Rreth 100 studiues dhe punonjës kërkimorë-shkencorë të katër instituteve albanologjike dhe të Qendrës Kërkimore të Arteve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i janë drejtuar institucioneve më të larta të shtetit, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre për rivendosjen e ligjshmërisë në trajtimin financiar të personelit kërkimor.
Përmes një kërkese zyrtare drejtuar Kryeministrit Edi Rama, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Financave, Avokatit të Popullit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, studiuesit pretendojnë se Akademia e Shkencave nuk po zbaton legjislacionin në fuqi që rregullon statusin, kategorizimin dhe nivelin e pagave të punonjësve kërkimorë-shkencorë.
Sipas tyre, problematika ka nisur në muajin prill të këtij viti, kur profesorati i Institutit të Historisë iu drejtua zyrtarisht Kryetarit të Akademisë së Shkencave, akademik Skënder Gjinushi, duke kërkuar zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 793, datë 24 dhjetor 2025, si dhe të VKM-së nr. 175, datë 19 mars 2026, të cilat përcaktojnë kriteret e kategorizimit, nivelin e pagave dhe shpërblimin për punën kërkimore-shkencore.
Sipas studiuesve, kërkesa nuk synonte trajtim preferencial apo privilegje, por vetëm zbatimin e legjislacionit në fuqi. Ata pretendojnë se, pavarësisht kalimit të disa muajve, Akademia e Shkencave nuk ka dhënë asnjë përgjigje juridike mbi arsyet e moszbatimit të këtyre akteve.
Në vend të një përgjigjeje zyrtare, studiuesit thonë se u është përcjellë një shkresë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e hartuar rreth 40 ditë përpara se ata t’i drejtoheshin Akademisë së Shkencave dhe përpara miratimit të VKM-së nr. 175, dokument që, sipas tyre, nuk lidhet me objektin e kërkesës.
Përballë kësaj situate, ata vendosën t’u drejtohen institucioneve të tjera shtetërore, duke kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të Akademisë së Shkencave.
Në kërkesën e tyre, studiuesit pretendojnë se nuk po zbatohen një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore, mes tyre VKM-ja nr. 821 e vitit 2023 për organizimin e instituteve albanologjike, Ligji nr. 109/2024 “Për shkencën dhe kërkimin shkencor”, VKM-ja nr. 793/2025 për kategorizimin e punonjësve kërkimorë-shkencorë, VKM-ja nr. 12/2026 dhe Udhëzimi nr. 2 i Ministrisë së Financave për indeksimin e pagave në sektorin publik, si dhe VKM-ja nr. 175/2026 për nivelin e pagave dhe shpërblimin e personelit kërkimor.
Sipas tyre, moszbatimi i këtyre akteve ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta financiare. Studiuesit pretendojnë se nuk kanë përfituar indeksimin e pagave për vitin 2026, nuk janë përfshirë në procedurat e reja të kategorizimit dhe nuk kanë marrë përfitimet financiare të parashikuara nga vendimet e qeverisë, duke krijuar, sipas tyre, një trajtim të pabarabartë me punonjësit e institucioneve të tjera publike të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me mënyrën e administrimit të instituteve albanologjike pas integrimit të tyre në Akademinë e Shkencave. Studiuesit pretendojnë se prej më shumë se dy vjetësh e gjysmë nuk janë zhvilluar zgjedhjet akademike të parashikuara nga legjislacioni, ndërsa drejtimi i instituteve vijon të ushtrohet nga struktura të emëruara.
Po ashtu, sipas tyre, Statuti i ri i Akademisë së Shkencave përmban dispozita që bien në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, duke parashikuar procedura të ndryshme nga ato të miratuara nga Këshilli i Ministrave për kategorizimin dhe trajtimin e personelit kërkimor.
Në letrat drejtuar institucioneve shtetërore ngrihen gjithashtu pretendime edhe për trajtimin financiar brenda vetë Akademisë së Shkencave. Studiuesit shprehen se administrata qendrore dhe institutet albanologjike funksionojnë me dy skema të ndryshme pagash. Sipas tyre, administrata ka përfituar indeksimin dhe rritjen e pagave, ndërsa personeli kërkimor jo, duke bërë që në disa raste paga e punonjësve administrativë të jetë e barabartë ose më e lartë se ajo e profesorëve të instituteve.
Një tjetër çështje që kërkohet të verifikohet lidhet me administrimin e të ardhurave të krijuara nga aktivitetet ekonomike të instituteve albanologjike, përfshirë të ardhurat nga qiraja e ambienteve të Universitetit “Luarasi”. Studiuesit pretendojnë se këto të ardhura nuk janë përdorur në përputhje me legjislacionin për përmirësimin e trajtimit financiar të profesoratit dhe kërkojnë transparencë të plotë mbi administrimin e tyre.
Sipas studiuesve, çështja nuk lidhet vetëm me pagat, por me zbatimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e hierarkisë së akteve normative. Ata kërkojnë që institucionet përgjegjëse të verifikojnë ligjshmërinë e situatës, të përcaktojnë përgjegjësitë për moszbatimin e legjislacionit dhe të marrin masa për rivendosjen e trajtimit të barabartë dhe kompensimin e të drejtave financiare të punonjësve kërkimorë.
Ata theksojnë se, pas disa muajsh korrespondencë me institucionet, ende nuk kanë marrë një përgjigje juridike për thelbin e kërkesave të tyre, përveç disa përgjigjeve formale, të cilat, sipas tyre, nuk adresojnë problematikat e ngritura. Për këtë arsye, presin ndërhyrjen e institucioneve kushtetuese për të garantuar zbatimin e njëjtë të ligjit në të gjitha institucionet publike të kërkimit shkencor në vend.

