Ligjvënësit amerikanë kanë denoncuar se Departamenti i Drejtësisë (DOJ) ka bërë redaktime të papërshtatshme në dokumentet lidhur me pedofilin Jeffrey Epstein para publikimit.
Të hënën, 9 shkurt, anëtarët e Kongresit nisën shqyrtimin e rreth 3 milionë faqeve të dosjes së famshme.
Ndërkohë, zëvendës-ndihmës-prokurori Todd Blanche shkroi në “X” se DOJ “është i përkushtuar ndaj transparencës”.
Redaktimet u analizuan pas pretendimeve të avokatëve të viktimave të Epstein-it, të cilët argumentuan se një pjesë e dokumenteve përfshinin adresa emaili dhe foto me vajza nudo ku mund të identifikoheshin viktimat.
DOJ tha se i kishte hequr të gjitha dokumentet problematike, duke e atribuar gabimin si “teknik ose njerëzor”.
Pas shqyrtimit të dokumenteve, ligjvënësit Massie dhe Khanna, bashkë-sponsorë të Ligjit për Transparencën e Dosjeve të Epstein, thanë se kishin zbuluar rreth 20 emra të redaktuar, përveç atyre të Epstein dhe të bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell. Sipas tyre, gjashtë prej emrave mund t’i përkasin burrave që kanë lidhje me aktivitetin kriminal të Epsteint, pra të përfshirë në abuzimin seksual ose trafikimin e të miturve.
Khanna shtoi se këto redaktime janë realizuar në mënyrë të papërshtatshme.
Blanche reagoi duke thënë se Departamenti “sapo ka hequr redaktimet e emrave dhe është i përkushtuar ndaj transparencës”. Ai publikoi një version të ri të dokumentit ku vetëm dy emra të viktimave mbeteshin të mbuluar, sipas ligjit EFTA.
Megjithatë, Khanna argumentoi se këto masa nuk përputhen ende me ligjin, i cili kërkon që FBI, pjesë e DOJ, të heqë çdo redaktim para se dokumentet t’i dorëzohen prokurorit të përgjithshëm.
Massie shtoi se redaktimet e gabuara tregojnë se DOJ duhet të bëjë më shumë për të përmbushur ligjin.
Ai përmendi dokumente ku diskutoheshin video torturash dhe udhëtime midis Kinës dhe SHBA-ve, si dhe një CEO i njohur që mungonte në listën e bashkëpunëtorëve të Epstein. Brenda disa orësh, DOJ e ka bërë transparent këtë emër, duke deklaruar se “asgjë nuk po fshihet”.











