Prej disa ditësh, opinioni publik po mëson se si paratë e kokainës po pastrohen me lehtësi në Shqipëri fal kullave të firmosura nga Edi Rama. Në Aruba vendosen se ku do të ndërtohet e kush do të financohet, e garant tek trafikantët del qeveria e Edi Ramës, që për pastrimin e parave ka firmosur qindra-mijëra sipërfaqe ndërtimi në kryeqytet e bregdet.
Paratë e kokainës futen e pastrohen lehtësisht në Shqipëri, ku vetëm në një prej episodeve të pastrimit në sektorin e pasurive të paluajtshme ishte mbi 150 milionë euro. Por jo vetëm kaq, por këto para po përdoren edhe duke u gërshetuar me paratë publike që Edi Rama u jep biznesmenëve të oborrit të tij. Pak ditë më parë, emisioni Plug denoncoi se si Vilma Nushi, përfituese e koncesionit të Check Up kishte financuar me paratë e shëndetësisë shqiptare ndërtimin e një kulle, që as më shumë e as më pak, por e ndërtuar nga Luan Mata, babai i Ervin Matës, trafikantit të arrestuar pak ditë më parë në Brazil. Por le të ndjekim më parë investigimin e puntatës së kaluar dhe rikthehemi sërish me detajet e reja.
Kontrata koncesionare për Check up, koncesionare u firmos më 7 janar 2015. Ndërkohë gara për koncesionin e Check up, u shpall që në shkurt 2014, apo 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit 138 milionë euro.
Plug publikoi për herë të parë dokumente ekskluzive, që tregojnë se Ilir Beqaj kishte vendosur t’i falte Vilma Nushit miliona euro. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3 P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzon publikimin e kësaj kontrate pasi konstaton shkelje të rënda ligjore. Sipas një shkrese që i përket datës 13 shkurt me numër protokolli 1022/3, që Agjencia e Prokurimit Publik i drejton Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Alfred Çareri, kontrata koncesionare kishte dy shkelje të rënda. Së pari, kontrata dërgohet në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit.

