Me 77 vota pro dhe asnjë kundër, Kuvendi miratoi në seancën e sotme plenare projektligjin për ndryshimet në ligjin e vitit 2016 për të drejtat e autorit.
Projektligji u miratua sipas draftit final të dorëzuar nga Komisioni për Kulturën, Turizmin i drejtuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa, e megjithatë as kjo e fundit nuk votoi projektligjin, duke ndjekur bojkotin e opozitës.
Përmes ligjit të ndryshuar, YouTube, Facebook, TikTok dhe platformat e tjera duhet të marrin autorizim për përdorimin e veprave të mbrojtura dhe të reagojnë kur ka shkelje të së drejtës së autorit.
Po ashtu, platformat ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri pa pasur seli këtu do të duhet tashmë të kenë një përfaqësues ligjor në vend.
Ligji parashikon gjithashtu forcimin e pozitës së autorëve në kontrata. Ata do të kenë të drejtë të informohen se si përdoren veprat e tyre, sa të ardhura gjenerojnë dhe të kërkojnë rishikimin e kontratës në rastet kur e konsiderojnë të padrejtë shpërblimin.
Ndryshime do të ketë edhe në tregun e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit, ku synohet të krijohet më shumë konkurrencë dhe më shumë mundësi zgjedhjeje për krijuesit.
Ministri Blendi Gonxha njoftoi më pas se do të riorganizohet struktura përgjegjëse për drejtorinë e të drejtës së autorit në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, me një strukturë të dedikuar për mbrojtjen e të drejtave të autorit në fushën digjitale dhe me 11 punonjës shtesë, për të garantuar zbatimin real të këtyre kompetencave të reja që ky ligj i ri na jep.
Ligji synon të mbrojë më mirë krijuesin shqiptar, të vendosë më shumë përgjegjësi mbi platformat sipas standardeve europiane. /Top Channel/
