Mbretëria e Bashkuar do të akordojë deri në 5 milionë paund për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar.
Paketa e re e ndihmës për vendet e rajonit, ku bën pjesë edhe Shqipëria, u njoftua nga ministri i Shtetit për Evropën në Mbretërinë e Bashkuar, Lord Wood of Anfield, në Samitin e Procesit të Berlinit, që po zhvillohet në Mal të Zi.
Financimi synon të mbështesë institucionet e vendeve të rajonit përmes trajnimeve, ekspertizës britanike dhe forcimit të shkëmbimit të informacionit, me qëllim goditjen e krimit të organizuar dhe parandalimin e shfrytëzimit të emigrantëve.
Nga Budva, ministri britanik deklaroi se bandat kriminale kanë shfrytëzuar prej kohësh rajonin, duke përfituar nga njerëzit e pambrojtur dhe duke rrezikuar jetët e tyre. Sipas tij, financimi i ri do të forcojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe sigurinë e Evropës.
Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, pajisjet dhe trajnimet e financuara nga Londra kanë ndihmuar autoritetet e Ballkanit Perëndimor të kryejnë më shumë se 100 ndërhyrje ndaj emigrantëve që prej qershorit 2026, si dhe të godasin disa banda kriminale.
Ndihma e re do të mbështesë punën e Task-Forcës së Përbashkët të EMigracionit (JMTF), një nismë që bashkon specialistë nga vende të ndryshme për të zbuluar, parandaluar dhe ndërprerë aktivitetet e paligjshme të emigracionit. Task-forca ka zhvilluar operacione në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Qeveria britanike deklaron se do të vijojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të goditur rrjetet e trafikimit dhe për të penguar organizatorët e emigracionit të paligjshëm përpara se të vënë në rrezik më shumë persona.
