një pjesë e armëve dhe eksplozivëve që qarkullojnë në Evropë kanë origjinën ose kalojnë tranzit përmes territorit shqiptar.Korrupsioni pengon zbatimin e ligjit
Raporti ndalet gjerësisht te korrupsioni, duke e konsideruar atë një nga pengesat kryesore për funksionimin efektiv të institucioneve.
Sipas OSAC, korrupsioni, mungesa e koordinimit mes agjencive shtetërore, pengesat në shkëmbimin e informacionit dhe një sistem drejtësie ende në zhvillim vazhdojnë të frenojnë përpjekjet e autoriteteve shqiptare për zbatimin e ligjit.
Dokumenti thekson se Shqipëria ka një kuadër ligjor të konsoliduar për luftën kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesit, por zbatimi në praktikë mbetet problematik.
Në raport thuhet se investitorët e huaj vazhdojnë të identifikojnë korrupsionin në sistemin gjyqësor, në qeveri, në procedurat e prokurimeve publike dhe në media si disa nga pengesat më të mëdha për klimën e biznesit në Shqipëri.
Përveç korrupsionit, raporti rendit si probleme serioze mungesën e transparencës, konkurrencën e kufizuar, ekonominë e madhe informale dhe zbatimin e dobët të kontratave.
Pandëshkueshmëria mbetet problem serioz
Një nga formulimet më të forta të raportit lidhet me pandëshkueshmërinë.
Sipas OSAC, pavarësisht rezultateve të SPAK në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, shumë zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe persona me interesa të fuqishme biznesi vazhdojnë t’i shmangen ndjekjes penale.
Dokumenti vlerëson punën e SPAK dhe bashkëpunimin e tij me partnerët ndërkombëtarë, por thekson se sfidat në luftën kundër korrupsionit nuk janë tejkaluar.
Raporti evidenton gjithashtu se korrupsioni vazhdon të jetë problem edhe në institucionet e vuajtjes së dënimit, sidomos në lidhje me aksesin në punë dhe programet e lirimit.
Krimi në zgjedhje
Raporti ndalet edhe te procesi zgjedhor në Shqipëri. Sipas dokumentit, zgjedhjet në vend kanë përfshirë historikisht elementë të krimit të organizuar dhe korrupsionit në procesin e votimit.
Edhe pse për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 thuhet se dita e votimit ishte përgjithësisht e qetë dhe parregullsitë e raportuara nuk ndikuan në rezultatin përfundimtar, OSAC i referohet vlerësimit të misionit ndërkombëtar të vëzhgimit të OSBE/ODIHR, Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian.
Sipas këtij misioni, procesi zgjedhor kërkon reformë të plotë dhe u karakterizua nga keqpërdorimi i burimeve publike nga partia në pushtet, mungesa e transparencës në financimin e fushatës, përdorimi i gjuhës përçarëse nga dy partitë kryesore dhe mbulim i pabalancuar mediatik ndaj partive më të vogla.
Pjesë nga Raporti
Kriminaliteti: Kërcënimi i përgjithshëm
Norma e përgjithshme e kriminalitetit në Shqipëri u rrit nga viti 2024 në vitin 2025 me rreth 17%, ku faktorët kryesorë të kësaj rritjeje ishin krimet e lidhura me drogën, mashtrimet dhe veprat penale që lidhen me armët. Krimet kundër pronës shënuan një rritje të lehtë (rreth 3%), ndërsa grabitjet ranë me 21%, duke vazhduar prirjen në të gjithë vendin drejt krimeve jo të dhunshme dhe jo-konfrontuese. Kriminaliteti i dhunshëm, përfshirë vrasjet, ra gjithashtu për të pestin vit radhazi, me një ulje prej rreth 3% gjatë vitit 2025.
Qeveria shqiptare po bën përpjekje të koordinuara për të përmirësuar kapacitetet e zbatimit të ligjit dhe për të reduktuar korrupsionin. Krimi i organizuar ka një ndikim të konsiderueshëm në Shqipëri, e cila strehon një rrjet organizatash kriminale të përfshira në trafik droge, zhvatje, ryshfet, pastrim parash, prostitucion dhe trafikim të qenieve njerëzore. Një pjesë e madhe e armëve dhe eksplozivëve të paligjshëm që qarkullojnë në Evropë e kanë origjinën ose kalojnë tranzit përmes Shqipërisë, ndërsa autoritetet kanë zhvendosur fokusin e tyre drejt goditjes së rrjeteve të trafikut të armëve.
Kriminaliteti në rrugë është i zakonshëm në zonat urbane, kryesisht gjatë natës. Rastet më të shpeshta janë vjedhjet në banesa të pabanuara dhe automjete, rrëmbimi i çantave dhe mashtrimet në rrugë. Grabitjet me armë dhe krimet e tjera të dhunshme ndaj udhëtarëve të huaj janë të pazakonta; nëse përballeni me autorë të armatosur, respektoni kërkesat e tyre.
Janë regjistruar sulme me mjete të vogla shpërthyese të improvizuara (IED), të drejtuara ndaj individëve të përfshirë në mosmarrëveshje. Rekomandohet vigjilencë gjatë parkimit në vende të pambikëqyrura, shmangia e parkimit gjatë natës në zona të pasigurta dhe kontrollimi i automjeteve për sende të dyshimta. Nëse gjeni diçka të pazakontë, mos e prekni dhe njoftoni menjëherë Policinë e Shtetit. Komuniteti i të huajve që jetojnë në Shqipëri nuk është objektiv specifik i këtyre sulmeve, megjithëse anëtarët e tij mund të bien viktimë për shkak të rrethanave ose afërsisë me ngjarjen.
Zgjedhjet/Stabiliteti politik
Zgjedhjet në Shqipëri kanë përfshirë në të kaluarën elementë të krimit të organizuar dhe korrupsionit në procesin e votimit. Megjithatë, ciklet e fundit zgjedhore kanë rezultuar në një proces më të balancuar dhe më të drejtë. Zgjedhjet parlamentare u zhvilluan në vitin 2025 dhe dita e votimit ishte kryesisht e qetë. U raportuan raste të izoluara parregullsish që përfshinin kandidatë dhe mbështetësit e tyre, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi se këto raportime nuk do të ndikonin negativisht në rezultatin e zgjedhjeve.
Pavarësisht zhvillimit përgjithësisht të qetë të zgjedhjeve, një mision i përbashkët vëzhgues i Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut të OSBE-së (ODIHR), Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian ka kërkuar një reformë të gjithanshme zgjedhore në Shqipëri. Misioni theksoi veçanërisht se procesi zgjedhor u karakterizua nga keqpërdorimi i burimeve publike nga partia në pushtet, përdorimi i gjuhës përçarëse nga dy partitë kryesore politike, mungesa e transparencës në financimin e fushatës dhe mbulimi i pabalancuar mediatik për partitë më të vogla.
Shqipëria do të zhvillojë zgjedhjet e ardhshme vendore në vitin 2027 dhe zgjedhjet parlamentare në vitin 2029.
Zbatimi i ligjit
Ministria e Brendshme mbikëqyr Gardën e Republikës dhe Policinë e Shtetit, ku përfshihet edhe Policia Kufitare dhe e Migracionit. Policia e Shtetit është përgjegjëse kryesisht për sigurinë e brendshme. Garda e Republikës mbron zyrtarët e lartë shtetërorë, personalitetet e huaja dhe disa prona shtetërore. Ministria e Mbrojtjes mbikëqyr Forcat e Armatosura. Shërbimi Informativ Shtetëror është përgjegjës para kryeministrit, mbledh informacion dhe kryen veprimtari të inteligjencës së jashtme dhe kundërzbulimit. Autoritetet civile ruajtën kontroll efektiv mbi forcat e sigurisë.
Korrupsioni dhe pengesat në shkëmbimin e informacionit ndërmjet institucioneve shtetërore, koordinimi i pamjaftueshëm ndërinstitucional dhe një sistem gjyqësor ende në zhvillim vazhdojnë të pengojnë përpjekjet e Shqipërisë në zbatimin e ligjit.
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e krijuar në vitin 2019, ndjek penalisht çështjet që lidhen me terrorizmin, korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar. SPAK trajton çështje komplekse dhe bashkëpunon drejtpërdrejt me agjencitë kryesore ndërkombëtare të zbatimit të ligjit dhe organet e ndjekjes penale. Prokuroritë e rretheve në të gjithë vendin trajtojnë çështjet që nuk hyjnë në juridiksionin e kufizuar të SPAK-ut. SPAK dhe shërbimet e tjera shqiptare të zbatimit të ligjit bashkëpunojnë gjerësisht me INTERPOL-in dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit.
Shteti i së drejtës, ndalimi arbitrar, ngacmimi nga zyrtarët, korrupsioni dhe transparenca
Departamenti Amerikan i Shtetit nuk e ka përfshirë Shqipërinë me indikatorin “D” për rrezikun e ndalimit të padrejtë në Këshillën e Udhëtimit. Nëse arrestoheni ose ndaloheni, kërkoni që policia ose autoritetet e burgut të njoftojnë menjëherë Ambasadën e Shteteve të Bashkuara.
Ligji dhe Kushtetuta ndalojnë arrestimin dhe ndalimin arbitrar dhe garantojnë të drejtën e çdo personi për të kundërshtuar ligjshmërinë e arrestimit ose ndalimit të tij në gjykatë. Në përgjithësi, qeveria shqiptare i respekton këto ndalime, megjithëse ka pasur raste kur policia ka mbajtur persona për marrje në pyetje për periudha të pajustifikuara, pa i arrestuar zyrtarisht.
Shqipëria ka një kuadër ligjor të konsoliduar për luftën kundër korrupsionit dhe parandalimin e konfliktit të interesit të zyrtarëve publikë dhe politikanëve, përfshirë anëtarët e familjeve të tyre. Megjithatë, investitorët e huaj përmendin korrupsionin, përfshirë atë në sistemin gjyqësor, në qeveri, në prokurimet publike dhe në media, mungesën e transparencës dhe konkurrencës, ekonominë e madhe informale dhe zbatimin e dobët të kontratave si disa nga problemet kryesore që pengojnë klimën e biznesit në Shqipëri.
Pandëshkueshmëria mbetet një problem serioz. Me krijimin e SPAK-ut në vitin 2019, arrestimi dhe ndjekja penale e zyrtarëve që kryejnë abuzime është shtuar, megjithatë shumë zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe persona me interesa të fuqishme biznesi vazhdojnë të shmangin ndjekjen penale.
Korrupsioni vazhdon të mbetet një problem serioz në qendrat e paraburgimit dhe burgjet, veçanërisht në lidhje me aksesin në punë dhe programet e posaçme të lirimit. /Pamfleti

